` . Aspiratat shekullore serbe për dalje në det (1) - TV-SHENJA

Aspiratat shekullore serbe për dalje në det (1)

Në argumentimet e tij “shkencore”, Cvijiqi ngrit tezën për Serbinë dhe serbizmin si racë superiore në Ballkan dhe për Serbinë si piemont i sllavëve të jugut, duke mohuar qenien politike-kombëtare të tjerëve, veçanërisht të shqiptarëve dhe për pushtimin e një pjese të mirë të hapësirës etnike shqiptare

Shkruan: Hivzi ISLAMI, Prishtinë & Arsim EJUPI, Prishtinë

Vendet dhe popujt që kanë dalje në det kanë një përparësi të madhe, në radhë të parë për zhvillimin e ekonomisë, të komunikacionit e të tregtisë. Ndërkaq, shtetet që nuk kanë qasje të drejtpërdrejtë në det (land-lockedcountries) kanë vështirësi në disa aspekte të zhvillimit ekonomik, por edhe politik. Këto të fundit, me pozitë gjeografike kontinentale, këtë problem duhet ta zgjidhin përmes një politike bashkëpunuese me fqinjët e tyre. Serbia është ndër vendet e rralla që nuk kanë dalje në det dhe synimi i kahershëm dhe i përhershëm i saj ka qenë dalja në Detin Egje dhe në Detin Adriatik. Por, ambiciet e saj kanë shkuar përtej qasjes në det, duke e shndërruar në aspiratë për qëllime hegjemoniste, për zgjerim territorial dhe krijimin e ”Serbisë së Madhe”. Në Jugosllavinë komuniste (të Titos), vetëm Kroacia, Mali i Zi, BeH dhe Sllovenia kishin dalje në Detin Adriatik, ndërsa Serbia arriti ta realizojë një lidhje me këtë det vetëm përmes ndërtimit të hekurudhës Beograd-Tivar, e cila përfundoi në vitin 1975. Me pavarësimin e Malit të Zi si shtet më vete nga viti 2006, Serbia përsëri mbetet pa dalje në det.

Në këtë shkrim do të trajtohet problemi i daljes së Serbisë në det si aspiratë shekullore e faktorëve politikë të saj dhe të autorëve serbë nga qarqet intelektuale dhe akademike, ndër të cilët në hartimin e politikave ekspansioniste veçanërisht dallohej Jovan Cvijiqi (1865-1927). Në punimin e tij të njohur me titull “Dalja e Serbisë në Detin Adriatik” ai e arsyeton nevojën e Serbisë për dalje në detin Adriatik për motive politike, kombëtare dhe ekonomike, por e përdorë edhe “argumentin” e ndërlidhjes historike midis Shqipërisë Veriore dhe Serbisë së Vjetër (lexo Kosovës). Nën pretekstin e rritjes demografike të serbëve dhe nevojës së tyre për “hapësirë jetësore”, Serbia “për shkak të pavarësisë së saj ekonomike duhet të dalë patjetër në detin Adriatik dhe në një pjesë të bregdetit shqiptar, qoftë me uzurpimin e territorit, qoftë përmes sigurimit të të drejtave ekonomike dhe komunikative për këtë hapësirë”!

Në argumentimet e tij “shkencore”, Cvijiqi ngrit tezën për Serbinë dhe serbizmin si racë superiore në Ballkan dhe për Serbinë si piemont i sllavëve të jugut, duke mohuar qenien politike-kombëtare të tjerëve, veçanërisht të shqiptarëve dhe për pushtimin e një pjese të mirë të hapësirës etnike shqiptare. Në kërkesat ekspansioniste Cvijiqi nuk ishte krejtësisht origjinal, sepse insistimet mbi zgjerimin e Serbisë edhe jashtë kufijve të saj i gjejmë së pari te projekti “Naçertanije” i Ilija Garashaninit (1844), në formulimin se “Shteti serb patjetër duhet të zgjerohet dhe forcohet”. Në hartimin e “Naçertanisë” rol të madh kanë luajtur njerëzit e migracionit polak me orientime pansllaviste, në krye me knjazin dhe diplomatin Adam Çartorijski (1770˗1861), që formoi misionet e tij në disa qendra evropiane. Në Serbi e dërgoi agjentin e tij, çekun Frantishek Zah (1807˗1892), i cili kishte bërë një plan për politikën sllave të Serbisë, si qendër e sllavizmit, e që duhej t’ia paraqiste Ilija Garashaninit, njeriut të rëndësishëm në Serbinë e atëhershme. Në bazë të këtij plani të Zahut (afër 90% të tij), u vërtetua se Garashanini e hartoi “programin e politikës së brendshme dhe të jashtme të Serbisë” të përmbledhur në projektin “Naçertanije” (Shih më gjerë: MirkoValentić, “Prva programska formulacija velikosrpske ideje”, në Izvori velikosrpske agresije, Rasprave-dokumenti, (Red. B. Čović), A. Cesarec-Š. knjiga, Zagreb, 1991, ff. 41-63). Angazhimi i Cvijiqit për “hapësirën jetësore” të serbëve është identik me qëllimet gjeopolitike të qarqeve nacistehitleriane midis dy luftërave botërore.

Kontrollin ndaj linjave gjatësore dhe tërthore të komunikimit Serbia e konsideronte me rëndësi vitale gjeostrategjike dhe gjeopolitike. Ndonëse linja kryesore komunikative e drejtimit veri-jug kalonte nëpër luginat e Moravës dhe Vardarit dhe ndodhej brenda kufijve politikë të Serbisë së atëhershme, megjithatë porti i Selanikut konsiderohej pika më e rëndësishme tregtare e kësaj vije, por ai gjendej brenda kufijve të Greqisë. Prandaj, sipas Cvijiqit, mundësia më e lehtë për dalje në Detin Adriatik ishte ndërtimi i hekurudhës nëpër luginat e Drinit dhe Matit. Edhe pse me vështirësi jo të vogla relievore, sepse duhej të kapërcehej qafa malore e lartë 945 m, ndërmjet Drinit dhe lumit Fan, i cili është degë e Matit, sipas tij, kjo luginë ofron mundësi më të mira për lidhjen e brendësisë së Serbisë me harkun verior të bregdetit shqiptar, që fillon nga Durrësi në jug, përfshinë Shëngjinin, grykëderdhjen e Bunës, Shkodrën dhe Tivarin në veri, që sot i takon Malit të Zi.

Projekti i Cvijiqit për daljen e Serbisë në Detin Adriatik

Në pjesën e parë të shkrimit flitet për aspiratat e Serbisë për dalje në Detin Adriatik, ndërsa në pjesën e dytë për dalje në Detin Egje përmes kanalit lundrues Moravë-Vardar. Në vazhdim po e japim shkrimin e Cvijiqit të vitit 1912 për daljen e Serbisë në detin Adriatik (J. Cvijić, “IzlazakSrbije na Jadransko more”, Glasniksrpskoggeografskogdruštva, god. 1, br. 2, Beograd, 1912, ff. 202-203), të përkthyer dhe përgatitur nga autorët e këtij shkrimi. Teksti i këtij projekti për herë të parë botohet në gjuhën shqipe.

“Pas betejave të njohura të Kumanovë, Prilepit dhe Manastirit, dy ushtritë serbe morën urdhrin që të nisen në drejtim të bregdetit shqiptar të Detit Adriatik dhe t’i marrin portet e e Shëngjinit dhe Durrësit. Ushtria e parë shkoi nga Prizreni, rrugës së vjetër të karvanëve tregtarë, tanimë të braktisur, e cila në burimet historike mesjetare serbe njihet si “Rruga e Zetës”, ndërkaq në ato italiane si Via di Zenta. Ushtria e dytë, dukshëm më vonë, kalon përmes rrugës ushtarake romake Via Egnatia, prej Ohrit, për të vazhduar në drejtim të Elbasanit e deri te porti i Durrësit.

Ushtria e parë në radhë të parë arrin te Lezha në bregdetin Adriatik. Ajo ka kryer një punë të madhe dhe të vështirë; përpjekja më e madhe e kësaj lufte ballkanike, sa u përket vështirësive të terrenit, ishte furnizimi me ushqim i njerëzve dhe bagëtisë. Rrugët e vështira malore, shpesh nëpër kanjone të thella prej 300-400 m, në një gjatësi prej 130 km, ajo i ka kaluar për 9 ditë. Ushtarët ecën nëpër lugina, të cilat nuk kishin një fund ose rrafshinë, por vetëm vendin kur rridhte lumi, të mbuluara me vegjetacion shkurror, nëpër një hapësirë të shkretë malore, sepse andej pari nuk ka asnjë qytezë apo fshat të grumbulluar, por vetëm shtëpi të vetmuara dhe të shkapërderdhura fshatare të shqiptarëve – dhe atë nëpër motin e lig, nëpër shi, borë dhe të ftohtit e lagësht. Por, nuk hasi në asnjë lloj rezistence tek popullsia e trevës së Mirditës, për të cilën jo vetëm në qarqet shkencore ishte thënë që i urrejnë të huajt, ku është e pranishme gjakmarrja dhe sipas perceptimit të përgjithshëm jetojnë fiset më të egra në Evropë dhe jo vetëm. Në dekadat e fundit nëpër rrugët që çonin prej Prizrenit për në Detin Adriatik kanë mundur të kalojnë vetëm 3-4 udhëtarë shkencorë të guximshëm, prej të cilëve vështirësitë dhe veçoritë e popullsisë (“më shumë afrikane se në Afrikë, më shumë australiane se në Australi”), veçanërisht në mënyrë të gjallë dhe elokuente i ka përshkruar Dr. K. Hassert (Wanderungen in Nordalbanien. Mitt, d.k.k. georg. Gesellsch., Wien 1898, libri nr. 5-6). Por, ne jemi larguar së tepërmi nga ndjenjat dhe mendimet e këtyre njerëzve natyralë dhe patriarkalë, e vlerësojmë jetën e tyre me kriteret matëse europiane, prandaj duket se hulumtuesit shkencorë shpeshherë i kanë ngatërruar dhe interpretuar gabimisht në vlerësimet e tyre. Edhe pse e egër, ajo botë shqiptare është megjithatë më e mirë se sa perceptimi jonë për të. Edhe tek kjo botë ka shtresa të popullsisë që e duan punën dhe zhvillimin. Një shenjë e tillë është edhe moskundërshtimi i depërtimit të ushtrisë serbe.

Të gjitha raportimet dakordohen se ushtarët e ushtrisë së Zetës kanë mbërritur në bregdetin Adriatik në gjendje të mirë fizike dhe shpirtërore. Kishin qenë të mbajtur nga motivet e larta morale, ndjenjat dhe mendimet, të cilat qysh para kësaj lufte e dominonin shpirtin popullor në Serbi: secili ushtar e dinte se përmes kësaj lufte do të arrihet të pushtohet një pjesë e bregdetit Adriatik dhe e porteve bregdetare, nga e cila varet mëvetësia ekonomike e shtetit të tyre. Për këtë arsye ushtarët sa nuk ziheshin mes vete për t’u pranuar në ushtrinë e Zetës dhe për t’u sakrifikuar, një karakteristikë kjo e luftës serbe, edhe pse ishin të vetëdijshëm se do të ballafaqoheshin me vështirësi të tmerrshme. Pasi arrin në bregdetin e Adriatikut, ushtria e Zetës e gjen portin e Shëngjinit në duart e malazezëve. Pas një beteje të lehtë, merret Lezha dhe rreth 50-60 km të bregdetit Adriatik deri te Durrësi. Me kujdesin që ta zë frymën, populli serb e përcjell lëvizjen e ushtrisë së Zetës dhe marrjen e bregdetit Adriatik. Ky është, po ashtu, një moment interesant etnopsikologjik, një mendim dhe një dëshirë e cila mbretëronte tek i gjithë populli serb, sepse territori shtetëror i tyre do të shtrihet deri të portet e Adriatikut. Është me interes që të trajtohen më thellësisht shkaqet e vullnetit të popullit dhe gatishmëria e tij për sakrifica edhe më të mëdha.

Dimensioni ekonomiko-gjeografik i çështjes rreth portit

Para kësaj lufte Serbia ishte i vetmi shtet ballkanik që nuk kishte dalje në det. Duke u ndodhur në qendër të pjesës veriore të Gadishullit Ballkanik, ajo nga të gjitha anët kufizohet me shtetet, popullsia e të cilave – sikurse ajo e Serbisë – merret kryesisht me bujqësi dhe blegtori, duke përjashtuar deri-diku Austro-Hungarinë.

E larguar shumë nga deti, Serbia ishte e detyruar që drithërat e veta, në veçanti bagëtinë, e cila bartet me vështirësi, prodhimet blegtorale dhe pemët, kurse në kohën e fundit edhe xehet (sidomos bakrin) dhe thëngjillin, t’i bartë nëpërmjet trevave të huaja deri në det dhe pastaj deri te konsumatorët e largët. Ky eksport i Serbisë mund të orientohet në dy drejtime: kah veriu në Austro-Hungari dhe përmes saj në qendrat tregtare të Europës së Mesme dhe Perëndimore dhe kah jugu, përmes Selanikut për në Gjenovë dhe Napoli, por edhe në Aleksandri.

Në dekadat e fundit Serbia përjeton një zhvillim të dukshëm ekonomik dhe, paralelisht me këtë zhvillim, gjithnjë e më shumë paraqiteshin pengesa si rrjedhojë e pozitës së izoluar dhe kontinentale të Serbisë, kjo edhe për faktin se Austro-Hungaria vendoste pengesa të ndryshme që e pamundësonin eksportin serb, në veçanti të bagëtisë dhe shpezëve. Kjo ëshë e ditur botërisht, se Austro-Hungaria nuk e bënte atë për arsye ekonomike, por më tepër për shkaqe politike. Para shtatë vjetëve eksporti i Serbisë në drejtim të veriut ishte penguar tërësisht për shkak të luftës së njohur tregtare-doganore. Por, edhe pas kësaj lufte nuk ishte i mundur eksportimi i bagëtisë në drejtim të tregjeve veriore, përveç sasive të vogla dhe të parëndësishme të mishit të freskët. Për shkak të këtyre pengesave, në dekadën e fundit provohet që eksporti i bagëtisë, e deri diku edhe i prodhimeve të tjera, të orientohet përmes Selanikut në drejtimin jugor. Por, linja hekurudhore me këtë port, për shkak të trazirave të njohura, ishte ndërprerë dhe nuk funksiononte si duhet. Përveç kësaj, ky drejtim ishte i papërshtatshëm për eksportin e bagëtisë serbe: udhëtimi tejdetar deri te Gjenova dhe Napoli i cili zgjat 20-27 ditë, ndikon keq te bagëtia (mirëpo, nëpërmjet porteve shqiptare dhe malazeze të Adriatikut, pastaj me ndihmën e hekurudhave italiane, mund të transportohet bagëtia për në Gjenovë dhe Napoli për vetëm 5-6 ditë). Për shkak të ndalesave të sipërpërmendura kah veriu dhe vështirësive për eksport përmes Selanikut, bujqësia serbe dhe, në veçanti, blegtoria kishin pësuar dëme të mëdha. Në këtë mënyrë çdo fshatar i ka ndjerë pasojat pozitës së izoluar dhe të pavolitshme të vendit të vet: nuk ka mundur të ketë çmime të volitshme për prodhimet e veta. Kjo e ka shtyrë secilin të mendojë dhe ka qenë arsyeja kryesore se pse energjia popullore është fokusuar në politikat ekonomike dhe nacionale; luftërat e brendshme partiake, shpeshherë të pakuptimëta, u zbutën ose u fashitën në tërësi.

Prandaj, sidomos nën ndikimin e atyre vështirësive ekonomike, është filluar që gjatë decenieve të fundit të mendohet dhe punohet për ndërtimin e hekurudhës Danub-Adriatik, e cila do të fillonte nga kufiri serb në Mërdare dhe të dilte në portet e Tivarit dhe Shëngjinit në Detin Adriatik. Me këtë hekurudhë eksporti serb jo vetëm se do të kishte një ventil të rëndësishëm të sigurisë dhe që përmes saj do të sigurohej pavarësia ekonomike e Serbisë, por ndoshta do të bëhej e mundur që një pjesë më e madhe e eksportit serb të bartet kryesisht përmes kësaj rruge drejt perëndimit në vend të drejtimit të sotëm verior dhe jugor. Mirëpo, të gjitha tentimet dhe përpjekjet që të ndërtohet kjo hekurudhë dhe të arrihet synimi i daljes në Detin Adriatik kanë qenë të pasuksesshme. Shkrimtari anglez Garvin e ka përshkruar shumë mirë pozitën e Serbisë para luftës ballkanike me këto fjalë: “Serbia paraqet një shtet të rrethuar, kurse popullsia e saj e burgosur”.

Mundësitë e daljes në det

Nga këndvështrimi gjeografik Serbia i ka pasur dy mundësi për zgjerimin e territorit të vet dhe daljen në det. Linja komunikative kryesore tokësore lidhet me dy lugina kryesore të cilat priten në Nish. Këto janë lugina e Moravë-Vardarit, e cila të shpie në Gjirin e Selanikut, dhe lugina e Drin-Matit, që del në portet e Durrësit dhe Shëngjinit në Detin Adriatik, pra njëra drejt Detit Egje dhe tjetra drejt Detit Adriatik. Këto janë dy arterie kryesore komunikative në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, të cilat kishin rëndësi të madhe përgjatë të gjitha periudhave historike.

Lugina Moravë-Vardar, e cila del në Gjirin e Selanikut, paraqet arterien komunikative që padyshim – si asnjë tjetër – ndikon te pjesa më e madhe e Serbisë. Për këtë arsye Selaniku do të mund të ishte porti më i natyrshëm i Serbisë sikur ajo ta shtrinte territorin e vet aq larg drejt jugut.

Derisa rëndësia e luginës së Moravë-Vardarit dhe Selanikut për eksportin e Serbisë është e qartë edhe për pjesën tjetër të Europës, pak kujt i është e njohur rëndësia e luginës së Drin-Matit dhe porteve shqiptare për eksportin e Serbisë. Prandaj këtu do të ndalemi më shumë.

Bregdeti perëndimor i Gadishullit Ballkanik e ndryshon drejtimin në Shkodër, duke kaluar nga drejtimi veriperëndimor në drejtimin veri-jug dhe kështu krijohet i ashtuquajturi harku bregdetar i Drinit ose i Shëngjinit. Nga ky hark, e deri te pjesa qendrore e Gadishullit Ballkanik, në Kosovë shtrihen disa lugina dhe fushëgropa, shumica e të cilave i takojnë pellgut të Drinit dhe Matit. Prandaj, sipas tyre, edhe i kam emërtuar. Në veri dhe jug nga kjo luginë shtrihen vargjet malore të drejtimit verilindor (Sharri, Koritniku dhe Pashtriku në jug, kurse Bjeshkët e Nemuna ose Alpet Shqiptare në veri) dhe arrijnë lartësinë mbi 2.000 m, derisa toka ndërmjet tyre, ajo e luginës së Drin-Matit, është për 1.000-1.500 m më poshtë se vargjet malore të përmendura më lart. Treva e Kosovës dhe Dukagjinit (Metohija – Peja, Gjakova dhe Prizreni), të cilat që prej luftës ballkanike do t’i takojnë Serbisë, e përbëjnë një pjesë të kësaj lugine, ndërsa Durrësi dhe Shëngjini për këto treva paraqesin porte natyrore dhe më të afërta. Më tej, trevat e Drinit dhe Matit përbëjnë një tërësi të përbashkët natyrore me Kosovën dhe Dukagjinin, kurse gjeografikisht janë shumë të ndryshme nga trevat e Shqipërisë së Mesme dhe Jugore.

Në bregdetin perëndimor të Gadishullit Ballkanik, prej Rijekës deri në Durrës, nuk ka një luginë tjetër si ajo e Drin-Matit, me një tokë të ulët dhe të përshtatshme, përmes së cilës mundet të depërtohet lehtë në pjesët qendrore të Gadishullit Ballkanik, dhe nëpër të cilën mund të ndërtohet hekurudha më e shkurtër e cila lidhë pjesët qendrore të Gadishullit Ballkanik me detin Adriatik. Bregdeti, nga Dubrovniku deri në Durrës, e sidomos prej Tivarit deri në Durrës, paraqet dritaren (portën) pranëdetare natyrore për pjesët qendrore të Gadishullit Ballkanik, veçanërisht për Kosovën dhe Dukagjinin. Prandaj, kjo është largësia më e shkurtër nga deti e pjesës qendrore të Gadishullit Ballkanik, sepse bregdeti Adriatik prej Tivarit e deri në Durrës, përmes një harku, është i futur thellë në Gadishullin Ballkanik.

Mirëpo, duhet theksuar se lugina e Drin-Matit nuk është tërësisht e kalueshme dhe, në aspektin morfologjik, nuk është aq e përshtatshme si ajo e Moravë-Vardarit, që të çon deri në Selanik. Prej Kosovës, duke shkuar drejt detit në perëndim, nga 200-300 m duhet të ngjitemi në qafat e atij ujëndarësi që i ndan ujërat e lumit të Sitnicës dhe Drinit. Më tej, terreni përreth Drinit dhe Matit është i valëzuar, edhe pse me lartësi jo të madhe. Nëse do të dëshmohej si më e volitshme që hekurudha të shkojë jo përmes luginës së Drinit, por të kalohej nga pellgu i Drinit në atë të Matit, do të duhej të kapërcehej qafa malore e lartë vetëm 945 m ndërmjet Drinit dhe lumit Fan, i cili është degë e Matit.

Prandaj, për hekurudhën Danub-Adriatik janë më të rëndësishme luginat e Drinit dhe Matit. Edhe sikur të ndërtohej hekurudha, e cila nga Serbia do të shkonte deri në portin malazez të Tivarit, ajo do të duhej të ndërtohej vetëm nëpër luginën e Drinit. Hekurudhat e tjera, të cilat do të shkonin në veri të saj, kuptohet vetëm për Tivar, duhet të kalojnë vargjet malore dinarike, të larta edhe mbi 2.000 m. Të ndërtuara me shumë vështirësi, ato më tepër do të ishin turistike sesa ekonomike. Përveç kësaj, këto hekurudha nuk shkojnë nga pjesa qendrore e Serbisë, por nga pjesët perëndimore dhe periferike të saj, që nënkupton edhe nevojën për rindërtimin dhe riorientimin e tërë rrjetit hekurudhor deri tani të ndërtuar kah pjesa perëndimore e Serbisë; thjesht, edhe nëse do të ishin të realizueshme, për Serbinë ato nuk do të ishin me interes të posaçëm. Tekefundit, mund të mendohet edhe për trasenë hekurudhore, e cila nga bashkimi i Drinit të Bardhë me atë të Zi do të shkonte nëpër luginën e Drinit të Zi deri te Liqeni i Ohrit, pastaj përmes tunelit nëpër qafën malore të lartë 1.096 m deri të lugina e Shkumbinit, e pastaj përmes Elbasanit deri në Durrës. Kjo hekurudhë do të ishte shumë e gjatë dhe e kushtueshme, ndërsa përmes saj nuk do të zgjidhej problemi kryesor për një lidhje më të shkurtër hekurudhore nga Danubi deri në Detin Adriatik. Për këtë arsye hekurudha e vërtetë nga Serbia, pa marrë parasysh situatën jo të pakomplikuar në harkun e Shëngjinit, duhet të kalojë nëpër luginën e bashkuar të Drinit dhe Matit.

Nga trasetë hekurudhore, në të cilat është punuar para Luftës, më duken më të volitshme ato të inxhinierit gjerman O. de Kapp de Gulstein dhe atij çek Jovan Jiraçek, i cili ishte i punësuar në shërbimin serb. Traseja e tyre është thuajse e njëjtë dhe shkon nëpër luginën e Llapit, pastaj nëpër luginën e Drenicës, te qafa 700 m e lartë e Arllatit. Pastaj del tek vendi Radostë në lindje të Gjakovës, lëshohet ngadalë në luginën e Drinit të Bardhë dhe prej këtu traseja ngjitet në kuotën 500, e cila është nja 40 km në perëndim të Gjakovës, për t’u lëshuar gradualisht në luginën e Valbonës. Pas saj traseja shkon nëpër luginën e Drinit, deri te Buna në Shkodër, në lagunën e Vilunit (Velipojë) ose në Shëngjin.

Traseja tjetër, sikurse e para, do të shkonte deri në Gjakova, mirëpo në perëndim të saj nuk do të shkonte nëpër luginën e Drinit, por përmes tunelit do të kalonte nën qafën malore në kuotën 945 m dhe do të futej nga lugina e Drinit në atë të Fanit, pastaj nëpër Mat deri në bregdet, prej ku do të përfundonte në Durrës, Shëngjin ose edhe Tivar.

Traseja e fundit i ka anët shumë të mira, mirëpo inxhinierët kanë qenë më tepër për trasenë e parë. Hekurudha e Drinit, sipas trasesë së parë nga Mërdari e deri në lagunën e Vilunit, do të ishte e gjatë 247 km dhe do të kishte ngritje maksimale prej 15 promilëve.

Është interesant të përmendet se inxhinieri austriak Karl Steinmetz (Von der Adria zum Schwarzen Drin. Zur Kunde der Balkanhalbinsel, Sarajevo, 1908, f. 25), pas udhëtimeve me plotë vështirësi dhe hulumtimeve, konstatoi se Qafa Murs (rreth 800 m. lartësi absolute) në veri e veri-perëndim të Dibrës paraqet qafën më të ulët përgjatë tërë vargut malor që e ndanë Drinin e Zi dhe Liqenin e Ohrit nga bregdeti Adriatik. Duhet t’i kushtohet kujdes sidomos kësaj qafe malore nëpër të cilën mundet më së lehti të ndërtohet hekurudha prej Dibre deri në bregdetin Adriatik.

Porti i Shëngjinit dhe i Durrësit

Bregdeti shqiptar, të cilin e ka marrë Serbia dhe Mali i Zi, tash për tash nuk ka rëndësi të posaçme. Ky është një bregdet harkor përgjatë të cilit nuk ka gjire të thella: kepet pranë-detare përbëhen nga shkëmbinjtë e fortë, siç është ai i Rodonit dhe i Kodrës së Durrësit, kurse ndërmjet tyre është bregdeti i futur me anë konkave të harkut dhe me shumë depozitime. Për shkak të kënetave dhe lagunave ai është mjaft malarik. Në atë pjesë, të cilën e ka marrë ushtria serbe, ka vetëm një gji më të mirë dhe ky është Gjiri i Durrësit. Edhe pse është i ngarkuar me depozitime ranore dhe prandaj është i thellë vetëm 6-10 m, ai është i ekspozuar ndaj erërave jugore dhe jugperëndimore dhe aty mund të ngrihet një port i mirë tregtar, edhe pse – thënë të vërtetën – me shumë vështirësi. I ndodhur në veri të Gjirit të Durrësit dhe i ndarë nga ai vetëm me mbulesën e ngushtë ranore, ai ka një lagunë të gjerë e cila është e mbrojtur mirë nga erërat dhe mund të shndërrohet në port. Në rastin më të keq porti mund të ngrihet edhe në veri të Kepit të Rodonit, përgjatë asaj pjese harkore të bregdetit. Edhe Gjiri i Shëngjinit, të cilin e kanë marrë malazezët, është i mbushur me rërë dhe do të vazhdojë të mbushet nga prurjet e ngurta të Drinit dhe Bunës; është pak i mbrojtur, mbrapa është moçalor, por duket se thellësia është diçka më e përshtatshme se në Gjirin e Durrësit. Sipas mendimit të disa ekspertëve, përmes punëve të mëdha teknike, të cilat do të përfshinin edhe Bunën dhe kënetën e Shkodrës, do të mund të bëheshin portet dhe instalimet e tjera përcjellëse detare. I është kushtuar kujdes edhe lagunës së Vilunit në veriperëndim, prej Shëngjinit, e cila është 700 m larg bregdetit, e thellë 12 m, e mbrojtur dhe shumë e volitshme për port.

Pasqyra historiko-etnografike

Ashtu sikur që Shqipëria Veriore përbën një tërësi gjeografike me Serbinë e Vjetër, po ashtu edhe në apektin historik ajo ka qenë shpesh dhe e lidhur ngusht me të. Në fillet e mesjetës në këto hapësira është formuar shteti serb i Zetës, i cili përfshinte pjesën më të madhe të Shqipërisë së sotme veriore. Selia e saj ishte Shkodra. Më vonë, kur forcohet shteti serb, qendra e të cilit ishte në rrethinën e Novi Pazarit të sotëm, ajo duke qenë nën pushtimin e sundimtarëve të dinastisë së Nemanjiqve (shek. XII deri XIV) e merr bregdetin shqiptar edhe në jug të Shkodrës. Në veçanti që nga atëherë në perëndim të Prizrenit, nëpër trevën e Pilotit, e cila që nga viti 1190 ka qenë nën sundimin serb, është bërë e rëndësishme rruga e përmendur tregtare e Zetës, e cila nga Prizreni ka shpjerë në Shkodër dhe Lezhë. Më pastaj, për një kohë të gjatë deri te invazioni turk, në pjesën më të madhe të Shqipërisë Veriore ka sunduar dinastia e Balshajve. Në rrethinën e Shkodrës deri sot kanë mbijetuar gërmadhat e kështjellave dhe fortifikimeve mesjetare serbe si Danj, Svaç etj. Janë të shumta gërmadhat e kishave, shumica e tyre katolike, të cilat i kanë ndërtuar mbretërit serbë dhe në veçanti mbretëreshat serbe me prejardhje europiano-perëndimore: Ana nga Mleti, gruaja e Stefan Përvovençanit, i kurorëzuari i parë dhe francezja Jelena, gruaja e Uroshit të Parë. Rrafshinat pranëdetare shqiptare, në veçanti ajo e Zadrimës dhe e Bunës kanë qenë dendur të banuara, të kultivuara dhe të lulëzuara. Bregdeti Adriatik, prej Dubrovnikut deri në Durrës, ishte një bregdet tregtar dhe kulturor i Serbisë mesjetare. Qytezat bregdetare kishin autonomi të plotë: “Ato ikishin territoret e tyre të definuara qartë, në veçanti rregullativat ligjore dhe statutet, zgjedhjen e lirë të gjykatësve dhe funksionarëve të cilët ndërroheshin për çdo vit” (K. Jireček: Staat und Gesellschaft im mittelalterischen Serbien, Denkschr. D.k. Ak. d. Wiss. in Wien LVI, 1912, 60).

Derisa Shqipëria e sotme veriore dhe bregdeti i saj ishin pjesë e Serbisë, pjesa më e madhe e Shqipërisë së Mesme dhe Jugore me Vlorën, deri në invazionin turk, sikurse edhe Epiri dhe Akarnanija, ishin serbe vetëm gjatë kohës së ekspansionit më të madh shtetëror, nën sundimin e Car Stefan Dushanit. Nga ajo që u tha më lart, lë të kuptohet se synimet e Serbisë ndaj bregdetit shqiptar janë të arsyeshme dhe të kushtëzuara jo vetëm gjeografikisht, por kanë edhe një traditë të gjatë historike.

Rruga e Zetës, karavanet mesjetare dhe ataviste

Në mesjetë nga bregdeti shqiptar disa rrugë karvanesh shkonin në drejtim të brendësisë së Gadishullit Ballkanik, si për shembull nga Dubrovniku, Kotorri dhe Tivari. Për trevat e Kosovës, Dukagjinit dhe Shkupit rruga e përmendur e Zetës kishte rëndësi më të madhe. Përmes kësaj rruge janë eksportuar në perëndim veçanërisht disa rrugë karvanesh prodhimet blegtorale dhe xehetare, kurse në Serbi janë importuar prodhimet nga qarqet kulturore europiano-perëndimore. Si në eksport, ashtu edhe në import, më së tepërmi kanë marrë pjesë italianët, sidomos mletasit, pastaj dubrovnikasit dhe qytezat tjera bregdetare dalmatinase. Në përmasa më të vogla tregtia është bërë edhe me Bizantin, ndërsa Selaniku nuk kishte atëherë ndonjë rëndësi të madhe për Serbinë.

Rruga e Zetës e ka ruajtuar rëndësinë tregtare edhe pas invadimit turk, sidomos për trevat në veri të malit Sharr. Viset në jug të malit Sharr e kanë shfrytëzuar Via Egnatian e vjetër dhe Durrësin si port tregtar, por kanë tregtuar edhe edhe me qytezat jugore, më tepër me Selanikun, Voskopojën dhe Serezin. Edhe përkundër pasigurisë dhe barbarive gjithnjë e më të mëdha, ndikimet e bregdetit Adriatik vëreheshin deri në gjysmën e shekullit XIX thellë në brendësi të Gadishullit Ballkanik. Mjeku nga Praga J. Műller (Albanien, Rumelien und die osterreischisch-montenegrinische Grenze, Prag, 1844), i cili në fillim të shek. XIX një kohë të gjatë ishte në shërbimin turk, thotë se nga Italia, përmes Shkodrës, importohen shumë prodhime nga Kosova dhe Dukagjini, kurse eksportohen prodhimet e bagëtisë. Madje edhe nga Serbia Perëndimore, në veçanti nga qarku i Uzhices, tyxharët e bagëtisë në fillim të shek. XIX e kanë eksportuar bagëtinë nëpërmjet porteve në Adriatik. Uzhice ishte qendra më e rëndësishme tregtare për tregtinë bregdetare dhe, pas Beogradit, ishte qyteti më i banuar i Serbisë. Si një qytet të bukur, të pasur dhe përparimtar, Uzhicen e ka përshkruar edhe Evlija Çelebiu në gjysmën e dytë të shek. XVII (Dr. Jovan Radonić, Putovanje Evlije Čelebije po srpskim i hrvatskim zemljama, XXX Godišnjica Nikole Čupića, f. 271). Ajo ka qenë e tillë qysh në vitin 1829 kur e ka vizituar dhe saktë e ka përshkruar O. Pirh I (Otto v. Pirch, Reisen in Serbien im Spatherbst 1829, II. Theil, f 61, Berlin, 1830). Sipas tij, rryma tregtare veriore i ka përfshirë edhe edhe këto vise dhe Uzhica nga ajo kohë fillon ta humbë rëndësinë e saj. Në Prizren dhe Pejë kam njohur tregtarë, të cilët vitet e fundit aty-këtu i kanë dërguar karvanet me bagëti dhe prodhime të tjera në Shkodër. Ata kanë ditur t’i përdorin momentet e përshtatshme atëherë kur udhëheqësit plaçkitës shqiptarë nuk e mbyllnin rrugën e Zetës dhe kur zbehej dëshira për plaçkitje të karvaneve. Kështu fillojnë të paraqiten përsëri shprehitë e vjetra të karvaneve, të cilat nuk janë të pranishme në rrethanat e reja. Kështu mund të shpjegohen përcjelljet e karvaneve të kohës më të re, të cilat ndoshta edhe për këtë arsye mund t’i quajmë ataviste. Vetëm në dekadat e fundit të shek. XIX, pasi ishte ndërtuar hekurudha Mitrovicë-Shkup-Selanik, është ndryshuar pothuajse tërësisht drejtimi tregtar dhe eksporti e importi janë orientuar kryesisht kah jugu, përmes Selanikut, me çka trevat e Kosovës, Dukagjinit dhe Shkupit futen në sferën e ndikimit tregtar të Selanikut.

Proceset asimiluese serbo-shqiptare

Shqipëria Veriore bën pjesë në grupin e atyre vendeve të Gadishullit Ballkanik ku janë zhvilluar procese të konsiderueshme asimiluese, sidomos ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Në mesjetë në këtë trevë ka jetuar popullsia e përzier serbo-shqiptare dhe ka të ngjarë që shqiptarët kanë jetuar në male, kurse serbët ishin me numër më të madh në viset fushore. Shqiptarët, në atë kohë, ishin nënshtruar ndaj procesit të fuqishëm të serbizimit. Është konstatuar se familjet e mëdha shqiptare, si vasalë të mbretërve serbë, kanë folur dhe shkruar serbisht. Në fund të shek. XIII fillon shpërngulja e shqiptarëve veriorë në jug, në Epir dhe Thesali, kurse ky proces intensifikohet në shek. XIV, sidomos me pushtimet e Car Dushanit (Jireček, vepra e cit., f. 25). Trevat e zbrazura me shumë gjasë i kanë populluar serbët.

E kundërta nga konstatimi i mësipërm ndodhë gjatë periudhës së sundimit turk kur zhvillohen këto procese: Përgjatë tërë linjës ku janë kufizuar shqiptarët dhe sllavët në Maqedoni dhe Serbi të Vjetër fillon depërtimi i shqiptarëve drejt lindjes dhe në këtë mënyrë edhe zhvendosja më kah lindja e kufirit etnografik ndërmjet sllavëve dhe shqiptarëve (Antropogeografski problemi Balkanskog Poluostrva, Naselja Srpskih Zemalja I., f. 204). Nëpërmjet këtyre depërtimeve drejt lindjes, shqiptarët e disa trevave janë larguar nga kufiri i tyre i vjetër etnografik edhe deri në 200 km dhe si oaza të vogla ose të mëdha kanë hyrë në mesin e popullsisë serbe. Më tepër janë nëpër Dukagjin, Kosovë dhe në Malin e Zi të Shkupit, aty ku depërtimi i tyre ka qenë i lehtësuar për shkak të shpërnguljeve të serbëve. Por, shqiptarët në masë të njëjtë e kanë kaluar kufirin e tyre etnografik, i cili ndodhej në ujëndarësin në perëndim të Liqenit të Ohrit dhe në formë të oazave janë shtrirë ndërmjet sllavëve maqedonas përreth Resnjes, Manastirit, ndërsa në afërsi të Velesit depërtojnë deri të bregu perëndimor i Vardarit.

Më pastaj, në të gjitha trevat ku serbët dhe shqiptarët kanë jetuar të përzier ka ndodhur shpërngulja e serbëve dhe shqiptarizimi i atyre që mbesin. Ja po japim disa shembuj për serbët në Shqipërinë Veriore dhe të Mesme, të cilat janë të rëndësishëm për trajtimin e kësaj çështjeje. Në trevën Opari në jug të Elbasanit qysh në shek. XIV kanë jetuar serbë, të cilët i njohuri Jovan Musaq i quan sllavë: ”il paese d’Opari ch’e habita de Schiavoni” (Charles Hopf: Chroniques grecoromanes, Belin, 1873, f. 280). Meqë ishte e vështirë të vizitohen këto treva të Shqipërisë, nuk kam mundur deri tash të kuptoj nëse ka edhe sot serbë në Opari. Para dhjetë viteve e kam kuptuar se në kufirin jugor të Serbisë, në Pçinjën Veriore, te fshati Stajevc, ka serbë të ardhur, të cilët i quajnë ”basanovci” dhe thonë se janë me prejardhje nga rrethina e Elbasanit. Kjo dukej thuajse e pabesueshme. Mirëpo, gjatë kësaj lufte, kur ushtria serbe e merr Elbasanin, një komit (sekretar i gjyqit të kasacionit) raporton një shënim në gazeta se kanë hasur pesë familje serbe në jug të Elbasanit dhe që ata fshatarë serbë i kanë shërbyer si udhërrëfyes dhe përkthyes. Para 7-8 viteve më ka njoftuar edhe i ndjeri nga Zeta J. Majiq, se në fshatin Kastrat të Kamenicës dominojnë serbët ortodoksë, të cilët flasin serbishten e dialektit të Zetës. Edhe pse ky fshat nuk është larg nga kufiri malazez, malazezët nuk kishin ditur gjë për ata serbë dhe ishin befasuar kur i kishin takuar në Kamenicë, “ku për çudi ishte ruajtur gjuha serbe dhe bashkë me të edhe ortodoksia (raportimi i Sava Vuletiqit në gazetën “Populli” të Sarajevës, nr. 245, viti 1912). Dhe, në fakt, malazezët kishin hasur në mesin e malësorëve ndonjë serb të shqiptarizuar, i cili ende fliste serbisht, disa me mbiemrin Popoviq. Në krahinën e Sreckës te Prizreni, në fshatin Drajçiq ka 21 shtëpi të të ardhurve serbë shumë të vjetër nga rrethina e Shkodrës (Osnove za geografiju i geologiju Stare Srbije i Makedonije, libri III, f. 1109). Të ardhur të njëjtë ka edhe në Levçe në Serbi, pastaj në Podrimjen e Epërme te Pecka dhe ata quhen shkodranë etj. J. Műller (vepra e përmendur, f. 84) ka gjetur fshatrat serbe Vlasna dhe Sulki ndërmjet Shkodrës dhe Prizrenit, “në rrugën e karvaneve”. Han-i (Albanesischen Studien, ff. 212-2013) i përmend edhe disa mbetje të popullsisë fshatare joshqiptare të Shqipërisë Veriore. Lezhan-i qysh në gjysmën e shek. XIX i ka gjetur oazat e popullsisë serbe në Shqipërinë e Mesme, tek Novosella afër Beratit, te grykëderdhja e Erzenit afër Durrësit etj., të cilat edhe i ka paraqitur në hartën e tij etnografike. Gjeografi dhe inxhinieri Bijankoni, i cili ka qenë një kohë të gjatë në shërbimin turk, thotë se kah mesi i shek. XIX në trevën e Shkodrës ka patur rreth 70.000 serbë. Degrand, Gopçeviq dhe të tjerët përmendin pakicat serbe, edhe për mua të njohura të Shkodrës dhe Durrësit, pastaj të tjerat në Tiranë dhe Krujë, ku serbët me vllahët dhe grekët u takojnë komunave të përbashkëta kishtare. Më tutje në lindje, në rrethinën e Gjakovës, ka ndërmjet shqiptarëve aty-këtu serbë, të cilët kanë filluar ta bartin veshëmbathjen shqiptare dhe t’i praktikojnë zakonet dhe gjuhën, kurse serbisht flasin vetëm kur janë në shtëpi. Kjo mund të zbulohet vetëm rastësisht, ashtu siç më ndodhi mua (Osnove za geografiju i geologiju Stare Srbije i Makedonije, libri III, f. 1162). Ata i pranojnë të gjitha simbolet e jashtme shqiptare, edhe gjuhën poashtu, për të qenë të mbrojtur dhe për të lëvizur lirshëm. Një përshtatje e tillë është e ngjashme me mimikrinë në botën shtazore. (vijon)