` . Arian Ademi, fituesi moral i padrejtësisë me doping - TV-SHENJA

Arian Ademi, fituesi moral i padrejtësisë me doping

Shkruan: Faton ZYLBEHARI

Jeta sjell sprova nga më të ndryshmet dhe dallimi i njerëzve të suksesshëm qëndron në aftësinë për t’u përballur dhe për t’u ngritur lartë edhe në situata kur gjërat duken të papërmirësueshme. Janë njerëz që nuk njohin dorëzimin përballë sfidave nga më të vështirat dhe madje arrijnë të ngriten edhe atëherë kur nga tjerët shihen me syrin e mëshirës dhe dyshimit. Arian Ademi është heroi i padiskutueshëm i momentit jo vetëm në botën e futbollit, por edhe jetës së përditshme. I pezulluar padrejtësisht me katër vite pasi rezultoi pozitiv në testet e dopingut në vitin 2015, shqiptari nga Piroku që luan me Dinamon e Zagrebit është rrikthyer në derë të madhe në futbollin ndërkombëtar, fillimisht duke realizuar gol të bukur pas vetëm 5 minutave në fitoren 4:0 të Maqedonisë kundër Lihtenshtajnit, ndërsa më pas me paraqitje shumë pozitive edhe te Dinamo në Kroaci ku vlerësohet me nota të larta nga analistët dhe mediat. Gjithë kjo ka bërë që mesfushori 26 vjeçar të ndjejë lehtësim të madh pas gjithë “ferrit” të përjetuar padrejtësisht dy vitet e kaluara.

Plotë dy vite Arian Ademi priti momentin kur sërish do të vraponte në terren. Kur mori pezullim 4 vjeçar shkaku i dopingut, pas çka pasoi luftë e ashpër gjyqësore me UEFA-në, as që kishte mundur ta paramendonte se në terren do të kthehej pikërisht me fanellën e Maqedonisë, për të cilën vendosi të luajë pasi kishte kaluar gjithë kategoritë e reja të Kroacisë dhe tre herë ishte paraqitur me seniorët në ndeshje jo zyrtare por që ndryshoi përfaqësuesen pasi në 2014 seleksionuesi i atëhershëm kroat Niko Kovaç, nuk e përfshiu në listën e futbollistëve për Kampionatin Botëror. Seleksionuesi i Maqedonisë, Igor Angellovski, vendosi ta inkuadrojë në lojë Ademin në minutën e 63-të në vend të kapitenit Goran Pandev, ndërsa pas vetëm 5 minutave lojë mesfushori do të prodhonte një solo aksion perfekt të kurorëzuar me gol në rrjetën e Lihtenshtajnit në ndeshjen e zhvilluar më 9 tetor 2017 në Strumicë. Moment i veçantë që gjithmonë do mbetet në mendjen e tij, rrikthim si në përralla!

“Ky për mua është vërtet moment shumë i veçantë, jam shumë i emocionuar. Nuk kam qenë fajtor për atë që më ka ndodhur. Rrikthimin dhe golin e kam festuar me lotë”u shpreh me shumë sinqeritet pas ndeshjes Maqedoni-Lihtenshtajn mesfushori Arian Ademi, i cili nuk mund të ndalte lotët e gëzimit para se të vijojë: “Dua të falënderoj seleksionuesin që besoi tek unë dhe që më bëri ftesë edhe përkundër faktit se nuk kam luajtur një kohë të gjatë. E falënderoj kapitenin Pandev dhe gjithë bashkëlojtarët që më pritën me zemër të hapur. Faleminderit gjithë opinionit sportiv në Maqedoni dhe tifozëve në Strumicë. Kjo ka vlerë të madhe për mua, momente shumë të veçanta Të jem i sinqertë nuk kam pritur kjo të ndodh që në ndeshjen time të parë dhe për vetëm disa minuta të shënoj gol. Si çdo sportist, dua të jem në terren, tepër dua ta luaj këtë lojë. Pas gjithë asaj që kam kaluar, kur u inkuadrova në lojë kundër Lihtenshtajnit fillova të vrapoj në të gjitha anët, sikur isha lëshuar nga zinxhirët. Në fillim ndoshta u humba pak, mirëpo më vonë mendoj se morra veten dhe luajta ashtu si duhej.

Në fakt seleksionuesi Agellovski kishte planifikuar të rikthente Ademin kundër Italisë në Torino më 6-të tetor, mirëpo pezullimi i skadonte vetëm disa orë më vonë, më 7 tetor. Gjithsesi sfida me Lihtenshtajnin rezultoi e përkryer për rikthimin në derë të madhe të një lojtari me klas që përveç tjerash dëshmoi se ka aftësinë të kalojë edhe këtë sfidë të rëndë që i mori padrejtësisht dy vite të karrierës së tij, pikërisht në momentet kur dukej në kulmin e formës së tij dhe kur në adresë të tij arrinin oferta nga klube të njohura nga Anglia.

Atëherë 24 vjeçar me plane dhe ambicie të mëdha, për Ademin gjithçka u shemb me një vendim nga Nyoni. Vendim i sjellë pas lojës së mrekullueshme të Ademit dhe një prej fitoreve më të mëdha të Dinamo Zagrebit në dekadën e fundit, 1:0 kundër Arsenalit në takimin e parë të grupit në Ligën e Kampionëve. Pas ndeshjes së zhvilluar më 16 shtator 2015, Ademi ishte nënshtruar kontrollit të dopingut, që më vonë do të rezultonte pozitiv dhe si pasojë Komisioni Disiplinor i UEFA-së solli vendim për pezullim të tij 4 vjeçar. Në analizat e Ademit ishte gjetur substanca e ndaluar stanozolol, mirëpo e njëjta nuk është konsumuar direkt dhe në trupin e futbollistit ishte gjetur rastësisht pasi ka qenë e kontaminuar në një medikament të lejuar që mesfushori e kishte përdorur për rikuperimin e një dëmtimi. Pretendimet për pafajësi të Ademit hasën në vesh të shurdhër nga autoritetet e UEFA-së, që me mijëra raste tjera para “hundëve” vendosën të tregojnë forcë te shqiptari, duke i ndalur për një moment jetën futbollistike.

Ademi u gjet në situatë pa zgjidhje, 24 vjeçar që duhej të mos merret me futboll as në liga amatore deri në moshën 28 vjeçare në momente e bënin të mendojë edhe të braktis përfundimisht futbollin, gjithnjë i ndikuar nga nënçmimi i padrejtë që i bëhej për një gjë që se kishte bërë. “Nuk mund të luftosh përballë një rivali që përdor doping”, është fjalia e trajnerit të Arsenalit, Arsen Venger që brente në kokën e Ademit e që e fuste në një agoni të madhe për të dyshuar te secili, deri te më të afërmit e miqtë. Venger kështu kërkonte të nxirret nga turpi i humbjes së Arsenalit të tij, e që francezit në një mënyrë i është bërë barrë në kokë nga mungesa e trofeve viteve të fundit. Por kjo godiste Ademin që i kishte menduar të gjitha, madje edhe ndërprerjen e karrierës. Në mëngjes zgjohej në depresion se gjithë kjo luftë e padrejtë nuk ka kuptim dhe se ndoshta më mirë të tërhiqej. Mirëpo realiteti është i tillë që Ademi është sportist dhe sportistët e kanë të vështirë të distancohen nga stërvitjet e përditshme që praktikisht e mbajnë njeriun në jetë. Ademi ndeshjen e tij të fundit me fanellën e Dinamo Zagrebit e kishte zhvilluar me 3 tetor të vitit 2015 kundër Inter Zapreshiq. Futbollisti shqiptarë në atë ndeshje u inkuadrua në lojë si zëvendësim në minutën e 64-të, ndërsa vetëm disa ditë më vonë ai mori lajmin shokues. Gjatë kohëzgjatjes së pezullimit, Ademit nuk i ishte lejuar të merret fare me ndonjë aktivitet sportiv me Dinamon, duke i pamundësuar atij edhe stërvitjen me ekipin e parë. Mirëpo për të mbajtur formën e tij, Ademi stërvitej në mënyrë individuale, duke lozur edhe futboll në palestër. Pas pezullimit, Dinamo, Ademi dhe avokatët e tij, tre herë kishin dërguar mostër nga tabletat e diskutueshme për analizë dhe që në të tria rastet laboratorët kishin konfirmuar se mostra është e kontaminuar dhe se Ademi nuk është fajtor. Pas gjithë kësaj, Dinamo po shpresonte që Ademi do lirohej nga këto akuza dhe se menjëherë do të fillojë me stërvitje, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi. Në maj të vitit 2016 UEFA sërish konfirmoi vendimin fillestar, duke bërë që Dinamo Zagrebi të dërgojë ankesë deri te CAS, gjykatë kjo e cila pas ekspertizave të reja vendosi që t’ia ul dënimin futbollistit shqiptarë. Vendimi i Gjykatës pritej të ndodh që në tetorin e vitit të kaluar, por e njëjta u shty për disa herë.

Pas gjithë vështirësive në mars të 2017 do të vinte lajmi pozitiv, kur Gjykata Sportive e Arbitrazhit në Lozanë (CAS) vendosi të reduktojë në dy vite pezullimin fillestar prej katër vitesh sa kishte urdhëruar Komisionin disiplinor i UEFA-s. “CAS redukton pezullimin katër vjeçar në dy vite, duke e llogaritur nga 7 tetor 2015. Testet e dopingut ndaj Arijan Ademit më 16 shtator 2015 rezultuan pozitive në substancën e ndaluar stanozolol. Lojtari kërkoi anulimin e vendimit të UEFA-së duke u bazuar se ka konsumuar barna të lejuar pas lëndimit dhe në të njëjtin ka qenë e kontaminuar substanca e ndaluar. CAS ka marrë parasysh situatën e veçantë në këtë rast. Edhe pse lojtari dëshmoi se nuk ka konsumuar qëllimisht mjete të palejuara, nuk mund të pajtohemi me anulimin e plotë të dënimit. Në vend të kësaj, është vendosur që e njëjta pjesërisht të pranohet. Në bazë të kësaj, dënimi reduktohet nga katër në dy vite, duke u llogaritur nga 7 tetori i 2015”, thuhej në vendimin e CAS-it për uljen e pezullimit ndaj Ademit.

Pjesërisht por e mjaftueshme për një fillim të ri dhe shfaqje të dritës në fund të tunelit për Ademin, që u shfaq shumë entuziast me faktin që fitoi një betejë të rëndësishme drejt rikthimit të plotë.

“Psikikisht do të jem shumë i fortë, pasi që kjo që kam kaluar më ka forcuar. Jam në gjendje të mirë fizike, luaj tenis dhe futboll të vogël. Vrapoj rregullisht, mirëpo kjo nuk është njëjtë si puna me skuadër. Duke njohur veten, kokën dhe karakterin tim, do të kem nevojë për pak kohë për tu kthyer. Do të më mjaftojnë dy muaj kur do të mund të ushtroj me skuadrën”, u shpreh Ademi në mars 2017 menjëherë pasi mësoi se ankthit të tij i vinte fundi. I sfiduar me padrejtësi dhe pa fajin e tij, UEFA u tregua e ashpër kur shqiptoi pezullim maksimal prej katër viteve dhe tani kur kjo ka kaluar Ademi kujton momentin që mësoi rezultatet e testeve të dopingut. “Kjo ka qenë periudha më e vështirë në jetën time. Kur mora ftesë se kam rezultuar pozitiv në testet e dopingut kam mbetur në shok. Nuk e mendoja si do ia dal pa futboll. Futbolli është jeta ime, jetoj për futbollin, por kjo ra në plan të dytë. E vetmja gjë që doja ishte të dëshmoj se jam i pafajshëm”, shprehej Ademi, duke falënderuar në fund gjithë ata që kanë mbështetur në periudhën e kaluar, familjen, miqtë, tifozët e Dinamos dhe më shumë skuadrën kroate që në asnjë moment nuk ndali mbështetjen për kapitenin: “Më së shumti falënderoj Dinamon, që më mundësoi gjithçka, më shpëtuan dhe e dinin se jam i pafajshëm. Klubi luftoi bashkë me mua, ndërsa kishin mundësi të ndërpresin kontratën time në çdo moment. Por nuk e bënë këtë dhe kjo flet për madhështinë e njerëzve këtu”. Dinamo e besoi, e mbështeti dhe e priti, duke besuar te ky djalosh i artë, i cili tani duket i determinuar gjithë këtë ta rikthejë aty ku din më së miri, në terren. Sinjalet e para i dha në sfidat me Osiekun dhe Hajdukun e Splitit, kur inkuadrimi i tij në lojë ngriti nivelin e Dinamos. Tani pritet të rikthehet titullar dhe të vazhdojë rrugën e suksesit kulmor që iu ndal padrejtësisht dy vite më parë.

Postime të Ngjajshme