` . Andërr e Prerë – Jericho - TV-SHENJA

Andërr e Prerë – Jericho

Shkruan: Fjolla SPANCA, Mitrovicë

I çela sytë e nisa me e këqyr rrotull havanë.

Po menohesha … nëpër vite e kam urrejtë, por edhe e kam dashtë dynjanë! Nejse. I lash ato menime. Nisa me kundrue Tokën. Aty, afër, knojshin zogjtë e malit, andrra t’Bukura n’zemër të djalit!

Andrra … t’qeta! Andrrat’lehta!

*

Po të mos ishte ngjyra e zezë, bota do ish dashtun me e gjetë doemos nji të tillë. Nji bojë që mrena vetës t’i kishte të lidhuna nyje: frymën, shpresën, andrrën, besën … kangën, sytë, menjen, frikën, të panjohunën, jetën e vdekjen! Mu ashtu si e zeza! Ajo dritë Tjetër që njeriun e përkund qiejve, ndën rrezën e Hanës!

Nji e zezë si ajo Andrra e Preme! Andrra, që e tradhëtuen të gjithë, ka pak! Andërr tek e cila kapeshim dikur, për me e paqtue dhimtën e me shtue Dashninë! Andrra e Besës dhe e fëminisë! Andrra e shpresës, tej të zezës!

POR! E zeza asht edhe rrudha e ballit në fytyrën e atij burri zemërluan që thyen kamët tuj i njek Andrrat! Burri i fisëm që vdiq para se me vdek! Ai, që kish marre e urtni! Që s’frymonte pa mirësi! Ai që andrronte vdekje ma t’mirë! Nuk shitej shpejt, as lirë! Burri që e kam takue n’çdo rresht të Jericho-së. Ai i cili nuk iku prej Vatanit, as ja zuni venin dushmanit! Burri i Besës, jo i Harresës! Burri i njerëzisë, i përthekuem prej vesës së Dashnisë!

*

Kanë kalue veç ca ditë qyshkur Jericho sërish e shkuni pluhunin e menjeve tona! Kësaj here, dikush s’ish aty! Kësaj here, dikush ish kudo! Nji djalë mungonte.

Nji djali, Emnin askush s’ja harronte!

*

Xhevdeti! Rrokaqiejtë. Harqet. Kori. Cigare e duar n’xhepa. Çarçafë të bardhë, tamël. (mu zu fryma)

*

Dikund, nji copë Bese ka ra n’kurth! Anës malit, a anës detit …

n’arkë të shtetit, a n’sënduk t’Mretit.

Dikund, nji copë Andërr e kanë gjymtue … o me e gjetë, o tanë me shkue …

me u ba njerëz e me nder na me rrnue; ja me ik e mu harrue!

 

Ëndërr e Prerë

 

Na këndo një këngë të bukur, sonte të harrojmë,

ç’i tregojnë sytë mendjes sime, zemra s’e pranon.

Si u bë që këtu ju gjetëm, vaj mor ç’paskët qenë,

çfarë t’ju themi ne fëmijëve kur shpresat ju thënë

 

Na këndo një këngë të bukur, t’lutem mos pusho,

a s’ma sheh syrin që m’dridhet, dhimbjen mos e shto.

Nëpër rrudhat e fytyrës jetën ju dëftoj,

janë këto vitet që m’i vodhët me pelin në gojë.

 

Ku jeton dashuria, ku rritet mirësia,

ku frymon njerëzia të frymojmë dhe ne.

Ëndrrat do t’i jetojmë, ditët ne t’i gëzojmë,

besës sot i këndojmë për një jetë të re.

 

Recitali nga Dritëro Agolli:

“Mos vdis në dhomën e heshtur i shtrirë,

është turp kaq shpejt të rrish e të vdesësh.

Ne ëndërronim një vdekje më të mirë,

duke vdekur fytyrat tona t’i shihnim në pikën e vesës”

 

Ku jeton dashuria, ku rritet mirësia,

ku frymon njerëzia të frymojmë dhe ne

Ëndrrat do t’i jetojmë, ditët ne t’i gëzojmë,

Besës sot i këndojmë për një jetë të re.