` . Amerika e parë e Nolit – TV-SHENJA

Amerika e parë e Nolit

“Shqipëria e jashtme” duhej të organizohej në mbështetje të përpjekjeve çlirimtare në “Shqipërinë e brendshme”. Noli pasqyronte vazhdimisht me shkrimet e tij veprimtaritë që zhvillonte mërgata irlandeze në Amerikë në ndihmë të lëvizjes kombëtare në atdhe.

Shkruan: Enis SULSTAROVA, Tiranë

Fan Noli është figura shembullore diasporike e nacionalizmit shqiptar. Ndryshe nga figura të tjera të njohura të diasporës, që kishin lindur në Shqipëri dhe më pas mërguan për arsye të ndryshme dhe zhvilluan veprimtaritë e tyre larg atdheut, Noli lindi dhe e kaloi fëmijërinë në një koloni shqiptare në krahinën e Trakës. Ai shkeli për herë të parë në Shqipëri në vitin 1913, por vetëm në vitet 1921-1924 do ta kishte rezidencën e vet të qëndrueshme aty, përpara se të merrte rrugën e mërgimit. Maturimi dhe formimi i tij intelektual u realizuan jashtë trojeve etnike shqiptare dhe është e pritshme që vendet ku ai jetoi të kenë lënë gjurmë në karakterin, idetë dhe veprën e tij. Në Amerikë Noli kaloi pjesën më të madhe të jetës. Ai u lidh ngushtë me këtë vend dhe dy arritje të rëndësishme të punës së tij për çështjen shqiptare nuk mund të veçohen nga konteksti amerikan. E para është themelimi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, realizimi i së cilës u mundësua edhe nga liria e besimit në SHBA dhe nga ekzistenca në këtë shtet e një shumësie të kishave të pavarura të orientimeve të ndryshme, që ishin fryt i nismave të vetë besimtarëve. Edhe kisha shqiptare lindi në mërgatë, e kërkuar nga besimtarët dhe njohjen zyrtare nga Patrikana e arriti rreth 20 vjet më vonë. Arritja e dytë e rëndësishme e Nolit dhe e mërgatës shqiptare në Amerikë ishte lobimi pranë Presidentit Uillson për njohjen e Shqipërisë si shtet i pavarur.

Noli shkoi në Amerikë në vitin 1906 dhe jetoi aty në dy periudha të jetës së vet, të ndara nga një ndërprerje prej afro dhjetë vjetësh, gjatë së cilës qëndroi dhe Shqipëri dhe në vende të tjera evropiane. Periudha e parë amerikane, nga viti 1906 deri në vitin 1920 është më e rëndësishme për sa i përket publicistikës politike dhe veprimtarisë me mërgatën amerikane. Shoqëria dhe kultura amerikane, pjesë e së cilës ishin edhe shqiptaro-amerikanët, shfaqen në faqet e publicistikës së Nolit, kryesisht në artikujt e botuar në gazetën Dielli. Te shkrimet e tij spikasin disa tema, për të cilat Noli shkruan në vijimësi kohore ose te të cilat kthehet herë pas here. Sigurisht që tema kryesore që ka lidhje me Amerikën është organizimi i mërgatës shqiptare në këtë vend dhe ndihmesa e saj për çështjen shqiptare. Noli dhe Konica janë ndër themeluesit dhe kryesuesit më të njohur të organizatës Vatra, e cila synonte t’i bashkonte të gjithë organizata e shqiptarëve në SHBA dhe t’i orientonte ato drejt përpjekjes kombëtare. Kjo nuk ishte aspak një punë e lehtë dhe Noli qysh në fillim e kuptoi se organizimi i shqiptaro-amerikanëve duhej të ecte me hapin e njëjtë të ndërgjegjësimit kombëtar të tyre. Edhe në kushtet e lirisë individuale, ku mungonte përndjekja e shtetit osman dhe e agjentëve të Patrikanës, shqiptarët e Amerikës në fillim të shek. XX, shumica e tyre ortodoksë, orientoheshin drejt kishës greke. Në një artikull të vitit 1906 Noli i përshkruan vështirësitë që hasi në një fushatë pajtimi për gazetën Kombi. I dëshpëruar dhe i zhgënjyer ai tregon për shpërpjesëtimin e madh midis shumës së parave të dhuruara nga bashkësitë shqiptare për kishën greke dhe të parave që mblodhi ai nga pajtimet. Edhe pse Noli nuk e analizon në artikull këtë sjellje, me gjasë ai atëherë e kuptonte se kisha, me simbolikën dhe ritualet e saj, ishte pjesë përbërëse e jetës shpirtërore të shqiptarëve dhe një institucion komunitar, prandaj shqiptaro-amerikanët, me gjithë ngushtësinë ekonomike, e mbështesnin financiarisht. Ndërsa shtypi shqiptar nuk mund të përhapej gjerësisht edhe për arsye të analfabetizmit dhe të mungesës së një organizimi të gjerë politik shqiptar. Shumica e organizatave të shqiptaro-amerikanëve ishin lokaliste dhe shërbenin si ura lidhjeje shpirtërore dhe komunikimi me familjarët në vendlindje. Nevojën për një kishë kombëtare ortodokse në Shqipëri Noli e shprehte në një artikull të dhjetorit të vitit 1907, ku shkruante se atyre që do ta realizonin do t’u mbetej emri i pavdekshëm në historinë e Përlindjes shqiptare. Disa muaj më vonë, në mars 1908, ai do të shkruante se pamundësia e realizimit të saj në Shqipëri për atë kohë duhej kompensuar me krijimin e një peshkopate ortodokse shqiptare në Amerikë, “fronin e së cilës ta shpiem në Shqipëri një ditë”. Themelimin e kishës në Amerikë Noli e konsideronte fillimin e punës dhe në një shkrim të marsit të vitit 1909 sugjeronte mbajtjen e një kongresi të ortodoksëve shqiptarë në Korçë ose Elbasan që do t’ia dërgonte kërkesën Patrikanës për njohjen e pavarësisë së kishës shqiptare.

Kur e analizonte rolin e mërgatës shqiptare në çështjen kombëtare Noli bënte dallimin midis “Shqipërisë së brendshme” dhe “Shqipërisë së jashtme”. Me të parën kuptonte trojet etnike shqiptare nën sundimin osman, kurse me të dytën qendrat e mërgatës shqiptare nëpër botë. Edhe pse në Shqipëri po dukej se xhonturqit po lejonin organizimet e klubeve kulturore shqiptare, Noli mendonte se puna kulturore dhe politike në “Shqipërinë e jashtme” duhej të vazhdonte, sepse kuptohej që liria e shprehjes së ideve ishin shumë më të mëdha edhe në liri politike. Bashkimi i qendrave të diasporës shqiptare rreth një programi kombëtar ishte i nevojshëm, sidomos në rast se politika xhonturke do të kthente. Ngjarjet i dhanë të drejtë Nolit, sepse qeveria osmane xhonturke nisi mbylljen e klubeve, ndalimin e gazetave opozitare dhe mbledhjen e armëve prej malësorëve të Shqipërisë së Veriut. Sërish, graviteti i lëvizjes nacionaliste kaloi te “Shqipëria e jashtme”. Në një polemikë të vitit 1909 me gazetën Liria që botohej në Selanik dhe përkrahte politikat xhonturke, Noli shkruan: “ ‘El-hamd ul-ilah’ ndodhemi në Amerikë dhe do të rrimë këtu sa kohë Shqipëria nxjerr burra dhe trima si direktori i ‘Lirisë’ me çomage xhonturke në dorë, gati t’ja shtypin kokën cilido që s’është në mëndjen e tyre”.

“Shqipëria e jashtme” duhej të organizohej në mbështetje të përpjekjeve çlirimtare në “Shqipërinë e brendshme”. Noli pasqyronte vazhdimisht me shkrimet e tij veprimtaritë që zhvillonte mërgata irlandeze në Amerikë në ndihmë të lëvizjes kombëtare në atdhe. Edhe irlandezët kërkonin liri nga një perandori, madje perandoria më e fuqishme e kohës, edhe spe disa herë kishin dështuar, por nuk e humbitnin shpresën dhe vijonin përpjekjet e tyre. Pa diasporën e madhe dhe të mirë-organizuar në Amerikë, ndoshta lëvizja irlandeze në atdhe do të ishte shuar. Noli me këto shkrime kërkonte që edhe shqiptaro-amerikanët të ndiqnin shembullin irlandez, dëshirë që shfaqet edhe te vargjet e famshme të tij “Mbahu, Nëno mos kij frikë/ se ke djemtë n’Amerikë”. Disa herë në vitet 1911-1912 Noli bënte thirrje në shtypin e mërgatës shqiptaro-amerikane për të mbledhur para për kryengritësit shqiptarë në Gegëri dhe për familjarët e tyre që ishin refugjatë. Këtë ai e shikonte edhe si provë të solidaritetit kombëtar, meqenëse në atë kohë shumica e shqiptaro-amerikanëve vinin nga Toskëria. Gjatë Luftës së Madhe, atëherë kur “Shqipëria e brendshme” u pushtua nga ushtritë ndërluftuese, Noli sërish bënte thirrje që “Shqipëria e jashtme”, sidomos mërgata amerikane, të punonte për ringjalljen e pavarësisë së vendit. Siç dihet, “Vatra” dërgoi disa delegatë të saj në Evropë, midis tyre edhe Noli, për të lobuar pranë qeverive dhe Konferencës së Paqes për interesat kombëtare shqiptare.

Noli ka shkruar edhe për rolin që luanin kolegjet amerikane që hapeshin në Perandorinë Osmane me mbështetjen e kishave protestante dhe të kapitalistëve bamirës amerikanë. Disa mendonin se osmanët nuk i lejonin shkollat shqipe, por nuk mund të refuzonin lehtë hapjen e kolegjeve amerikane për fëmijët shqiptarë dhe këto shkolla do t’i shërbenin vetëdijesimit kombëtar. Noli në parim nuk ishte kundër hapjes së kolegjeve amerikane, por kërkonte që kjo çështje të gjykohej më thellë. Kolegjet amerikane nuk mund të zëvendësonin shkollat fillore shqipe. Noli mendonte se arsimi themelor në gjuhën amtare është më i rëndësishmi, sepse ai siguron që nxënësit që ndjekin arsimin e lartë në shkollat e huaja të jenë të dobishëm për Shqipërinë. Pa shkollat fillore shqipe, edhe kolegjet amerikane nuk do të frekuentohen dot, sepse fëmijët që arsimin fillor e kryenin në turqisht ose greqisht do të parapëlqenin që edhe nivelet e mëvonshme t’i kryenin në këto gjuhë. Në një artikull të vitit 1910 ai nxiste diasporën shqiptare në Amerikë, Rumani dhe Egjipt, që të mblidhte fonde për Shkollën Normale, e cila nëse nuk mund të hapej në Shqipëri, përkohësisht duhej vendosur në Zvicër për të qenë brenda Evropës dhe njëkohësisht larg ndikimit të shteteve evropiane që kishin interesat e veta në Shqipëri.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, Noli raportonte në gazetë jo vetëm mbi zhvillimet në Shqipëri, por edhe në frontet e tjera dhe lëvizjet diplomatike të fuqive. Edhe pse në shkrimet e tij ndjehet njëfarë simpatie për fuqitë e bllokut, për shkak të politikës më të favorshme për shqiptarët nga ana e Austro-Hungarisë, prapëseprapë Noli i trajtonte me objektivitet përpjekjet midis palëve ndërluftuese dhe përpiqej që, nëpërmjet analizës së forcave, të kuptonte se cila prej tyre do të dilte fitimtare. Gjithashtu, te objektiviteti i analizave të Nolit do të ketë ndikuar edhe fakti se Dielli botohej në një shtet që ishte neutral në pjesën e parë të Luftës. Për këtë arsye një interes të posaçëm për Nolin kishin komunikimet diplomatike midis SHBA-së dhe Gjermanisë lidhur me viktimat e civilëve amerikanë të sulmeve me nëndetëseve gjermane ndaj anijeve të Antantës. Noli përshkruante lobimet e dy krahëve të luftës pranë Kongresit, dilemat e Presidentit, angazhimet amerikane në Meksikë, marrëdhëniet e Amerikës me Japoninë, ndikimin e opinionit publik dhe të grupeve të interesit, si dhe organizimet e irlandezo-amerikanëve për pavarësinë e vendit të tyre nga Mbretëria e Bashkuar. Pasi i merrte në sy të gjithë këta faktorë, ai shpjegonte se shumica e amerikanëve dhe e grupeve të fuqishme të interesit ishin përkrahës të Antantës dhe se Gjermanisë dhe përkrahësve të saj në vend do t’u duhej një politikë e zonja dhe e hollë për ta mbajtur Amerikën jashtë luftës. Në rast se Amerika përfshihej në luftë, Noli nuk kishte më dyshime se cilës anë do t’i takonte fitorja dhe, në këtë kuadër, kuptohet zelli i tij dhe i mërgatës shqiptaro-amerikane për të lobuar pranë presidentit Uillson dhe ish-presidentit Ruzvelt lidhur mbi pavarësinë dhe interesat e Shqipërisë. Noli botoi artikuj në anglisht në gazetën The Adriatic Review, të themeluar nga “Vatra” dhe të drejtuar nga vetë ai dhe Konstantin Çekrezi, për të informuar publikun amerikan mbi çështjen shqiptare dhe mbi rreshtimin pro aleatëve të shqiptarëve në Luftën e Madhe.

Një temë tjetër “amerikane” në publicistikën e Nolit është edhe lëvizja sindikaliste në SHBA, ku përfshiheshin edhe punëtorët shqiptarët. Në një shkrim të vitit 1911 ai raportonte mbi një grevë në një fabrikë këpucësh në Hadsën [Hudson], ku merrnin pjesë afro 50 shqiptarë. Ai e shpjegonte dinamikën midis fabrikantit dhe punëtorëve, duke mbajtur anën e këtyre të fundit, çka e bënte atë që të mos e miratonte veprimin e disa shqiptarëve të tjerë, që u bënë grevëthyes: “Sjellja e tyre është e turpshme. U bëjnë dëm jo vetëm shqiptarëve të Hadsënit, të cilët u rrëfyen të parë në çdo lëvizje kombëtare, por përgjithësisht edhe emrit shqiptar në Amerikë”. Ai u këshillonte qëndresë grevistëve shqiptarë, që të mos e braktisin fjalën e dhënë shokëve amerikanë dhe sindikatës. Te simpatia e Nolit për grevistët do të ketë ndikuar përvoja e tij si punëtor në një punishte lëndësh drusore dhe aty gjejmë edhe shenja të pozicionit të tij të mëvonshëm në politikën e shtetit shqiptar.

Në përfundim të këtyre shënimeve mbi praninë e Amerikës në publicistikën e Fan Nolit ia vlen të theksohet se Noli dhe Konica mbeten edhe sot ndër shqiptaro-amerikanët më të shquar dhe gurthemele në historinë e miqësisë midis dy kombeve. Shkuarja e Nolit dhe Konicës në Amerikë në fillim të shek. XX do të dilte fatlume për mbrojtjen e interesave kombëtare shqiptare nga shteti që do të bëhej një superfuqi botërore. Aq i bindur ishte Noli për domosdoshmërinë e lidhjeve shqiptaro-amerikane, saqë paçka simpatisë që kishte shprehur për regjimin komunist të Shqipërisë në vitet e para të çlirimit, ai nuk mund t’ia kursente kritikat për vendimin e gabuar për shkëputjen tërësore të marrëdhënieve me SHBA-në. Ngjarjet në Ballkan në fund të shek. XX do t’i jepnin të drejtë.