` . Arsimimi dhe “pornografia” - TV-SHENJA

Arsimimi dhe “pornografia”

“Vërtet, para Kiametit do të vijnë ditë, në të cilat do të zbresë dhe do të përhapet mosdija, ndërsa do të ngrihet dija”. (Hadith)

Shkruan: Ismail BARDHI, Shkup

Arsimi, në përgjithësi, dhe ai universitar, në veçanti, është një çështje shumë serioze, por për arsye se ne me çështjet serioze nuk merremi seriozisht, atëherë i lejoj vetes që, duke u “mbështetur” mbi thashethemet tona kur flasim mbi arsimin, ta filloj kësisoj: para nja njëzet vitesh një vajzë e re i publikoi dy përmbledhje me poezi, por pastaj iu largua “poezisë”, gjegjësisht botimit të poezive të saj. Kur e pyeta se cila është arsyeja që nuk merresh më me poezi, përgjigjja e saj ishte: “Ç’më duhet një gjë e tillë kur ne jemi në atë derexhe që dikush shet dy thasë me speca dhe boton libër”. Tmerr! Një rast tjetër është ai i kohëve më të fundit, i një gazetareje të mençur, të urtë, Elsa Demo, e cila pushohet nga puna vetëm për arsye se programi i saj kulturor nuk ka pasur shikueshmëri të mjaftueshme. Habia më e madhe është se të gjithë heshtën rreth kësaj, përpos Adi Krastës, i cili në mënyrë të përkryer e “publikoi” këtë tragjedi që i ndodh kulturës te ne. Ishte ky një shembull që fton për ndërgjegjësim dhe ne të njëjtën kohë tregon se rrezikshmëria e keqpërdorimit të kulturës është bërë forcë mbisunduese në mesin tonë.

Atëherë, ç’të themi për themelimin e universiteteve, në të cilat me vite të tëra nuk është ditur se ku mbahen dhe si mbahen ligjëratat, si paguhen mësimdhënësit, e deri te kulmi i gjithë kësaj kur me një vendim vendoset “të krijohet” universitet pa profesorë, pa studentë?! A nuk është edhe ky një paradoks?!? Po ashtu, ç’të themi për rastet e intervenimeve, diplomave të zbrazëta, mënyrës së pranimit të studentëve, vetëm me qëllim që fakultetet të ekzistojnë ekonomikisht, pra të kenë numra?! Po e them me gjysmë-zëri se nuk dua ta prek temën a ekziston apo jo ryshfeti, por e them me plot bindje se kemi profesorë të profesionalizuar që kanë tema të gatshme për kandidatët për magjistraturë dhe doktoratë. A nuk është kjo e ngjashme me mendësinë që e mbyll programin e kulturës vetëm për arsye se nuk ka shikueshmëri të mjaftueshme!? Edhe te ne shkollat, universitetet, kanë shikueshmëri; sot mund të gjeni doktor shkencash që shet këpucë; mjekun që merret me qebaptore; filozofin me ordinancë mjekësore; qebapçiun në ministri… A nuk është kjo një lloj “pornografie”?

Kërkoj ndjesë për një hyrje të këtillë, megjithëse ka shumë e shumë gjëra për të thënë dhe për t’i shoshitur, por prapë duhet ta them atë që dihet botërisht: se arsimi është vërtet çështje shumë serioze (ndaj kërkoj ndjesë për termin e përdorur më sipër); serioziteti i tij kuptohet vetëm atëherë kur ne i largohemi mendësisë ekzistuese për shkollimin. Përndryshe, të gjitha analizat, propozimet e shkrimet do të jenë të kota. Sidoqoftë, rreth gjithë kësaj po i përsëris përsiatjet e mia tashmë të njohura.

I.

Çështja e arsimit sipëror te shqiptarët gjithsesi është një çështje e ndërlikuar, si për vet shqiptarët, ashtu edhe për të tjerët, dhe, si e tillë, tashmë është bërë e njohur në botën bashkëkohore. Në pajtim me këtë edhe përgjigjja ndaj saj është sfidë intelektuale e rendit më të lartë, por jo vetëm për “letrarët”. Meqë kaherë është zhdukur fuqia e individit për zgjidhjen e rrethanave të tilla të ndërlikuara, duket se studimi i të përgjithshmeve, edhe si kornizë edhe si proces, është skena e vetme mbi të cilën mund të zgjidhet enigma e kalimit nga hutimi i tashëm shqiptar drejt ardhmërisë më të mirë. Mirëpo, a është gjendja e tashme e arsimit universitar shqiptar sadopak në harmoni me këtë? A ka në to kapacitete për njohjen e problemit, për modelimin e tij, si dhe për hapjen e procesit të avancimit përmes ndërlidhjes me realitetin kulturor, ekonomik dhe politik të hapësirës sonë?

Roli themelor i universitetit është që t’u mundësojë studentëve të mësojnë nga trashëgimia kulturore e tyre, e cila u ndihmon t’i kuptojnë aftësitë intelektuale të tyre dhe i inkurajon ata të bëhen të njerëzishëm dhe të përgjegjshëm. Universiteti e zgjeron dijen në spektrin e gjerë të sferave të ndryshme. Ai është i nevojshëm për të menduarit dhe modelimin e qasjes ndaj problemeve shoqërore dhe zgjidhjes së tyre. Universiteti ndihmon që gjeni i popullit të largohet nga nënshtrimi ndaj çdokujt, dhe nga krijimi i miteve të dyshimta dhe të rrejshme.

II.

Universitetet evropiane e trashëguan ndryshimin, i cili në këtë kontinent ngjau në fillim të mijëvjeçarit të dytë. Është kjo përafërsisht koha e ndryshimit të mbisundimit botëror të arsimimit islam me marrjen evropiane të nismës dhe themelimin e asaj që sot e kemi si globalizim të vlerave perëndimore. Edhe këtu ndryshimi ndodh me dobësimin dhe perëndimin, nga njëra anë, si dhe me zgjimin dhe forcimin, nga ana tjetër. Në rrënjët e zgjimit janë gjallëria që rrjedh nga sinqeriteti dhe nxitja e fuqive të pranimit përmes dialogut dhe përkthimit.

Asokohe suazat e studimeve teologjike nëpër katedrale dhe manastire u bënë tepër të ngushta për diturinë e kërkuar nga trupi teologjik. Përgjigjet e thjeshta për horizontin e zgjeruar të botës nuk mjaftonin. Vetëm kuadri i universitetit mundësonte unitet dinamik të çiltërsisë dhe autonomisë së njëkohshme. Shkollat dhe qendrat e vogla arsimore bëhen farë zhvillimore e trungut të sotëm të rendit botëror. Zanafilla e tyre në mesin tonë e ka origjinën përafërsisht kur në histori njihen përmendjet e para të kuptueshme të veçantisë shtetërore dhe kulturore shqiptare. Mirëpo, as në ato rrethana të lashta, e as në ato që vijuan pas tyre – të cilat i shënojnë medresetë e para të asaj kohe në hapësirat shqiptare – në këtë vend, deri në kohën e tashme, vështirë se janë krijuar shkolla të cilat do të ishin të ndërlidhura dhe të përshtatura me rrjedhat evropiane të arsimit dhe kërkimit.

Të gjitha universitetet shqiptare i trashëgojnë rrethanat e kohës në të cilën janë krijuar. Nuk duhet harruar se ajo ishte koha e pranisë së mbisundimit të ideologjisë. Përmes skenës së atij shekulli kalonin ngritjet dhe rëniet e të katër formave themelore ideologjike: konservatorizmi, socializmi, nacionalizmi dhe liberalizmi. Të gjitha ato i përshkon besimi në aftësinë e unësisë autonome dhe arsyes së ndarë. Mirëpo, ajo që sot në skenën intelektuale e bën postmodernizmi, bashkë me praninë e re të traditës në riformimin e identitetit bashkëkohor, në thelb i ndryshon shumë nga modelet e zakonshme iluministe në atë sferë. Kthimi i pakuptueshëm, i ngutshëm dhe i papritur kah religjioni në kohën para ndërrimit të mijëvjeçarëve, u bë njëra nga çështjet më sfiduese intelektuale edhe te shqiptarët.

Edhe pse universitetet shqiptare në themelin e tyre kanë besim të plotë në scientizëm, historicizëm dhe fuqinë e ideologjisë, për shkak të mbisundimit të plotë të komunizmit në kohën e themelimit të shumicës prej tyre, ato “kurrë” nuk kanë qenë të aftësuara për matje të gjallë dhe të hapur të parimeve të ndryshme ideologjike. Që nga fillimi i vet ato universitete nuk e pranuan përmbajtjen themelore të “paradigmës shqiptare”. Në themelimin e tyre pothuajse tërësisht janë përjashtuar edhe teologjia edhe tradita, si përmbajtje të gjalla të kulturës shqiptare. As tradita intelektuale e krishterë e as ajo islame nuk gjetën vend në konceptualizimin e rolit të universiteteve shqiptare. Ato për ta ishin vetëm fenomene historike, të cilat do të kishin kuptim vetëm si lëndë studimi, kështu që ndaj tyre silleshin si ndaj kufomave, edhe pse si atëherë ashtu edhe tani fjala është për një përmbajtje dhe rrjedhë të gjallë dhe të rëndësishme të tërësisë shqiptare. Aty duhen kërkuar arsyet e mosnjohjes së rolit të mundshëm të traditave të gjalla në ruajtjen dhe zhvillimin e besueshmërisë, si parakusht i kohezionit shoqëror pa të cilin as trungu i zhvillimit të thjeshtë ekonomik nuk është i mundshëm.

III

Përvoja universitare në Evropë tregon se dukuri e përgjithshme në shekullin e njëzetë ishte shtimi i numrit të nxënësve dhe studentëve në të gjitha nivelet. Arsimimi i nivelit të dytë – shkollat e mesme dhe kolegjet – bëhet i përgjithshëm. Forcohet vetëdija për rëndësinë e arsimimit të lartë. Universitetet ndryshojnë nga institucione përzgjedhëse, në më të hapura. Shihet pajtueshmëria për ndërlidhjen e mirëqenies materiale dhe pranisë efektive të përmbajtjeve universitare. Nga kjo rrjedh mbështetja mbi zhvillimin e mësimeve teknike dhe teknologjike.

Përmbajtja e arsimimit të lartë në hapësirat tona është vendosur burimisht, mirëpo jashtë dhe në kundërshtim, madje edhe me atë parakushtin më të vjetër universitar të autonomisë: “nuk mund të predikohet ateizmi dhe herezia”. Baza ideologjike e universiteteve shqiptare ishin ateizmi dhe antiteizmi, kështu që të gjitha format e intelektualitetit tradicional merreshin me thjeshtësime dhe shëmtime karikaturale. Gjendja e tillë do të mund të paraqitej në mënyrë figurative edhe kështu: shumë forma të sjelljeve amorale dhe të dëmshme për shoqërinë ishin pengesë më e vogël për përfshirjen në përmbajtjen universitare sesa ndërlidhja tradicionale dhe përkushtimi religjioz në kuptimin më të përpiktë. Vazhdimi i gjendjes së tillë e mbron izolacionizmin.

Vështirësia kryesore është fakti që askush nuk mund të dijë se si do të jetë ardhmëria, për të cilën njerëzit duhet të përgatiten; është e sigurt se do të jetë thelbësisht e ndryshme nga ajo që e kemi sot. Ndryshimet do të përshpejtohen. Prandaj përshtatja, në fakt, është kërkesa më kryesore që vendoset para pjesëmarrësve dhe ndërtuesve të tyre. Sinqeriteti dhe gatishmëria për ato ndryshime do të thotë pjesëmarrje e përkushtuar në to.

Synimet e cekura prodhojnë edhe një sërë vështirësish. Arsimimi është i shtrenjtë: ai kërkon mjete të konsiderueshme dhe njerëz të aftësuar. Si do të artikulohet arsimimi i shkallës së dytë dhe të tretë? Cilat lloje të shkollave dhe kolegjeve janë të nevojshme? Cilat janë mënyrat më të mira të zgjedhjes së nxënësve dhe studentëve të niveleve të ndryshme? Si të përparohet rezultati efektiv me zvogëlimin e harxhimeve?

Pyetjet e parashtruara janë vetëm shembuj të vështirësive me të cilat duhet të merret çdo përbërje e gjallë arsimore. Angazhimi për zgjidhjen e tyre e karakterizon pjesën më të madhe të debatit intelektual viteve të fundit të shekullit të njëzetë dhe fillimit të atij të njëzetenjë. Gjetja e përgjigjeve do të varet nga ndryshimet në mjedisin intelektual dhe kulturor të kësaj kohe. Shkenca akoma ka mbizotërim të jashtëzakonshëm. Mbisundojnë e, madje, edhe triumfojnë pozitivizmi, pragmatizmi, si dhe relativizmi shoqëror, kulturor dhe moral.

IV.

Pyetjet e përgjithshme të shënuara të mëdyshjeve universitare e përshkojnë tërësinë e dramës shoqërore dhe shtetërore shqiptare. Sfidat e politikës, ekonomisë dhe kulturës duhet të barten në të gjitha nivelet e arsimimit. Stereotipat mbizotërues të krijuar nga fodullëku ideologjik nuk mund të ndryshojnë asgjë nga ajo që, në të kundërtën, do të shkatërrohet. Përulësia dhe nënshtrimi epistemik para madhështisë së injorancës mbizotëruese janë fillimi i vetëm i atij ndryshimi nga rrethanat e padurueshme në hapësirat tona drejt ardhmërisë më të mirë. Ndërkaq, për fat të keq, universitetet tona shërbejnë më shumë si kështjella të azilit dhe tutorisë për uzurpuesit e fshehur politikisht dhe ideologjikisht dhe të nënshtruar ndaj mburrjes oligarkike sesa si hapësira për riformimin e vetëdijes dhe diturisë, si dhe të shkathtësive për nxitjen dhe udhëheqjen e ndryshimeve të bazuara mbi to. Ç’do të thotë “pranimi” i universitetit, emërimi/shkarkimi i rektorëve, por edhe i profesorëve?!? Vetëm kështu mund të shpjegohet përse vazhdohet me mëdyshjen e njëjtë dhe me maska të tjera retorike, por pa ndryshim thelbësor në mendimin për politikën, ekonominë dhe kulturën.

Universitetet tona do të vazhdojnë të ballafaqohen me këto dhe me shumë sfida të tjera derisa të mos kthehet respekti ndaj intelektualit, të mos cenohen siguria dhe dinjiteti i tij, e sidomos derisa “e jona” e arritur me vështirësi të mos bëhet më tërheqëse se “e huaja” e fituar me lehtësi, që historikisht ka bërë që “mençuria” të marrë dynjanë e të tjerët të mbeten. Këtu po e përmend një thënie që nëpër shtëpitë e edukuara me fe ose ato aristokrate fetare shpeshherë kemi mundur ta shohim të varur në mur: “Grada e diturisë është ndër gradat më të larta”.

Postime të Ngjajshme