` . Arabia Saudite konfirmon sulmin ndaj aeroportit Abha - TV-SHENJA

Arabia Saudite konfirmon sulmin ndaj aeroportit Abha

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite konfirmoi sulmin e rebelëve jemenas Huthi ndaj Aeroportit Ndërkombëtar në jug të Arabisë Saudite, transmeton Anadolu Agency (AA). “Një raketë e armikut ra mëngjesin e hershëm të së mërkurës në hapësirën për mbërritje në Aeroportin Ndërkombëtar Abha, përmes së cilës çdo ditë kalojnë mijëra pasagjerë”, citon Agjencia saudite e lajmeve SPA zëdhënësin e koalicionit, kolonelin Turki al-Maliki.

Ai sulmin e përshkroi si akt terrorist, duke shtuar se në këtë sulm u plagosën të paktën 26 civilë të kombësive të ndryshme.

Më herët lëvizja rebele Huthi mori përgjegjësinë për sulmin me raketë ndaj Aeroportit Abha.

Rebelët Huthi nga Jemeni në vitet e fundit kanë përdorur avionë pa pilot dhe raketa me rreze të gjatë dhe të mesme, ku në shënjestër kanë patur zonat e Arabisë Saudite. Megjithatë, ato janë interceptuar nga sistemet e mbrojtjes Saudite.

Huthi që nga viti 2014 mbajnë nën kontroll kryeqytetin Sana dhe disa zona të tjera në Jemen. Forcat e koalicionit, të udhëhequra nga Arabia Saudite, po mbështesin autoritetet e Jemenit në luftën kundër Huthive që nga marsi i vitit 2015.