` . Apostolova: Të tërhiqet vendimi për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar në Kosovë – TV-SHENJA

Apostolova: Të tërhiqet vendimi për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar në Kosovë

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova, në një deklaratë për media, tha se vendimi për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar në Kosovë duhet të tërhiqet dhe të pritet miratimi i Ligjit të ri për pagat.

Ajo tha se ky vendim është në kundërshtim me qëllimet e përbashkëta për ta bërë administratën publike të Kosovës më të barabartë, meritore, koherente dhe llogaridhënëse.

“Më 12 qershor, Qeveria riktheu vendimin e saj për rritje ad hoc të pagave për anëtarët e kabinetit, këshilltarë të caktuar, disa nënpunës të lartë civilë dhe stafin mbështetës të kabinetit qeveritar. Shpreh keqardhjen time për këtë vendim, pasi që përgatitja e Projektligjit për Pagat është në proces e sipër”.

“Ky ligj do të rregullojë njëherë e përgjithmonë pagat që paguhen nga buxheti i Kosovës me kritere objektive dhe të drejta. Ky ligj është pjesë e procesit të reformave në administratën publike e të cilin BE-ja e mbështet”, tha Apostolova.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, mori vendim që t’ia rrisë pagat kabinetit qeveritar.

Vendimi u pezullua për disa muaj, derisa Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi më 11 qershor se ai nuk është jokushtetues.

Sipas këtij vendimi, paga e kryeministrit nga 1,500 euro sa ka qenë, do të bëhet 2,950 euro, kurse e zëvendëskryeministrave nga 1,300 euro, në 2,500 euro.

Paga e një ministri ka qenë rreth 1,200 euro, ndërkaq, sipas këtij vendimi, do të jetë 2,000 euro. Kurse, mbi 70 zëvendësministra, të emëruar në Qeverinë Haradinaj, do të pranojnë pagë mujore nga 1,150 euro.