` . Analistët: I rëndësishëm kompromisi për emrin - TV SHENJA

Analistët: I rëndësishëm kompromisi për emrin

Republika e Maqedonisë – Shkupi, do të ishte opsioni më i mirë për emër të Maqedonisë. Kështu vlerëson ish diplomati Nano Ruzhin, i cili thotë se për këtë emër tanimë ekziston një konsensus dhe se në çfarëdo rasti pjesa në kllapa, apo Shkupi pas disa kohësh do të harrohet.

Ruzhin, vlerëson se ekzistojnë tri rrugë për dalje nga kjo situatë, të pranohen ndryshime, të mos pranohen ndryshime ose të pranohet Maqedonia sipas emrit të përkohshëm me referencën FYROM. Ai vlerëson gjithashtu që para së gjithash është e rëndësishme që Maqedonia të jetë shtet demokratik, t’i respektojë raportet ndëretnike, të qëndrojë si shtet stabil dhe të ketë raporte të mira ndërfqinjësore.

“Delegacioni i samitit në NATO, delegacioni i Maqedonisë në të cilën ishin edhe  kryetari i atëhershëm, Branko Crvenkovski edhe kryeministri Nikolla Gruevski, themeluan një konsensus rreth emrit Republika e Maqedonisë, në kllapa ose me vizë, Shkupi. Unë mendoj se ajo nuk është edhe ashtu një titull i keq, derisa ekziston një konsensus i caktuar në shtet, përse jo. Sepse në çfarëdo rasti, ajo Shkup, pas ca kohe do të humbet”, tha Nano Ruzhin.

Ndërkaq, gazetari  Isen Saliu, vlerëson se me rëndësi për qytetarët do të ishte që çfarëdo zgjidhje eventuale, të përmbante emrin Maqedoni, që të theksohet se në Maqedoni jetojnë edhe maqedonas, por edhe shqiptarë, si dhe grek dhe bullgarë në pjesët e Maqedonisë në Greqi dhe Bullgari.

“Edhe për shqiptarët e Maqedonisë, njësoj si për maqedonasit, ndoshta edhe më tepër se për maqedonasit, si në aspektin politik poashtu edhe në atë historik zgjidhja ideale do të ishte Republika e Maqedonisë. Megjithatë duhet të jemi të vetëdijshëm për realitetin në rajon, realitetin për pozitën e Greqisë në NATO dhe BE, që është disproporcionalisht më e fortë se pozicionet e Maqedonisë, dhe duhet të pranojmë se kompromisi është I domosdoshëm”, ka deklaruar Isen Saliu.

Përndryshe, pritet që shteti grek do të propozojë dy emra tek Qeveria e Maqedonisë sa i përket çështjes së emrit: “Maqedonia e Vardarit (Vardarska Makedonija)”, dhe “Republika e Shkupit ”. Propozimi i parë sipas javores greke ”Realnews”, do t’i hiqte të gjitha kërkesat irredentiste të palës maqedonase. Sipas javores, propozim alternativ i palës greke mund të jetë edhe “Republika e Shkupit”, të cilin pala maqedonase e ka refuzuar në bisedimet e mëparshme. Propozimet, sipas gazetës, janë të njohur për autoritetet e vendit dhe mediatorit Metju Nimic.

Ajnur Bafqari /SHENJA/

Analistët: I rëndësishëm kompromisi për emrin by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme