` . Analfabetizmi funksional dhe populli që nuk lexon - TV-SHENJA

Analfabetizmi funksional dhe populli që nuk lexon

Në vitin 2007, në botën islame, për kokë banori, ishte botuar një libër në dymbëdhjetë mijë banorë (1/12.000), kurse në Angli kjo shifër ishte një në pesëqind (1/500), çka nënkupton se përqindja e leximit në botën islame nuk ishte më shumë se 4%.

Shkruan: Hajrudin S. MUJA, Nju Jork

Tregohet se një grek analfabet kishte ardhur në Amerikë dhe kishte nxënë punë në një kishë greke, ku duhej të pastronte dhe të menaxhonte me materialet e nevojshme për kishën. Një ditë i vjen kryeprifti dhe, ndër të tjera, e pyet nëse mbante evidencë për materialet që shpenzoheshin në kishë, si qirinj, vajra, etj. Kur i tha greku se nuk mund ta bënte një gjë të tillë pasi ishte analfabet, kryeprifti e largoi nga puna. Ai shkoi pastaj në një fabrikë të vogël tekstili, ku u tregua shumë i suksesshëm dhe pas një kohe tuboi aq shumë para, sa për ta blerë fabrikën që ia shiti pronari i moshuar. Por, në transferimin e parave në bankë hasi në një problem: zyrtari i bankës nuk donte t’i transferonte aq shumë para përderisa ky nuk mund të nënshkruhej për to. Kur erdhi drejtori, mbeti i habitur dhe i tha: “Kaq shumë para dhe analfabet! Po sikur të kishe ditur të shkruaje”!? Mos e zgjat më shumë – i tha greku: “Sikur të kisha ditur të shkruaja, do kisha qenë ende në kishë duke numëruar qirinj”.

Natyrisht, kjo është vetëm një anekdotë për çaste argëtimi, si një shembull për ndonjë njeri të rrallë që i ndihmon fati për t’u bërë i pasur, por shumica e njerëzve vuajnë analfabetizmin, një term që përdoret për të treguar paaftësinë e leximit dhe të shkrimit të personave mbi 6 vjeç, të moshës që lidhet me regjistrimin në shkollë [Webster’s Distionary: 2014]. Edhe pse shkrim-leximi nuk ka qenë historikisht i rëndësishëm, sot e njohim si një të drejtë themelore të njeriut, ndërkohë që organizatat e ndryshme po përpiqen për progres në mbarë botën. Të jesh në gjendje të lexosh e të shkruash jo vetëm që të fuqizon, por gjithashtu të hapë një botë krejt të re mundësish drejt përparimit.

Historia e këtij subjekti është tejet e çuditshme! Kur Roj Bini i famshëm me “Kodin Penal” nën sqetull i varte mëkatarët, por nuk dinte të lexonte se çka shkruhej në atë libër; kur në botën ortodokse të Lindjes, si dhe në shtetin e frankëve të Karlit të Madh (768-814), veç klerit, të gjithë ishin analfabetë, në Kordobë të Spanjës nuk kishte asnjë të tillë, pavarësisht përkatësisë racore apo fetare [Scott: 1904; Irving: 1962]! Universiteti Mjekësor i Parisit brenda vetes kishte “mjekë” jo vetëm të mangët, të patrajnuar e pa përvojë, por edhe analfabetë [Kelly: 2005, f. 166]. Deri në shekullin XII – vështronte Gustave Le Bon: “Kur civilizimi islam lulëzonte në Spanjë, qendrat kulturore në Evropë ishin kulla të banuara me zotërinj të shfrenuar, që mburreshin me analfabetizmin e tyre… kur librat dhe bibliotekat për evropjanët nuk nënkuptonin asgjë, kalifati Islam posedonte qindra bibloteka madhështore… Në Andalusi gjatë vitit publikoheshin ndërmjet 70 dhe 80 mijë libra” [Le Bon: 1974, vëll.III]. Thuhet, madje, se edhe vetë Shekspiri i famshëm, gruan dhe dy vajzat e veta i kishte analfabete, që mund të jetë ndoshta rasti i vetëm në histori që një shkrimtar aq i madh t’i ketë lënë analfabetë fëmijët e tij [Rubinstein: 2012].

Nivelet e shkrim-leximit për popullsinë botërore janë rritur në mënyrë drastike gjatë dy shekujve të fundit. Derisa vetëm 12% e njerëzve në botë mund të lexonin dhe shkruanin në vitin 1820, sot vetëm 17% e popullsisë botërore mbeten analfabetë. Në vlerësimet e Eltjo Buringh dhe Jan Luiten Van Zanden, rritja e nivelit të arsimit në Evropë parashikonte lindjen e shoqërive moderne, sidomos nga gjysma e shekullit XX [Buringh&Zanden: 2009]. Evropa Veri-Perëndimore ka bërë përmirësime të rëndësishme në shkrim-lexim në periudhën 1600-1800, por gjatë 65 viteve të fundit shkalla e arsimimit global u rrit në 4% çdo 5 vjet – nga 42% më 1960 në 86% në vitin 2015. Një zgjerim i tillë global i shkrim-leximit pa dyshim ka ndihmuar në uljen e pabarazive njerëzore.

Edhe pse “Sustainable Development Goals” [SDG] na jep një shpresë se deri në vitin 2030 do të zbutet ndjeshëm analfabetizimi, shifrat na vijnë nga “Unesco Institute for Statistics” [UIS] nga 758 milionë për vitin 2014 në 750 milionë në vitin 2016, dy të tretat prej të cilëve janë gra. Kjo e fundit flet për vitin 2016, se te mosha e re prej 15 deri në 24 vjeç analfabetizmi ishte 91% më i ulët se te mosha e rritur mbi 65 vjeç, që ishte në 78%! Rajonet me popullsinë më të madhe analfabete (49%) janë në Azinë Jugore [gjysma e popullatës analfabete globale] dhe në Afrikën Subsahariane (me 27%). Vijnë pastaj Azia Lindore dhe Juglindore me 10%, Afrika Veriore dhe Azia Perëndimore me 9% dhe Amerika Latine me Karaibet me rreth 4% dhe më pak se 2% e popullsisë analfabete globale jetojnë në rajonet e mbetura të kombinuara [Azia Qendrore, Evropa, Amerika Veriore dhe Oqeania].

Nga të dhënat që jep “International Islamic News Agency”[IINA], analfabetizmi më i shfrenuar është në botën muslimane, përkatësisht në shtetet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik [OIC (OrganizationofIslamicCooperation)]. Pothuajse 40% e popullatës së këtyre shteteve nuk mund të lexojnë ose të shkruajnë. Të dhënat e OIC-së për vitin 2013 thonë se ka qenë 73% më e ulët se shkalla e arsimimit të të rriturve në botë (82%) dhe 85% më e ulët se në vendet në zhvillim. Nga kjo përqindje “The Islamic Educational, Scientific and Cultural Organization” [ISESCO] ka deklaruar 40% te meshkujt dhe 60% te femrat, ndërkohë që zonat rurale mbeten pas zonave urbane me mbi 10%. Drejtori i përgjithshëm i kësaj organizate, Dr. Abdulazizal-Tuwaijri tha në një deklaratë se: “Analfabetizmi ende përbën një sfidë të vërtetë për komunitetet muslimane dhe e pengon përparimin e botës islame në të gjitha aspektet“, duke theksuar se: “Analfabetizmi në shumicën e shteteve anëtare të OIC-së ka arritur nivele serioze, reflektohet negativisht në përpjekjet e qeverive për të arritur zhvillim të qëndrueshëm ” [IINA News, 14.1.2015]. Kjo dukuri paraqet një kërcënim për zhvillimin dhe prosperitet të shoqërisë dhe ndikon negativisht në aftësinë për të promovuar dhe ndërtuar një ekonomi të fortë dhe për të arritur objektivat e zhvillimit të mijëvjeçarit, pohon “Millennium Development Goals” [MDG].

Të dhënat e UNESCO-s [United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization] na japin një shpresë të vyshkur, me konkluzionin se në të gjithë anëtarët e OIC-së analfabetizmi ka rënë nga 52 milionë, sa ka pasur në vitin 1990 në 48 milionë në vitet 2005-2011. Kjo do të ilustrohet më së miri me shembullin e Bangladeshit, ku thuhet se shkalla e arsimit te të rriturit është ngritur nga 47%, sa ka pasur në vitin 2011, në 73% në vitin 2016, që rezulton me një reduktim të popullatës analfabete dhe kjo është për t’u vlerësuar. Po kështu edhe UIS-i [Unesco Institute for Statistics], duke krahasuar intervalin kohor prej dy vitesh (2014-2016), në kuptimin global, ka vlerësuar tre milionë më pak: nga 758 milionë në 755 milionë.

Vendet e varfra i kanë segmentet më të mëdha të popullatës analfabete. Në Niger, për shembull, deri në vitin 2015 shkalla e popullsisë që di shkrim-lexim te të rinjtë ndërmjet moshave 15 dhe 24 vjeç ishte vetëm 36.5%. Burkina Faso, Afganistani dhe Sudani i Jugut ishin në fund të shkallës së arsimimit (që dinin shkrim-lexim) – më të ulët se 30%, Mali, Çadi, Somalia dhe Etiopia nën 40%, ndërsa Guinea dhe Benini nën 50% [UNESCO Institute forStatistics]! Tek shqiptarët thuhet se përqindja e analfabetizmit është zvogëluar nga 97.2% për vitin 2012 në 97.6% për vitin 2015.

Por, nuk është analfabet vetëm ai që nuk shkruan dhe nuk lexon, por i tillë është edhe ai që nuk e kupton domethënien e asaj që e lexon, përkatësisht analfabetizëm është paaftësia e dikujt për t’ia dalë mbanë në përditshmëri dhe nëpër detyra punimesh që kërkojnë aftësi leximi përtej nivelit themelor, bie fjala të lexojnë mesazhe me tekst, të plotësojnë formularët ose ta lexojnë recetën e mjekut të tyre [UNESCO]. Kjo ndryshe quhet “analfabetizëm funksional” [Kozol: 1985], që gjithashtu e ka historinë e vet. Thuhet, për shembull, se “analfabetizmi i përgjithshëm funksional në mesin e sicilianëve ishte më i vogël në vitin 870 nën sundimin islam sesa më 1870 nën sundimin italian” [Atoddart: 2010, f. 47-48]. Ky duhet të jetë një shembull për botën islame, që ta rikthejë të kaluarën e saj të lavdishme [Dawn, 29.05.2018].

Por, jo në të gjitha vendet dhe në gjitha shoqëritë analfabetizmi funksional konsiderohet i njëjtë. Njerëzit që jetojnë në një bashkësi rurale dhe agrare të botës së zhvilluar, mund të jenë në gjendje t’i kryejnë detyrat e përditshme pa aftësi të avancuara të shkrim-leximit, ndryshe nga ata që jetojnë në zona urbane me një mbështetje të fortë teknologjike, ku kërkohet një nivel më i lartë i shkrim-leximit për të kryer edhe detyra të thjeshta [Mitchell&Weiler: 1991]. UNESCO e ka përkufizuar një person që sipërfaqësisht di shkrim-lexim, por nuk mund ta bëjë këtë në nivelin e duhur për shumë aktivitete sociale. Sipas CNN-it, në Amerikë të tillë janë 19% e atyre që kanë kryer shkollën e mesme! Daniel Lattier shkruante më 26 gusht 2015 se: “32 milionë [1 në 7] amerikanë të rritur janë analfabetë funksionalë“. Vlerësohet se më shumë se 2 miliardë dollarë shpenzohen për çdo vit për studentët që e përsërisin një lëndë, për shkak të problemeve që kanë me leximin. Të dhënat e Departamentit të Drejtësisë janë edhe më shqetësuese, 85% e të gjithë atyre që akuzohen për vepra penale dhe mbi 70% e të burgosurve në burgjet e Amerikës janë analfabetë funksionalë. Qendra Kombëtare për Statistikat e Arsimit për vitin 2003 ka bërë një anketë me 19.000 të rritur, prej të cilëve të tillë kanë qenë 14% e tyre.

Të dhënat për Shqipërinë të trondisin. Raporti i fundit i Bankës Botërore thotë se të rinjtë në Shqipëri po keqarsimohen, duke mos arritur të përvetësojnë as aftësitë minimale, se 13% e fëmijëve janë tërësisht analfabetë dhe se 57% e 15-vjeçarëve janë analfabetë funksionalë. Ballkani e mban rekordin negativ, madje është njëherazi edhe shifra më e lartë e Evropës dhe Azisë Qendrore, duke lënë pas vetëm Kirgizinë, Azerbajxhanin dhe Kazakistanin! Një pedagoge e Universitetit të Tiranës mendon se shifrat janë të fryra, por pranon se problemet ekzistojnë. Kosova është në krye të listës evropjane me 55 mijë analfabetë dhe 88 mijë analfabetë funksionalë.

Librat e zgjedhur janë shokët më të mirë, më të sinqertë dhe më të ndershëm që mund të ketë njeriu. Ato e kanë brenda vetes thesarin e mençurisë njerëzore, të diturisë, fesë, filozofisë, moralit dhe shkencës. Ato i kanë ndezur revolucionet dhe shpesh e kanë bërë punën e betejave të mëdha. Jo pa shkak Hazilte shkruante se: “autorët e vdekur janë njerëz që rrojnë e lëvizin”. Nuk e kanë thënë kot se nga një shpirt i vdekur libri të sjell një zemër përplot me gjallërim, por këtë e kuptojnë vetëm ata që lexojnë, ata që e kanë realizuar urdhrin e parë dhënë profetit analfabet dhe pasuesve të tij: “Lexo” sepse: “me anën e pendës (lapsit) i mësoi njeriut ato që nuk i dinte” [Kur’ani 96: 1, 4-5]. Sipas kësaj, kuptohet se shkrim-leximi është një detyrë e ligjshme, detyrim moral, mesazh qytetërimi dhe përgjegjësie sociale, që kërkon nga të gjitha segmentet e shoqërisë, përfshirë qeveritë, organizatat, shoqatat civile, organizatat ndërkombëtare dhe profesionale dhe sindikatat, për të kontribuar në procesin për çrrënjosjen e analfabetizmit. Ata që e kuptuan këtë e vlerësonin peshën e një libri me peshën e arit dhe prandaj përparuan dhe u civilizuan. Kur bënë të kundërtën, i gjeti e kundërta!

Është një shembull i mirë që e ka lënë i ndjeri Izetbegoviq për të ilustruar një nga shkaqet e kësaj dekadence. Kur Turqia e braktisi alfabetin arab, e gjithë popullata u bë analfabete brenda një nate dhe e tërë pasuria shkencore e së kaluarës u humb. Pas dyzet vjetësh më shumë se gjysma e popullatës ishte analfabete. Japonia, nga ana tjetër, që mbajti alfabetin e vet më të komplikuar, nuk kishte asnjë analfabet!

Megjithëse bota arabe nuk përmban pjesën më të madhe të muslimanëve të botës, unë mora për bazë një studim të vitit 2007, që do të na ndihmojë dukshëm të kemi një pasqyrim të situatës globale në lidhje me leximin. Thuhet aty, për shembull, se në botën islame, për kokë banori, ishte botuar një libër në dymbëdhjetë mijë banorë (1/12.000), kurse në Angli kjo shifër ishte një në pesëqind (1/500), çka nënkupton se përqindja e leximit në botën islame nuk ishte më shumë se 4%. Një raport tjetër thotë se mesatarja e leximit për person në botën islame për një vit ishte vetëm gjashtë minuta [ose një çerek faqeje], ndërsa në Evropë dhe Amerikë kjo ishte plot dyqind orë, përkatësisht njëmbëdhjetë libra.

Por sot, shumëkush mund të habitet përse Amerika, njëri nga vendet më të zhvilluara të botës, nuk është në listën e dhjetë të parëve të popullit që lexon, por besoni ose jo, Amerika nuk është as në listën e dhjetë të dytëve. Ajo e zë vendin e 22 të botës me Gjermaninë. “The Bureau of Labor Statistics” ka deklaruar se në vitin 2017 njerëzit mbi moshën 15-vjeçare në SHBA shpenzuan mesatarisht 16.8 minuta në ditë duke lexuar, 6.0 më pak se në vitin 2005 [me 22.8 minuta]. Ata gjithnjë e më shumë janë të nxënë në lojëra Candy Crush ose në postime në Facebook dhe Twitter?! Studimi sjell vijën fundamentale se gratë e arsimuara dhe me fitim më të lartë qëndrojnë në majë të piramidës së leximit në Amerikë.

Raporti i Qendrës Kërkimore “Pew” tregon për një rënie leximi nga 79% në vitin 2011 në 72% në vitin 2015. Meqë këtu përfshihen edhe ata që lexojnë “një libër … pjesërisht“, situata bëhet më e paqartë. Raporte të tjera thonë se numri mesatar i librave që secili person lexonte gjatë një viti ishte 4 deri në 12 libra, por këta janë numra të fryrë nga lexuesit e apasionuar. Natyrisht, ka shumë ndryshime midis demografive, sepse grupe të ndryshme lexojnë më shumë ose më pak. Bie fjala, gratë lexojnë më shumë (77%) se burrat (67%) amerikanë [2015]. Gruaja mesatare lexoi 14 libra në vit, ndërkohë që burri mesatar vetëm 9 libra. Për të dyja gjinitë, 90% e atyre që kanë mbaruar një universitet lexojnë se paku një libër në vit krahasuar me 34% të atyre me shkollë të mesme. Të moshuarit lexojnë më pak 80% të moshave 18-29-vjeçare krahasuar me 69% të moshës mbi 65-vjeçare.

PAW [2017] ka një studim interesant të publikuar më 14 shkurt 2019, ku tregohet se gratë lexojnë më shumë se meshkujt (19.8 me 13.2 minuta) në ditë dhe se leximi i meshkujve bie më shpejt se ai e grave. Ata të moshave 20-34 vjeç lexojnë më së paku, mesatarisht 6.6 minuta në ditë, kurse adoleshentët 1.8 minuta më shumë. Ata të moshave mbi 75 vjeç lexojnë më së shumti, mesatarisht 51 minuta në ditë. Në vitin 2018, 24% e të anketuarve të rritur amerikanë nuk kishin lexuar asnjë pjesë të librit gjatë vitit të kaluar [2017]. Të rriturit me të ardhura vjetore me më shumë se 30 mijë dollarë lexojnë tre herë më shumë se ato me të ardhura vjetore më pak se 30 mijë dollarë. Nga hulumtimet e Thomas Crowley-t, 85% e milionerëve lexojnë dy ose më shumë libra në muaj. Sipërmarrësit e suksesshëm lexojnë zakonisht deri në 17 libra në vit. Veçohet Bill Gates me 50 libra të lexuar në vit, pra për çdo javë nga një libër. Ata që kanë kryer universitet lexojnë pesë herë më shumë se ata që janë me shkollë të mesme ose pa të. Studimi ka marrë për bazë të dhënat e vitit 2016, ku thuhet se familja mesatare amerikane shpenzon 118 dollarë për lexim çdo vit, përfshirë librat, gazetat dhe revistat.

Askush nuk dyshon në pretendimin e studiuesve se si leximi të bën më të zgjuar, ta përmirëson inteligjencën, ta largon stresin, madje thonë edhe se ta zgjat jetën, por a të bën të lumtur? Sipas studimit “Quick Reads”, të rriturit që lexojnë së paku 30 minuta në javë, ndjehen 20% më të lumtur. I njëjti studim e ka hedhur poshtë pretendimin e shumë amerikanëve se nuk kanë kohë për të lexuar, ndërsa ka gjetur se ata shpenzojnë dhjetë herë më shumë kohë para ekraneve televizive!

Në fakt, nga një sondazh i kryer on-line nga GGK [2017], rezulton që kinezët të jenë populli që lexon më shumë. Në vend të dytë vijnë rusët dhe në vend të tretë janë spanjollët. Sondazhi ka marrë në konsideratë 17 vende, ku rezultatet thonë se “70% e kinezëve lexojnë libra çdo ditë ose thuajse çdo ditë”. Rusët arrijnë në 59%, kurse spanjollët në 57%. Nga vendet që u morën në sondazh, më pak lexojnë në Holandë dhe Korenë e Jugut, vende në të cilat 16% e të anketuarve deklaruan se nuk lexojnë kurrë libra. Në 2018-tën në krye gjendet India, me mesataren afro 11 orë lexim në javë [NOP World Culture Score Index, 2016].

Dorën në zemër, puna krijuese letrare tek shqiptarët është, siç thotë një shprehje popullore: “me ju dhimtë gurit e drunit”. Me përjashtim të 4-5 shtëpive botuese, në botimin e librave nuk ka asnjë kontroll, jo për të censuruar mendimin e autorit, por për të vlerësuar cilësinë letrare. Tani “autorët” kërkojnë sponsorime nëpër bashki, shoqata e biznese për botime që askujt si vlejnë. Nëse i kanë vetë paratë, shkruajnë një “libër”, i fusin disa emra për redaktorin, lektorin etj., por nuk ka asnjë redaktim dhe asnjë lekturim, për të mos folur për përmbajtjen! Meqë shqiptarët korruptohen shpejt, për fat të keq kështu veprojnë edhe disa shtëpi botuese që kanë emër. Kim Mehmeti ka një thënie kuptimplote se: “Thënien se shqiptarët nuk lexojnë, më së shumti e kanë fryrë autorët që nuk shkruajnë mirë, që s’dinë të shkruajnë” [Mapo.al, 25.11.2917].

Nuk besoj të ketë ndonjë vend tjetër në botë ku një popull i tërë i është turrur letërsisë dhe vetëquhen shkrimtarë e poetë! E, pra, kot qahemi se ne jemi “populli që nuk lexon”. Që jemi të tillë na thotë INSTAT [2017]: “një milion shqiptar nuk kanë lexuar asnjë libër”. Vetëm 44 mijë kanë lexuar më shumë se 10 libra dhe vetëm 102 mijë të tjerë kanë lexuar nga 5 deri në 10 libra gjatë vitit. Rreth 320 mijë shqiptarë të moshës mbi 25 vjeç raportuan se kanë lexuar më pak se 5 libra vitin e kaluar. Numri i frekuentimeve në bibliotekën kombëtare pothuajse është përgjysmuar: nga 150.000 në vitin 2016 në 88.000 në vitin 2017. Raportet televizive nga panairet e librit transmetojnë pamje nga pavijonet e shumta, ku lexuesit janë gati si turistë!

Natyrisht që për këtë ndikojnë faktorë të ndryshëm, një prej të cilëve mund të jetë edhe faktori ekonomik, por mua më duket më shumë nga mungesa e dëshirës për të lexuar, ndoshta është jocilësia që ia ka humbur shijen! Këtu gjithsesi bëjnë pjesë edhe problemi global, për të cilën Ismail Kadare thotë: “Jemi pasagjerë të mesjetës që kemi hipur mbi trena modern. Kompjuteri, interneti, iphone-t e vranë leximin e librave, ashtu siç televizioni vrau kinemanë”.

Pavarësisht të dhënave për lexueshmërinë, libri mbetet pushteti më bujar që të udhëheq, shkëndija e parë që të ndriçon për gjithë jetën, kurse leximi investimi më me vlerë që mund të bëjë njeriu. Jo më kot Ciceroni shkruante dikur se: “Një dhomë pa libra është si trup pa shpirt”. Mbetet i përjetshëm konstatimi i shkrimtarit të madh francez Marsel Prust, se: “Libri është një mik, ndërsa leximi është miqësia më e sinqertë njerëzore. Librat janë miq, ndaj të cilëve nuk shfaqim asnjëherë mirësjellje të rreme. Kur kalojmë net të tëra në libra, e bëjmë këtë duke u nisur vetëm nga dëshira e vërtetë”.