` . Amnesty: Siria dhe Rusia "qëllimisht po i sulmojnë spitalet" - TV-SHENJA

Amnesty: Siria dhe Rusia “qëllimisht po i sulmojnë spitalet”

Regjimi sirian dhe aleatja e tij, Rusia, janë angazhuar në “sulme të qëllimshme dhe sistematike” kundër spitaleve në verilindje të Sirisë, tha organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë një seancë urgjente për të diskutuar situatën në provincën Idlib – rajon i kontrolluar nga xhihadistët – ku forcat siriane dhe ruse kanë intensifikuar bombardimet nga ajri.

Shumica e sulmeve raportohet se kanë goditur pjesën jugure të Idlibit dhe pjesën veriore të provincës fqinje, Hama, që kontrollohen nga ish-dega e Al Kaidës, Hayat Tahrir al-Sham.

“Iu bëjmë thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që takohen të premten për të bërë gjithçka të mundur për t’i dhënë fund kërdisë kundër civilëve në Idlib dhe për t’i mbajtur përgjegjës kryesit e këtyre krimeve të tmerrshme”, tha Lynn Maalouf, drejtor për Lindjen e Mesme në organizatën Amnesty International.

Grupi i të drejtave të njeriut kërkoi që Rusisë t’i bëhet presion nga Këshilli i Sigurimit për, siç tha, “sulmet e qëllimshme ndaj 15 spitaleve në Idlib dhe Hama”.

Kombet e Bashkuara thanë se së paku 18 spitale dhe klinika në këto rajone janë shkatërruar ose dëmtuar nga sulmet ajrore gjatë javëve të fundit.

Sulmet kundër spitaleve u kryen përkundër një mekanizmi të OKB-së, në bazë të të cilit objektet shëndetësore do të duhej të kurseheshin nga luftimet.

Amnesty International tha se stafi nga katër spitale i ka thënë organizatës se ata kanë qenë në shënjestër “pavarësisht ndarjes së koordinatave të tyre me qeveritë siriane dhe ruse”.

Miliona njerëz janë zhvendosur dhe më shumë se 370,000 janë vrarë që nga shpërthimi i luftës civile në Siri në vitin 2011.