` . Analistët në 'Studio e hapur': Vendimi negativ për vendin, rezultat i problemeve të brendshme të BE-së - TV-SHENJA

Analistët në ‘Studio e hapur’: Vendimi negativ për vendin, rezultat i problemeve të brendshme të BE-së

“Unë nuk mendoj se mosimplementimi i reformave të brendshme është arsyeja për mosdhënien e datës Maqedonisë së Veriut nga Bashkimi Evropian” tha analisti politik Ibrahim Memeti në emisionin ‘Studio e hapur’ në TV SHENJA.

Sipas tij, arsyet e vendimit negativ për vendin tonë, janë problemet e brendshme të Bashkimit Evropian.

Për analistin Selim Ibraimi, Franca dhe Gjermania kanë bashkëpunuar për mosçeljen e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në. Shkak për këtë sipas Ibraimit është afera “Zhvatja” ku si e dyshuar është edhe ish prokororja speciale Katica Janeva. Dhe në këtë bashkëpunim mes dy fuqive evropiane, Ibraimi thotë se Franca e ka marrë përsipër rolin e bllokuesit të negociatave me vendin tonë.

“Duke i parë raportet mes shteteve të BE-së mendoj që Franca dhe Gjermania si janë të konstruktuara në marrëdhëniet mes tyre dhe shteteve asporante, ka qenë një ndër faktorët kryesorë. Por më e rëndësishme është që pas “Zhvatjes”, ishte një moment kyç që Maqedonia e Veriut të mos marrë datë nga BE-ja dhe Franca të paraqitet si autor kryesorë për mosdhënien e datës për fillimin e bisedimeve”, tha Ibraimi në emisionin ‘Studio e hapur’ në TV SHENJA.