` . Arrestohet një shqiptar për krime kibernetike në SHBA – TV-SHENJA

Arrestohet një shqiptar për krime kibernetike në SHBA

Autoritetet policore në Shqipëri njoftuan se kanë arrestuar 25 vjeçarin nga Fieri Aldo Ymeraj, i dyshuar si pjesë një rrjeti të krimit kibernetik që drejtonte një skemë të sofistikuar që lehtësonte blerjen dhe shitjen e numrave të Sigurimeve Shoqërore, ditëlindjet dhe fjalëkalimet që ishin vjedhur nga e gjithë bota.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Shtetet e Bashkuara, të cilat javën e shkuar ndërmorën një operacion për arrestimin e 36 personave ndaj të cilëve Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se ka ngritur akuza për krijimin e një skeme të mashtrimeve kibernetike dhe vjedhjeje identiteti që ka shkaktuar më shumë se 530 milionë dollarë humbje për konsumatorët, bizneset dhe institucionet financiare.

Nga 36 personat ndaj të cilëve u ngrit padi, 13 janë arrestuar në Shtetet e Bashkuara, Australi, Britani, Francë, Itali, Serbi dhe Kosovë, ku përfunduan në pranga Besart Hoxha 25 vjeçar që vepronte me nofkën “Pizza” dhe Liridon Musliu 26 vjeçar, që vepronte me nofkat “Ccstore”, “Bowl” dhe “Hulk”.

Në akuzë thuhet se grupi punonte nën moton ” In Fraud We Trust” (Në mashtrim besojmë – një lojë fjalësh me mbishkrimin në bankënotat e dollarit amerikan In God We trust) dhe ishte krijuar në vitin 2010 nga Svyatoslav Bondarenko, një 34 vjeçar nga Ukraina. Autoritetet amerikane thanë se pjesa më e madhe e anëtarëve të grupit nuk ishin takuar kurrë mes tyre ndërsa e njihnin njëri tjetrin me nofkat në internet.