` . Artistët jetojnë shkurt, por nuk vdesin kurrë - TV-SHENJA

Artistët jetojnë shkurt, por nuk vdesin kurrë

Vepra e artistit është fryt i nevojës së thellë që lind vetëm atëherë kur të jetë pjekur brenda tij; ajo nuk krijohet sipas afateve, sipas porosive; nuk bëhet për hir të publikut, por për hir të vetë artistit, andaj nuk ka çmim, ajo dhurohet. Pra, kjo është vepra e vërtetë artistike, krijim i artistit të madh, me mendje, ndjeshmëri dhe imagjinatë të madhe, me shpirt dhe talent të madh, me ndërgjegje të plotë.

Shkruan: Bekim RAMADANI, Tetovë

Jo rrallë dëgjojmë se artistët e vërtetë, qofshin poetë, muziktarë, piktorë ose skulptorë jetojnë shkurt, por pas vetes lënë gjurmë të pashlyeshme. Gjithashtu, nga burime të ndryshme kuptojmë se jeta e tyre është e vështirë, e ngjeshur, dinamike, përplot aktivitete, se ata njerëzimit ia dhurojnë mendjen e kulluar, djersën e peshuar dhe shpirtin e paqmë. Sa e sa herë kemi qenë dëshmitarë të leksioneve, promovimeve, ekspozitave, koncerteve, mbrëmjeve poetike dhe ngjarjeve të tjera kulturore ku, mes tjerash, është thënë se filan artisti ka qenë fëmijë i çuditshëm, se tjetri ka bërë kryevepra, se i treti ka bërë të pamundshmen, se i katërti ka qenë gjeni, se i pesti ka jetuar në mjerim…, se artistët e denjë ose të mëdhenj të artit e kanë paguar famën e tyre përmes jetës së shkurtër, duke u endur nga sonata në suitë, nga simfonia në operë, nga poezia në fabul, nga tregimi në roman, nga fotografia në pikturë, nga aktrimi në balet… Të preokupuar tërësisht nga arti i tyre, artistët gjatë jetës nuk kanë bërë gjë tjetër, përpos veprave të rëndësishme, të përsosura, madhështore, përpos kryeveprave të papërsëritshme. Ata, si duket, nuk e kanë matur jetën përmes numrit të frymëmarrjeve, por përmes numrit të ngjarjeve që të lënë pa frymë. Nevoja e njeriut për kënaqësitë e përkohshme, përkundër rrezikut të përhershëm, si duket është më e theksuar pikërisht në natyrën e artistit, tek ai i cili, ngjashëm sikur krimineli, frikohet të mos burgoset, sepse ka nevojë për lirinë më shumë se kushdo tjetër, nevojë të domosdoshme për ta bërë “krimin” e radhës.

Artistët e vërtetë asnjëherë nuk bien në pajtim me botën e rëndomtë. Ata janë të ndjeshëm dhe preken nga gjithçka që ndodh rreth tyre. Të frymëzuar nga atmosfera e hapësirës ku jetojnë, nga ngjyrat, zërat, emocionet, nga rrethanat dhe njerëzit, artistët futen në botën e tyre, sepse arti është më i durueshëm sesa jeta. Artistët e interpretojnë botën më ndryshe nga njerëzit e tjerë. Ata reflektojnë ide dhe pikëpamje të reja, vendosin parime dhe rregulla për një liri më të madhe, për një të ardhme më të ndritur. Ata përpiqen të sjellin dritë në thellësinë e zemrës së njeriut.

Vepra e artistit është fryt i nevojës së thellë që lind vetëm atëherë kur të jetë pjekur brenda tij; ajo nuk krijohet sipas afateve, sipas porosive; nuk bëhet për hir të publikut, por për hir të vetë artistit, andaj nuk ka çmim, ajo dhurohet. Pra, kjo është vepra e vërtetë artistike, krijim i artistit të madh, me mendje, ndjeshmëri dhe imagjinatë të madhe, me shpirt dhe talent të madh, me ndërgjegje të plotë. Kjo është puna e njeriut që vazhdimisht ec rrugës nga inspirimi në transformim, sepse “artisti nuk kënaqet me horizontin, ai kërkon pafundësinë” thoshte Laozi. Shumë të drejtë ka pasur edhe Luis Buñ kur thoshte: “Gjithnjë e më tepër kam përshtypjen se arti është ndonjë shkencë e përkryer. Atë që nuk mund ta arrijë shkencëtari, do ta vërejë artisti”. Njeriu artist përpiqet të krijojë rend brenda realitetit kaotik, sepse fantazia e tij është realitet më i bukur se realiteti i rëndomtë. Gjatë këtij tentimi, sado që të jetë i vetmuar, artisti ka fuqi të mjaftueshme për vullnet dhe vullnet të mjaftueshëm për t’u kundërvënë edhe ndaj diktaturave më të rrepta, përkundër ndëshkimeve, dënimeve dhe torturave të egra. Ai nuk i përket shtresës shoqërore që është e plogësht, as turmës që manipulohet kollaj, as grupeve të paedukuara dhe të paorganizuara. “Më mirë të jetosh një ditë si luan sesa një mijë vjet si dele” thotë një fjalë e urtë popullore. Artisti i vërtetë është gjithnjë revolucionar, progresiv, vizionar. Ai, duke e pikturuar errësirën, e paraqet, në fakt, dritën; duke pikturuar vdekjen, e shfaq vet jetën. Përmes muzikës së kompozuar, ai përpiqet që te dëgjuesi të sjellë paqe në mes egos dhe vetëdijes. Ai edhe kur shkruan për zogun, lulen, gurin, diellin, … e paraqet njeriun, atë qenie të çuditshme që për mijëra vjet me radhë në pronën e vet kultivon dashuri, mëri, xhelozi, përtaci, hipokrizi, mirësi e shumë të tjera veçori. Artisti i vërtetë është ai që emocionin dhe imagjinatën e vet e shndërron, pa asnjë lloj interesi, në nota muzikore, që i shkruan në letër, në formën që e gdhend në gur, në lëvizjet që i bën në skenë, në tekstin që e lexon para publikut, duke provokuar ndjenja krenarie, gëzimi, trishtimi, përmallimi… ose atmosferë optimizmi ose pesimizmi. Artisti i madh nuk e krijon atë që shikon e që dëgjon, por atë që do të shihet dhe që do të dëgjohet. “Ka piktorë të cilët e shndërrojnë Diellin në njollë të verdhë, por ka edhe të tillë të cilët, falë artit dhe mendjes së tyre, njollën e verdhë e shndërrojnë në Diell”, thoshte Pablo Picasso, ndërkaq Friedrich Nietzsche shkruante se “artistët nuk duhet të shikojnë asgjë ashtu siç është, por duhet të shikojnë çdo gjë në mënyrë më të plotë, më të thjeshtë, më të fortë; për këtë është e nevojshme që ata të kenë në jetë një rini dhe një pranverë, një lloj dehje të zakonshme”. Pikërisht kjo “dehje e përhershme” i bën ata që të hasin në rezistencë jo vetëm të pushtetit e të puthadorëve të tyre, por edhe të atyre që vetë thirren artistë. Nuk mund të quhet artist ai i cili në emër të artit bën mashtrimin, abuzimin, krimin, veprimin e pandershëm, ai që me “veprat e veta” bën tregti. Vepra artistike nuk bëhet hesap me para, ajo është e pallogaritshme, ajo ka të tjera kritere vlerësimi e llogaritjeje. Artist nuk mund të quhet sahanlëpirësi, ai që ulet në prehrin e sunduesit, ai që vesh petkun e çdo partie politike, ai që nuk ka as edhe një fije morali. Artistët e tillë janë të vdekur për gjatë tërë jetës. Artisti është jopolitik, është rebel me zemër të madhe, siç thoshte Tolstoi i madh, “ndër të parët që vëren se kënaqësia e të pasurit ndërtohet mbi lotët e të varfrit”. Artisti i madh e ka më të lehtë të vdesë se sa të ballafaqohet me dredhinë, xhelozinë, padrejtësinë, injorancën, hipokrizinë… “Përbuzja ime ndaj shpirtligësisë dhe marrëzisë njerëzore, mëria ime ndaj rreptësisë së tyre shtazarake nuk ka kufij. Pandërprerë flas për vdekjen: Kur do të vish? Çka pret?…” shkruante Hector Berliozi, ndërkaq Johannes Brahmsi mu para vdekjes e kompozoi preludin koral me titull “O botë, më duhet të arratisem“. Dhe, pikërisht këto janë arsyet që fati personal i përditshëm i shumë artistëve është kaq i pakëndshëm dhe madje tragjik, madje kjo jo vetëm për shkak të rrjedhjes fatale të rrethanave, por për shkak edhe të natyrës së tyre të ndjeshme, njerëzore, për shkak të shpirtit të tyre artistik.

Jeta e artistëve është e shkurtër, por gjurmët e tyre shkëlqejnë në pafundësi. Të mëdhenjtë e artit janë pjesë e pandashme e jetëve tona. Jeta jonë do të ishte e pakuptimtë pa veprat e tyre. Ne frymojmë vetëm falë artit të tyre.