` . Anketë: Qytetarët të përgatitur për Ramazan (Video) – TV-SHENJA

Anketë: Qytetarët të përgatitur për Ramazan (Video)

Besimtarët musliman, sot kanë filluar muajin e Shenjtë të Ramazanit. Agjërimi, si njëra ndër pesë shtyllat kryesore të islamit, që nga dita e sotme ka filluar të zbatohet nga praktikuesit e fesë islame. Agjërimi zbatohet që nga lindja deri në perëndim të diellit. Qytetarët e anketuar nga Tv Shenja, shprehen shumë të kënaqur nga ajo se si u ka kaluar dita e sotme dhe se nuk vërejnë asnjëlloj ndryshimi nga ditët e tjera, sa i përket konsumit të ushqimit, por përkundrazi siç thonë ata ndjehen shumë të qetë dhe të lumtur.

Qytetar:

“Falenderimi i takon Zotit që na e mundësoi, shyqyr koha është shumë e bukur, shumë mirë jemi përgatitur edhe vet ne dhe ishalla me lehtësi do ta kalojmë këtë muaj. Zoti është i mëshirshëm dhe ndihmon në këto gjëra”.

Qytetar:

“Ishalla don Zoti për gjithë myslimanët mbarësi, mirësi, bereqet…Gjithë është qëllimi i nijetit, se çfar nijeti kemi. Nëse kemi nijet të mirë, besoj që ja sa është bërë ora tash, kurrfarë ndryshimi nuk shoh. Unë besoj se deri në fund do të shkoj kështu”.

Qytetar:

“Shumë bukur, kam dalur, ka dy orë po ecë, i qetë…shumë bukur, e ndjej veten shumë të kënaqur, të lumtur”.

Agjëruesit shpresojnë se ashtu siç u ka filluar dita e sotme, urojnë  të vazhdojë deri në përfundim të Ramazanit. Edhe pse disa prej tyre me gjendje të rënduar shëndetësore, kjo nuk u pengon që të agjerojnë.

Qytetar:

“Mirë ka filluar dita e parë, koha është e mirë, ishalla vazhdon kështu…kemi bërë edhe përgatitjet”.

Qytetar:

“Jam i sëmurë prej zemrës, edhe prej këmbës, po mirë jam, po e mbaj…ishalla më shkon kështu deri në fund”.

Qytetar:

“Është pak e vështirë dita e parë, por ishalla koha na mban pak më freskët dhe ishalla bëhet më mirë…Ne pak i kemi bërë përgatitjet, gratë kanë më tepër punë, por ne e bëjmë pazarin, dy -tri herë në ditë dalim nëpër dyqane për të marrë diçka, ashtu tërë ditës”.

Agjërimi është obligim për çdo musliman, i cili ka arritur moshën e pjekurisë, është i shëndetshëm mendërisht, nuk është udhëtar dhe që është i aftë për të agjëruar. Ramazani është muaji në të cilin ka zbritur libri i shenjtë, Kurani.

Kalendari islam bazohet në ciklet hënore, kështu që çdo vit, Ramazani vjen rreth dy javë më herët. Pas përfundimit të tij, është Festa e Bajramit të Madh i cili këtë vit është më 15 qershor. Emine Ismaili /SHENJA/