` . Asimetria regjionale në prag të zgjedhjeve lokale! - TV-SHENJA

Asimetria regjionale në prag të zgjedhjeve lokale!

Po deshët pak më praktikisht, ata të moshave tona e më të vjetrit edhe më shumë, ju kujtohet se bile edhe në ish Jugosllavi, ekzistonin politika dhe instrumente federale, regjionale dhe lokale. Ishte Fondi federativ për zhvillim të barabartë regjional që përmes të ashtuquajtur diskriminim pozitiv dhe asimetrik, të përafrohen dallimet e mëdha regjionale në zhvillim, nga Trigllavi e deri në Gjevgjeli

Shkruan: Abdylmenaf Bexheti

Zhvillimi ekonomik lokal është koncept i kahmotshëm edhe pse këtë temë, në kushtet tona e aktualizojmë vetëm në prag dhe përgjatë fushatës për zgjedhje lokale. Në shtetet e zhvilluara dhe posaçërisht ato me përmasa më të mëdha gjeografike, para së gjithash zhvillimi regjional si edhe ai lokal, kanë kuptim shumë më real. Prej andej edhe rrjedhë termi “glokal”-gërshetim i globales me lokalen. Globalizmi nënkupton qasjen apo të menduarit global me veprim lokal. P.sh. në Gjermani, Francë, Rusi, ShBA, Kanada, Australi dhe gjithandej nëpër shtetet me territor të madh ka shumë kuptim diferencimi i politikave ekonomike nacionale (shtetërore) nga ato regjionale dhe lokale. Jo rastësisht janë sfera dhe fusha të veçanta edhe në studime, analiza dhe trajtime. Edhe në një shtet si Gjermania p.sh. Vestfalia Veriore dallon nga ajo Jugore apo Kalifornia nga Indiana, në ShBA. Si politikat e zhvillimit ekonomik lokal po ashtu edhe instrumentet, mekanizmat dhe masat janë krejtësisht më efikase. Esenca qëndron në distancën nga problemet jetike-te rrafshi lokal kjo distancë është shumë më e vogël dhe intensitetit i përgjegjësisë është në përpjesëtim të zhdrejtë me vet distancën. Pa e kuptuar këtë, asnjë pretendent s’do mund të bëjë ndryshime pozitive.

Po deshët pak më praktikisht, ata të moshave tona e më të vjetrit edhe më shumë, ju kujtohet se bile edhe në ish Jugosllavi, ekzistonin politika dhe instrumente federale, regjionale dhe lokale. Ishte Fondi federativ për zhvillim të barabartë regjional që përmes të ashtuquajtur diskriminim pozitiv dhe asimetrik, të përafrohen dallimet e mëdha regjionale në zhvillim, nga Trigllavi e deri në Gjevgjeli. Përmes këtij instrumenti, gjatë viteve 60-ta të shekullit kaluar, u zhvillua industria në Maqedoni, Kosovë, B&H, Mal të Zi dhe Serbi Jugore. Ideologjia komuniste dhe theksi antishqiptar këto tendenca dhe instrumente i përdori për motive politike. Përndryshe ky model, i përcjell edhe me të ashtuquajturin decentralizim efikas, industrializoi dhe lulëzoi në vitet e shtatëdhjeta këto vise. Këtij modeli edhe sot e kësaj dite i referohen për sukses shumë studiues Perëndimor (shih më gjerë-Profesori gjerman Gunter Hendkamp, ekspert i qeverisjes lo­kale pranë Këshillit të Europës apo studiuesi i njohur i viteve 80-ta, Robert Çember).

Hipoteza bazë e këtij shtjellimi (e njohur edhe në teorinë e zhvillimit ekonomik) është se në vendet me përmasa më të mëdha territoriale, nevoja për masa dhe mekanizma të zhvillimit regjional është përpjesëtimisht më e madhe se në vendet me përmasa të vogla. Antiteza e kësaj hipoteze do ishte se, edhe në vendet me përmasa të vogla territoriale, si Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Shqipëria, ku dukshëm ekziston asimetri regjionale dhe lokale në zhvillim, nevojiten masa dhe impulse asimetrike për të përafruar zhvillimin ekonomik regjional dhe lokal. Kjo është pikërisht specifike për rastin e Maqedonisë, edhe për arsye etnike, nga tetë regjionet statistikore në Maqedoni, jo rastësisht dy më të pazhvilluarat janë ai i Pollogut dhe ai Verior, pra nga Likova e deri në Dibër! Kjo e dëshmueshme dhe tejdukshme edhe në statistikat zyrtare të vendit, si me pjesëmarrje më të ulët në PBB-në po ashtu edhe në intensitetin e ndryshimit (indeksi i rritjes). Ndoshta krejtësisht ndryshe perceptohet dhe duket në sjelljen e shqiptarëve si “klasë konsumatore” që fiton jashtë e shpenzon këtu por studiuesit e ekonomisë dhe ata që dinë t’i lexojnë shifrat e zhvillimit ekonomik, sipërfaqësisht e vërejnë këtë.

Statistikat ekonomike të zhvillimit ekonomik regjional dhe lokal dëshmojnë për diskrepancë të dukshme të zhvillimit të pabarabartë regjional në Maqedoni. Jo se regjionet tjera, përveç Shkupit, janë kushedi sa më të zhvilluara, jo që në ato regjione rrjedhë “mjaltë e qumësht” por megjithatë industrializimi është më i lartë, infrastruktura ekonomike më e zhvilluar, shkollat dhe spitalet shumë më të rregulluara dhe pajisura,…e të mos flasim për infrastrukturën lokale! A ka argument më të fuqishëm se fakti që vetëm në Likovë, Tetovë, Gostivar e Strugë, kemi deponi që digjen dhe helmojnë qytetarët dhe në asnjë qytezë tjetër nuk është gjendja kaq tragjike! A ka ndonjë vendbanim afër Bullgarisë apo Greqisë ku fëmijët/nxënësit shtetas të Maqedonisë shkojnë në shkollat përtej kufirit në Kosovë, siç ndodhë me regjionin e Bllacës, ku tash e sa dekada nuk mund të ndërtohet një klasë e shkollës fillore kurse arsimin e mesëm e kemi të detyrueshëm. Po shkolla e Klukovecit, si në shekullin e 18-të! A duhen akoma argumente tjera për diskriminimin ekonomik të shqiptarëve në Maqedoni. Vetëm militantët e verbuar dhe injorant që janë servilë të pushtetarëve, akoma postojnë lëvdata nëpër Facebook për arritjet e tyre.

Zhvillimi ekonomik i barabartë me theks të veçantë është pjesë e platformës “së Tiranës” që me shumë trumbetim gjoja e inkorporuan në Programin qeveritar përmes instrumentit për zhvillim të barabartë regjional me detyrim për 1% të PBB-së, që shkon rreth 100 milion Euro në vit! Deri tani, por edhe me rebalancin e fundit të buxhetit të kësaj qeverie ky destinim mbeti me rreth 30 herë më pak-me vetëm 3,5 milion euro buxhet në vit! Platforma “e Tiranës” e sanksionon qartë nevojën dhe prioritetin e këtij përcaktimi. Gjoja u zotua edhe mandatari dhe sapo u bë qeveria doli interpretimi “alkimist” i “binjakëve” Angjushev-Zaev se me 1%-shin kanë kalkuluar edhe gjitha Fondet dhe transferimet anësore që bëhen për projekte të ministrive, nga ajo e Transportit, Bujqësisë, Qeverisjes lokale,…dhe agjencive qendrore. Ligji aktual për zhvillim regjional nuk nënkupton këtë, përndryshe pse do duheshe të sanksionohet, se në instance të fundit gjitha Fondet publike nuk “avullohen” (edhe pse pjesërisht përvetësohen) në qendër-pa dyshim që “tokëzohen” në rrafshe regjionale dhe lokale. Por ideja e ligjit dhe përcaktimit është si “lek specialis” me instrument special të ngushtojë hendekun e zhvillimit të pabarabartë regjional dhe lokal. Edhe analizat tona shkencore për ndarjen e fondeve qendrore kah moti kanë dëshmuar për diskrepancën dhe hilen e ndarjes së pabarabartë të fondeve qendrore andaj kërkojmë instrument efikas dhe të drejtë, që si përcaktim u bë (deklarativisht) në të ashtuquajtura “Platforma e Tiranës”. Në të kundërtën, pse kishim nevojë për këtë?!

Tani, sërish në këto zgjedhje lokale do dëgjojmë premtime, përkushtime dhe demagogji për zhvillim lokal. Për korrektësi dhe të mos tingëllojmë nihilist, e aq më pak prejudikim për anim partiak, duhet nënvizuar se ka edhe prej atyre që janë munduar dhe goxha kanë punuar. Kjo bile te komunat “rurale” që kanë shumë më pak resurse dhe qasje në fonde se sa ato urbane. Ky është një fenomen paradoksal që duhet studiuar edhe shkencërisht. Për transparencë, po përmendi vetëm disa komuna periferike të Tetovës si Zhelina, Bogovina apo Bërvenica që kanë realizua infrastrukture shumë më të mire se vetë qendra e Tetovës. Kanë bë rrugë, trotuare, kanalizime dhe shumëçka që ne të “pjesës urbane” ua kemi lakmi.

Studimi për zhvillimin ekonomik lokal të Tetovës, mbeti në sirtar dhe biblioteka si projekt i përpunuar që para 10 viteve nga Fakultetit i biznesit dhe ekonomisë pranë UEJL-it e i financuar nga USAID dhe Universiteti. Drejtori i i atëhershëm i USAID, gjatë promovimit do shprehet se një projekti të tillë do t’ia kishte lakmi edhe një komunë “amerikane”  por që asokohe njësinë e zhvillimit ekonomik lokal të Tetovës e udhëhiqte një gjuhëtar! Po sikur edhe gjuhën shqipe në përdorim lokal (dyqane) ta kishte zhvilluar më pak material metaforik do kishte për “Hallkit” që me shumë humor e inteligjencë gjuajnë këto boshllëqe!

Çfarë duhet bërë për t’u përmirësuar gjendja? Me gjithë që shumëçka do përsërisim, kjo është normale përderisa nuk realizohet. Mësimi më i mirë se çka dhe si duhet bërë është përsëritja.

E para, nuk filloj nga Strategjia, se s’ka kush e lexon e aq më pak kush e zbaton. Do të mbetet në sirtarë si ato më parë! Njëherë e përgjithmonë duhet të çlirohen nga “kapja e komunës” prej atyre që ua bllokojnë llogaritë me fatura e kontrata fiktive dhe më pas u imponohen si “shpëtimtar” dhe shantazhues të punëve publike. Ka të atillë që fitojnë duke paditur komunën dhe “taksimetri” i kamatave, bile pa punuar fare! Këtë e din gjithkush “afër” por edhe disa larg rrethit vendimbërës në komunat ekzistuese (kuptohet jo të gjitha). Kjo bëhet lehtë, mjafton të keni vullnet dhe guxim, se dija dhe ekspertiza edhe mund të “blihet” pothuaj pa “para” krahasimisht me kostot që gjeneron ky fenomen.

E dyta, projektet kapitale të përcaktohen që në “100 ditshin” e parë dhe pa kërkim provizioni/korrupsioni. Nëse bëhet puna e hajrit, peshqeshi do vijë vetvetiu! Gati dy dekada mbetëm pa projekt të menaxhimit të mbetjeve komunale dhe industriale për shkak të kërkimit të paradhënieve të ryshfetit. E dinë këtë gjithë kryetarët paraprak, e jo vetëm, bile edhe vet na kanë rrëfyer! Modeli duhet të konvertohet nga sistemi i pagesës së qytetarëve në sistemin e pagesës nga prodhuesit (ata që i shkaktojnë dhe fitojnë nga prodhimet e veta, si Kokakola, Birraria, Argeta,…). Por për këtë duhet të demontohet fabrika e larjeve të parave si “Makpaku” p.sh.! E dinë këtë gjithë pushtetarët! Qytetarët helmohen ndërkohë që pushtetarët pasurohen.

E treta, të menaxhojnë buxhetin, fondet dhe resurset publike siç menaxhojnë portofolion e tyre familjare dhe personale. A nuk vërehet se me sa ëndje lëshohen edhe postet e deputetëve dhe bile ato ministrore (dhe zëvendëskryeministrore) për pozitat e qeverisjeve lokale. Funksionon logjika “më mire i pari i fshatit se sa i fundit i qytetit”! Apo këto tentativa janë pastër për motive partiake dhe interesa të përgjithshme?

E katërta, decentralizimi fiskal duhet të vazhdojë duke maksimizuar dhe utilizuar së pari të “drejtën e tatimimit maksimal” në rrafsh lokal e pastaj në rritjen dhe balancimin e sistemit të TVSH-së, gjithnjë edhe sipas burimit (sistemi RAM-Resource Allocation Model). Krahas kësaj partneriteti publiko-privat i çdo resursi publik mbi bazë të matjeve vjetore të performancës. Më mire të përfitohet edhe më pak se fare (sepse jepet gratis për përfitim kundërligjor personal).

E pesta, konsolidimi i strukturës së të punësuarve-më mirë tepricat të lëshohen me kompensime teknologjike se sa të parazitohen për motive ditore dhe politike. Kjo posaçërisht te komunat shqiptare. Së paku 50% ka më shumë të “punësuar” p.sh. komuna e Tetovës krahasimsiht me atë të Manastirit. Aftësimi, trajnimi permanent dhe matja e performancës duhet të jenë fondament i pagesës dhe shpërblimit. Konvertimi i servilitetit në sistem merite do të ndihmojë shumë. Disiplina në punë do kthejë dinjitetin e nëpunësit publik. Por ama s’mundet i/e pari/a i/e komunës të vijë në punë në ora 10 e të shkojë në ora 14!

E gjashta, faktoi njeri është çelësi i suksesit, gjithmonë, gjithkund dhe te gjithsecili! Krejt tjerat vijnë pas. Një mik me eksperiencë të madhe jetësore dikur më pat thënë-në parim gjithë njerëzit janë të mirë, disa (fatkeqësisht tani shumica) vetëm shprehitë (tabiatet) i kanë të këqija! E sikur të përzgjidhen me më pak “tabiate” të këqija. Por “tabiatet” kushtojnë dhe paguhen mirë. I jepet vendimi i përjetshëm për dy apo tre mijë Euro!

Të mos vazhdojmë me faktorët tjerë. Për këtë mandat do mjaftojnë vetëm këto objektiva.

Me të drejt dikush edhe nga miqtë e mijë të respektuar më thonë, pse nuk kandidohesh por vetëm “kritikon”? Në vitin 2011, në një sfidim të njëjtë nga lideri i partisë më të madhe shqiptare, pranova angazhimin për regjistrimin e popullsisë, apriori duke ia bë me dije se nëse gjërat nuk do shkojnë sipas standardeve normale, do ta bllokoj procesin! Dhe e bëra. Asokohe përplot vetëdije personale, por nga kjo distancë kohore, bile edhe ata që më angazhuan e pranojnë që mirë kam vepruar. Po a nuk kishte disa emra të vetë ofruar si alternative kandidimi (të mos përmendi emra të përveçëm), bile disa edhe për respekt, dhe kush ua varri veshin?!  Ja pse nuk kandidohem. Ka kohë që pazari (bursa) i politikës ka ra shumë poshtë! Zaten profesioni im është të bëj pikërisht këtë që bëj. Zoti na ndihmoftë por pa i ndihmuar vetes edhe Zoti del i “pafuqishëm”!

Postime të Ngjajshme