` . Ardhmëri me pikëpyetje: Maqedonia dhe shpërngulja e trurit - TV-SHENJA

Ardhmëri me pikëpyetje: Maqedonia dhe shpërngulja e trurit

Kriza tranzicionale politike dhe ekonomike në RM me vete kanë prurë edhe krizë gjithëpërfshirëse, e cila është pasqyruar te të gjitha shtresat dhe grupimet sociale, në veçanti te popullata rinore, e cila nuk e ndjehet e sigurt për ardhmërinë e vet.

Sipas statistikave të Eurostat-it, nga viti 1998 deri në vitin 2011 nga Maqedonia kanë emigruar 230 mijë persona apo 10 % e popullatës. Në vitin 2013 Eurostat publikoi se në Maqedoni 304.000 të rinj janë të papunë, ose rreth 54 % e tyre.

Shkruan: Ali Pajaziti

Republika e Maqedonisë është një vend i vogël ballkanik që po përjeton një periudhë të gjatë tranzicioni, gjatë së cilës pjesa më e madhe e popullsisë është bërë më e varfër (shtresa e mesme u shndërrua në shtresë të varfër apo të ulët), ndërkohë që papunësia, lëndueshmëria dhe përjashtimi shoqëror janë plagë sociale, ndërsa kënaqësia e jetës është një ëndërr. Paqëndrueshmëria e rajonit si rezultat i “procesit të ballkanizimit” dhe situata që krijon një klimë të pafavorshme për investime kanë kontribuar në rritjen e paqëndrueshmërisë shoqërore. Korrupsioni është një problem tjetër serioz që pengon zhvillimin e natyrshëm dhe afrimin e vendit drejt strukturave euroatlantike. Një pjesë e kanë quajtur tranzicionin e Maqedonisë si një tranzicion me “defekt fabrike”.

Maqedonia ballafaqohet me papunësi të lartë (35%), me mosmarrëveshje me fqinjët, me antikuizimin, me çështjen e kishës me Serbinë, me çështjen e gjuhës me Bullgarinë, me marrëdhënie të prishura ndëretnike (mes maqedonasve dhe shqiptarëve), një kapitull që u mendua se u mbyll me konfliktin ndëretnik të vitit 2001 dhe Marrëveshjen Kornizë, e cila nënkuptonte ndryshime kushtetuese në favor të bashkësive dhe grupeve etnike jomaqedonase, e që gjithsesi nuk ia doli të sjellë paqen përfundimtare. Vendi po jeton nga viti 2006 e këtej nën turbullirat e nacionalizmit shtetëror maqedonas, që duket se u përmbyll me zgjedhjet e 11 dhjetorit 2016 dhe në veçanti ato të 15 tetorit 2017, kur opozita e deridjeshme deklasoi VMRO-DPMNE-ne, me çka duket se hapet një kaptinë e re në qeniesimin e Maqedonisë. Megjithatë, të gjithë indikatorët flasin se duhet punuar shumë për të kaluar në një fazë tejkrizologjike.

Kriza tranzicionale politike dhe ekonomike në RM me vete kanë prurë edhe krizë gjithëpërfshirëse, e cila është pasqyruar te të gjitha shtresat dhe grupimet sociale, në veçanti te popullata rinore, e cila nuk e ndjehet e sigurt për ardhmërinë e vet.

Sipas statistikave të Eurostat-it, nga viti 1998 deri në vitin 2011 nga Maqedonia kanë emigruar 230 mijë persona apo 10 % e popullatës. Në vitin 2013 Eurostat publikoi se në Maqedoni 304.000 të rinj janë të papunë, ose rreth 54 % e tyre.

Banka Botërore publikoi një raport, sipas të cilit deri në vitin 2010 anekënd botës nga Maqedonia janë shpërngulur 447.000 qytetarë, pra 20% e popullatës. Këto të dhëna Maqedoninë e vënë në vendin e 23-të në kuadër të grupit të vendeve me më shumë emigrantë, në shoqërim të Gazës, Granadës, Samoas. Sipas Këshillit Rinor Kombëtar, përqindja e të rinjve që vazhdimisht ose përkohësisht kanë emigruar nga vendi është 16 %, përqindje kjo për 10 % më e lartë sesa mesatarja botërore. (Митковска, 2013) Sipas një hulumtimi, së paku 15 deri më 20 mijë qytetarë të Maqedonisë me arsim të lartë qëndrojnë-jetojnë jashtë vendit. (Zmejkoski, 2012: 59)

Sipas të dhënave të institucioneve, nëse çështjet e migrimit lëvizin me këtë dinamikë, deri në vitin 2030 numri i popullatës nën 14 vjeç do të ulet për 14.4 %, kurse çdo vit nga vendi do të shpërngulen nga 15 mijë persona. Sipas këtyre të dhënave, deri në vitin 2050, Maqedonia nuk do të ketë më shumë se 1.7 milion banorë nga rreth 2 milionë sa ka aktualisht.

Sipas Entit Shtetëror Statistikor, në vitin 2012 numri i personave të papunë me arsim të lartë ka qenë 45.768, kurse vetëm në tremujorin e fundit të vitit 2012, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2011, janë regjistruar + 3.890 persona me diplomë universitare e të papunë. Sipas të dhënave nga Agjencioni për Punësim, vitin 2012 ka pasur 764 magjistra dhe 17 doktorë shkencash të papunë. (Митковска, 2013) Papunësia e gjeneratave të reja nën 30 vjeç, apo ndryshe e të sapo-diplomuarve, është një nga problemet më serioze me të cilin po ballafaqohet Maqedonia. Të dhënat zyrtare flasin se gjysma e të rinjve, gjegjësisht 46% e moshës nga 18 deri 29 vjeç, është e papunë. Disa shënojnë shifrën 50% të të rinjve të papunë, shifër kjo me të cilën Maqedonia del në një gjendje shumë më te keqe se Norvegjia (9.3%), Austria (11.9%), SHBA-të (18.2%), Sllovenia (16.8%), Kroacia (36.8%), Mali i Zi (40%), Rumania (23.8%), Bullgaria (27.6%), Shqipëria (28.3%)… (Митковска, 2013)

Drejtori i Forumit Arsimor të të rinjve Marjan Zabërçanec, thotë se Maqedonia është lider në Europë për papunësinë e të rinjve. Mosbesimi i të rinjve tek institucionet e sistemit, ndërthurur me mungesën e besimit në vetvete, rezulton me faktin se të rinjtë, të ardhmen e tyre më shumë e shohin jashtë vendit. (2014) Kështu ata nuk zgjedhin punën, ata punojnë punë jashtë profilit dhe nën nivelin arsimor, përmes programeve “Work and Travel” shkojnë për të punuar nëpër anije-kroçiera dhe jozyrtarisht rreth 15 % nuk kthehen më prapë. Interesante është se shpesh ndodh që fëmijët e tyre për në aventurën nëpër vendet e largëta, në shenjë mbështetjeje maksimale, i përcjellin edhe prindërit e tyre. (Nova Tv, 18.09.2014) Përfaqësuesit e agjencionit “Kouzon” janë shprehur se në vitin 2012 nga Maqedonia për punë nëpër anije kanë dërguar 1000 kandidatë, duke shënuar se dërgojnë njerëz edhe në destinacione të tjera dhe në lëmë të tjera. Në vitin 2013, si target kishin caktuar 2.500 veta. “Çdo vit numri i kandidatëve që i dërgojmë shkon duke u rritur” – shpjegon Atanas Pallanov menaxher për rekrutim në “Kouzon”.

Një nga të rinjtë krushevas me arsim të lartë që nuk mund të gjejë punë në vendlindje është Nikolla, defektolog i diplomuar, i martuar, 34-vjeçar. As bashkëshortja e tij nuk është e punësuar ndonëse edhe ajo ka të kryer fakultet.Ai konsideron se Krusheva është vendi më i bukur për jetesë në Maqedoni dhe se për të penguar shkretimin e qytetit duhet shumë pak: vullnet të mirë dhe një investim. Sipas tij, problemi më i madh është shpërngulja. “Dikur si shoqëri breznore nmëronim nga 100 frymë, kurse tani numri nuk arrin as në 20 a 30 veta. Rreth 60 % të të rinjve kanë ikur, kurse edhe 40%-i që ka mbetur tanimë kanë filluar të mendojnë për shpërngulje. Askush nuk ikën se s’e di Krushevën. Ata ikin sepse kërkojnë kashtën e shpëtimit. Nëse jo larg atëherë në Shkup, Prilep ose Manastir shohin gjasa më të mira se sa këtu. Me diploma universitare punojnë nëpër punëtori tekstili për 100 euro dhe për aq para e braktisin vendlindjen”- rrëfen ai.

Radio “Deutche Welle” para dy viteve shkrunate për Tonin nga Shkupi që kishte punuar në një firmë të kompjuterëve dhe kishte emigruar në Suedi për të vozitur kamion. Filozofi me diplomë, Petar, i cili ishte munduar në shumë vende të punës, kërkon punë në anije. Dejani, me profesion sociolog, e kishte braktisur punën në një shkollë dhe bashkë me të shoqen dhe vajzën e tyre njëvjeçare ishin shpërngulur në Kanada. (Globus, 21.05.2013)

Një profesor (M. Ibrahimi) nga Cërnilishta e Prilepit thotë se të rinjtë ikin sepse kanë vetëm pak alternativa, ose të merren me prodhimin e duhanit, ose të bëhen mësues ose policë. “Investime nuk ka, kështuqë destinacion e kanë Shkupin, Tetovën, Zvicrën ose Gjermaninë…” “Megjithatë duhet të të kenë shpresa” – shprehet ai. “Unë tre vjet kam punuar me magjistraturë në grupet klasore. Dhe shokëve të mi u thoja ‘Unë kam shpresa’”. (24.06.2015)

Realiteti social flet se ka të papunë me dhjetë vjet pas diplomimit, që më pas gjeneron probleme me banimin, martesë, pavarësimin, dhe kështu hyhet në guacën e pesimizmit. (A. Mustafa) Zinxhiri kauzal pastaj i shpie ata drejt vendeve që ofrojnë më tepër mundësi, karrierë, drejt dreamlandit të tyre.

Shembulli i mëposhtëm, ai i studentit të shkëlqyeshëm Mavkov që jeton në Francë është shënjues eklatant i faktit se ku të rinjt eshohin ardhmërinë:

Bojan Mavkov është prej Shkupi, 25-vjeçar dhe qe dy vjet jeton dhe punon në Grenobël, Francë, ku është duke e përgatitur doktoratën e vet. Rrëfimin e vet ia shpalosi “Faktorit”. Me një mesatare 9.70 ka diplomuar në Fakultetin për Elektronikë dhe Teknologji Informatike, në drejtimin Inxhinieri Sistemike dhe Automatikë. Menjëherë pas diplomimit është paraqitur në shpalljen për punë të MEPSO-s. “Më refuzuan, pa ndonjë arsyetim. Vetëm m’i kthyen dokumentet në të cilat shkruante se kush është pranuar. Ndoshta s’kam pasur përvojë”- me modesti shpjegon Mavkov.  “Më pas vendosa të provoj të aplikoj për studime të masterit jashtë vendit. Fitova bursë të studioj në më shumë universitete në Europë dhe vendosa për bursën e ambasadës frënge përmes Institutit Francez në Shkup. Në fakt pata mundësi për bursë edhe nga qeveria e Maqedonisë për t’i vazhduar studimet jashtë vendit, por me detyrimin që kur të kthehem t’u vehem në shërbim të tyre.” Mavkov flet anglisht, edhe është duke e perfeksionuar edhe gjuhën frënge. Ai është një shembull eklatant se si shteti nuk përkujdeset për ardhmërinë e vet, dhe kur kësaj t’i shtohen edhe të dhënat dëshpëruese statistikore për shpërngulje të kuadrit të ri intelektual, bëhet më se e qartë se Maqedonia nuk është vend me perspektivë.  (http://faktor.mk/2013/11/16)

Republika e Maqedonisë po humbë në vijimësi kuadrin e lartë arsimor. Sipas statistikave zyrtare, rreth 30 % e kuadrit superior ka ikur nga shteti, ndërsa shqetësuese është fakti se më shumë se tri të katërtat e kuadrit akademik, dëshirojnë të largohen nga Maqedonia.

Lidhur fenomenin e shpërnguljes së trurit në kontekstin e Maqedonisë ekzistojnë disa hulumtime. Ndër to janë ai i projektit federal në kuadër të ish-Jugosllavisë (1990), i Akademisë së Shkencave të Arteve i RM-së (1994)  ai i Dinkovskit (2012), i realizuar me studentët e pesë universiteteve kryesore të Maqedonisë dhe ai i Zmejkoskit në kuadër të CRPM-së (2012). Sipas studimit të Dinkovskit69 % të studentëve mendojnë ta braktisin vendin si faktor kryesor i shpërnguljes së trurit paraqiten pagat e vogla (46%), pagat e ulta (34%). Për dallim nga viti 1990 kur si faktor kryesor për shpërngulje ka qenë inferioriteti teknologjik dhe nga viti 1994, kur si faktor kryesor është shfaqur mospërparimi në vendin e punës, në vitin 2012, si faktor kryesor janë të ardhurat e pakta, pra kauza ekonomike. Te çështja e shpërnguljes së planifikuar predominojnë shprehjet  jeta e mirë, ekonomia e mirë, punësimi, përpara të tjerave të llojit si profesionalizmi, eksperienca të reja, avancim në karrierë, aktivitete të sportit etj. (Динковски, 2012: 66-68)

Çdo shtet që punon për të ardhmen e vet synon që të realizojë politikat e veta për rikthim të trurit (brain gain). Nuk ka një dokument strategjik që fokusohet në shpërnguljen e trurit –Rezolutë Nacionale për Migrim. Para disa viteve, Ministria e Arsimit e RM-së (2012) në bashkëpunim me zyrën e USAID-it për Maqedoni promovuan një projekt të mbiquajtur “Stop Brain Drain” (“Stop Brain Drain Strategy 2013-2020”), përmes të cilit synonin zvogëlimin e pasojave nga shpërngulja e trurit, kësaj dukurie komplekse globale me të cilën ballafaqohen vendet n zhvillim. Me qëllim parandalimin e kësaj dukurie, Qeveria për projekte të ndryshme për vitin 2013, kishte paraparë nga buxheti 530 mijë euro, për vitin tjetër 1.1 milion dhe për vitin 2015 – 2.2 milionë euro. Që në fillim, nga prononcimi i ministrit Kralev u pa se ministria nuk zotëronte kurrfarë të dhënash lidhur me ikanakët shkollarë nga Maqedonia.

Përkundër iniciativave të këtilla, nuk u arritën rezultate konkrete: Sipas një hulumtimi të realizuar nga Dhoma Ekonomike, vitin 2014, 75 % e të rinjve nuk e shohin ardhmërinë në Maqedoni dhe po t’u jepej mundësia do ta braktisnin vendin. (24Вести, 16.06.2014)Sipas një ankete të realizuar, mbi 85 % e studentëve janë deklaruar se pas përfundimit të arsimit, mendojnë të braktisin vendin, kurse 29 % tashmë janë deklaruar se jetojnë jashtë kufijve të Maqedonisë. Nga një intervistë e zhvilluar nga DECA, Unioni i Studentëve të Universitetit Shën Cirili dhe Metodi, është konstatuar se – përveç njërit që kishte shprehur dëshirën të dilte jashtë e të kthehej – çdo student së paku një herë kishte menduar tabraktisë Maqedoninë.

Nga një studim i realizuar në vitin 2016 me 307 të rin të moshës 18-35 vjeç shihet  se shumica absolute 73.9 % e të anketuarve bindshëm kanë pohuar se SHBA-të dhe Unioni Europian ofrojnë prespektivë për një jetë më të mirë, ndërsa vetëm 7.5 % janë në mënyrë strikte të orientuar vendorisht (lokalisht), pra ardhmërinë e tyre e shohin këtu, në vendlindje. (Arsllani, 2017)

Arsyet e kësaj gjendjeje janë të shumta: gjendja e rëndë ekonomike, gjendja e pasigurtë politike, politizimi i institucioneve në vend, korrupsioni, rënia e vlerës së arsimit universitar (me rritjen e numrit të universiteteve dhe dispersionin e arsimit të lartë), përdhosja e garës së drejtë për vende të punës etj.

Shumica janë të gatshëm të ikin ose ikin nga Maqedonia, por rallë herë ndodh edhe fenomenii të kthyerve, të cilët humben në këtë galimatias social. Të rinjtë e kthyer prej jashtë ankohen se kanë detektuar se vendi i punës punës gjendet përmes lidhjeve dhe nepotizmit (22.6 %), antarësimit në një parti politike (11.3%), klane të ndryshme (10.4%), se ka mungesë të interesimit për diplomën dhe dijen që ata kanë arritur jashtë (16.5%)…(Zmejkoski, 2012: 66-67)Për pasojë, shumica e të kthyerve (53.2%) janë bindur se pjesën e mbetur të jetës së tyre do ta kalonë në një shtet të huaj.

Si pjesë e këtij projekti zhvilluam edhe intervista me profesorë të kthyer prej jashtë që punojnë në UEJL dhe USHT. Njëri pohoi se ka arritur të integrohet plotësisht, e ka gjetur veten, se ka fituar në aspektin kombëtar që nuk ka mbetur në Austri ndonëse ka humbur materialisht, por kjo është sekondare. Një tjetër, i kthyer nga SHBA-të, i cili si probleme kryesore të rinisë i shihte papunësinë, partizimin dhe paqartësinë e të ardhmes në vend, theksoi se “lufta për mbijetesë” e brezave të ardhshëm do jetë edhe më e ashpër, se  edhe përkundër kësaj klime studentët i nxit që të mos heqin dorë nga arsimimi, t’i ndjekin pandërprerë risitë në fushën e shkencës dhe më gjerë që të jenë konkurrentë për tregun. (24.06.2015)

Shpërngulja e trurit, ose HQ diaspora, si një subjekt i sociologjisë së dijes, është një sindrom i vendeve ballkanike të periudhës së tranziciоnit.Të dhënat statistikore flasin se viteve të fundit Maqedonisë i ka ikur 10 % i popullatës, në mesin e tyre një pjesë e mirë kuadro cilësorë, persona të përgatitur në aspektin arsimor që nënkuptojnë një eriozion të vërtetë të kapitalit njerëzor. Gjendja është alarmante (85 % e studentëve të anketuar mendojnë ta braktisin vendin) dhe masa urgjente duhen ndërmarrë.

Mund të thuhet se shpërngulja e trurit ose synimi i të rinjve që ta braktisin vendin është rrjedhim i pesimizmit të tyre lidhur me vendlindjen dhe optimizmit të tyre lidhur me vendet e jashtme, me pritjet dhe shpresën e tyre se diku është më mirë se sa aty ku gjenden për momentin. Ata besojnë se në vendet e zhvilluara ka ekonomi më stabile dhe siguri sociale, se mundësitë për jetë janë më të numërta, se mundësitë për punë në sferën shkencore-teknike janë më të shumta, se mundësitë për avancim dhe karrierë janë më të mëdha.

Në këtë drejtim, për të arritur rezultate konkrete:

Duhet një qasje më integrative, dhe bashkëpunim ndërsektorial. Duhet që të bashkëpunojë ekonomia me arsimin, shëndetësinë, kulturën etj., që në mënyrë më objektive, profesionale të realizohet transferta e studentëve nga katedrat universitare nëpër vendet e punës.

Duhet të në vendet e caktuara të punës të punësohen kampionët nga mesi i studentëve, ata që investojnë në vetëndërtimin e tyre intelektual-profesionale e jo jo militantët partiakë.

Duhet të punojnë jo vetëm shtetet që e humbin potencialin e tyre intelektual, por edhe ato që përfitojnë trurin e huaj.

Vendet në zhvillim e sipër që dëmtohen nga shpërngulja e trurit duhet t’i rrisin pagat e kuadrove cilësore, t’i përmirësojnë kushtet e punës, duhet t’i rishikojnë investimete tyre në sferën e arsimit, ta depolitizojnë intelektualizmin, administratën, sektorin publik.

Duhet të krijohen politika konkrete për reduktim të migrimit intelektual (brain drain) dhe për rikthim të njerëzve të klualifikuar prej jashtë (brain gain).

Duhet që të krijohen mundësi për vetëpunësim, për rritje të vetëbesimit për sipërmarrësi tek të rinjtë. Siç u shpreh një studente e psikologjisë dhe studimeve amerikane, N. Latifi (Forumi Rinor, 6 prill 2014), “kuadri i mirë krijon punë të mirë”.

 

Postime të Ngjajshme