` . Andorra befason Shqipërinë në Elbasan - TV-SHENJA

Andorra befason Shqipërinë në Elbasan

Trajneri Edi Reja e pati theksuar disa herë në konferencën për shtyp se Andorra duhet trajtuar me respekt dhe përqendrim maksimal, por duket se lojtarët e që ai stërvit nuk e kishin marrë seriozisht dhe panë të befasohen sonte nga miqtë, që morën një pikë falë barazimit 2-2.

Në një “Elbasan Arena” ku kishte shumë pak tifozë në tribuna, kuqezinjtë e nisën mjaft mirë ndeshjen dhe gjetën golin me anë të Emanuele Ndojit, por që u anulua nga arbitri kryesor, pasi topi kishte dalë jashtë në momentin e krosimit.

Megjithatë pak minuta më vonë ishte Bekim Balaj që sulmoi shtyllën e dytë dhe nuk gaboi në topin e ardhur nga krosimi i Roshit, duke e shtyrë në rrjetë dhe zhbllokuar shifrat, ndërsa të gjithë besuan se gjithçka do të bëhej e lehtë më pas.

Megjithatë miqtë nga Andorra befasuan me një aksion mjaft të bukur në minutën e 18’, teksa mbrojtësi Cristian Martinez, i lënë i lirë nga Trashio në zonë, arriti të mposhtë Berishën dhe të rikthejë baraspeshën.

Goli zgjoi sërish kuqezinjtë që tentuan të gjejnë golin e barazimit dhe krijuan shumë volum loje, por shumë pak raste të rrezikshme, teksa deri në fund të pjesës së parë, vetëm Ledian Memushaj testoi aftësitë e portierit mik.

Në fillim të pjesës së dytë trajneri Reja aktivizoi Elseid Hysajn në vend të Trashit, por vetëm pas vetëm 3 minutash Cristian Martinez befasoi sërish kuqezinjtë, duke shënuar golin e avantazhit për miqtë nga Andorra.

Barazimi erdhi shumë shpejt, pasi në minutën e 55-të ishte Rey Manaj që gjeti golin, ndërsa më pas trajneri Reja hodhi në fushë edhe Seferin e Baren, por ndonëse provuan në të gjitha mënyra, futbollistët kuqezi nuk arritën të gjejnë golin e tretë.

Vërshëllima finale e arbitrit bëri që miqtë nga Andorra të festojnë atë pikë të rëndësishme në transfertë, që është historike për ta, ndërsa Reja dhe kuqezinjtë mbetën të shtangur nga një rezultat që kurrsesi nuk e kishin menduar para ndeshjes. /SS/