` . Ambiciet e italianëve, gjermanëve, kroatëve dhe serbëve për tokat e Sanxhakut - TV-SHENJA

Ambiciet e italianëve, gjermanëve, kroatëve dhe serbëve për tokat e Sanxhakut

Pas mossuksesit të kryengritësve (partizanëve) të depërtojnë në Peshter dhe të bashkohen me Serbinë, në malet e Maqkovicës është vendosur fronti, i cili më nuk lëvizi. Për ta mbrojtur më lehtë rrethin e Senicës, pushteti kroat e armatosi popullsinë myslimane, duke i rreshtuar në formacionet e milicisë myslimane

Shkruan: Ismet AZIZI, Gjilan

kohën kur veshja kombëtare shqiptare, si bartja lirshëm në kokë e qeleshes (plisit), pastaj vendosja për herë të parë e firmave të punëtorive dhe dyqaneve në gjuhën shqipe, si dhe zhvillimi i mësimit në gjuhën shqipe dhe vijimi i mësimin në shkolla në këtë gjuhë në Sanxhakun e Pazarit të Ri, për qarqet reaksionare serbo-komuniste konsiderohej si shqiptarizim i popullsisë autoktone, joserbe. Shqiptarizim me dhunë konsiderohej edhe kur në Sanxhak gjuha zyrtare ishte shqipja, kur rrugët ishin emëruar me emra të figurave historike shqiptare e nëpër qytet valonin flamujt shqiptarë dhe harta e Shqipërisë Etnike.

Me mbështetjen e gjermanëve, më 6 gusht të vitit 1941, Këshilli i Komisionarëve miratoi Rregulloren për administratën në Kosovë. Me të ishte paraparë që këtë krahinë ta përbëjnë rrethet: Mitrovica, Pazar e Ri, Vushtrria dhe Podujeva dhe ajo të jetë nën banovinën e Drinës, selia e së cilës do të jetë në Uzhicë. Shqiptarët do të duhej ta delegonin në banovinë përfaqësuesin e vet në rangun e ndihmësit të guvernatorit. Sipas dekretit, për krerët e rretheve do të emërohen anëtarët e etnisë që përbënte shumicën, ndërsa zëvendësit do të ishin anëtarë të pakicës, me kusht që, të paktën, 25% e popullsisë së rrethit t’i takojë etnisë pakicë. Por, Lidhja Kombëtare Shqiptare i rezistoi zbatimit të kësaj rregulloreje. Në një takim në Feldkomandanturën në Nish, më 16 dhe 17 nëntor të vitit 1941, përfaqësuesit e Lidhjes Kombëtare Shqiptare janë këshilluar që më nuk mund të diskutojnë për autonominë dhe se ata janë qytetarë serbë. Të dyja palët arritën një marrëveshje për futjen e gjuhës shqipe në administratë, për formimin e një administrate të veçantë financiare për rrethin e Mitrovicës dhe që xhandarmëria shqiptare nga 1 marsi i vitit 1942, me të njëjtën përbërje dhe staf ekzistues, t’i bashkohet Rojës Kombëtare Serbe dhe të jetë pjesë integrale e saj.

Për t’u dalë nga dora italianëve, sepse ata në bisedime shpesh theksonin se zona italiane të interesit konsiderohen të gjitha territoret ku popullsia shqiptare është shumicë, gjermanët – në dhjetor të vitit 1941, me rastin e sjelljes së rregullores për heqjen e banovinave dhe ndarjen e re territoriale – e urdhëruan qeverinë e Nediqit që në këtë trevë të formohet një qark i veçantë, të cilit do t’i bashkëngjitet edhe rrethi i Studenicës me seli në Rashkë. Në rrethin e Studenicës nuk kishte asnjë banor shqiptar. Kështu me këta 27.988 banorë të popullsisë serbe do të ndryshonte dukshëm struktura e popullsisë në territorin në fjalë. Me dhënien e autonomisë së kësaj pjese të Kosovës dhe Sanxhakut, gjermanët “de jure” do ta pranonin ekzistimin e shumicës shqiptare, gjë që Italinë do ta sillte në pozitë që ta përtërijë kërkesën që këtë treve t’ia bashkëngjisë Shqipërisë. Ndërkohë më 25 prill 1942 në Mitrovicë dhe Pazar të Ri, si dhe më 26 prill në Vushtrri dhe Podujevë, kishte hyrë, në të vërtetë, një numër simbolik i anëtarëve të Gardës kuislinge të shtetit serb. Komandanti i xhandarmërisë shqiptare, Pajazit Boletini, ishte graduar nga Millan Nediqi në rangun e majorit serb dhe, më vonë, në lejtant kolonel, duke u emëruar komandant i qarkut të Gardës Serbe të Shtetit. Kështu, sipas autorit Rahiq: “Pushteti ishte i përzier deri në rastin e hyrjes së trupave komuniste në rajon”.

Bazuar në marrëveshjen gjermane-italiane të 23 prillit të vitit 1941, në zonën e pushtimit gjerman hynë: Priboji, Nova Varoshi, Senica dhe Pazari i Ri, ndërsa në zonën italiane mbeti territori i Plevlës, Bijelo Polës, Prijepolës dhe Tutinit. Gjermania, me një ndarje të tillë, vazhdoi ta ruajë kontrollin mbi rrugët kryesore të Sanxhakut. Në anën tjetër, pjesa italiane ishte ndarë përsëri në dy pjesë, në dy federata të saj, me ç’rast federatës shqiptare i mbetën: Tutini, Rozhaja, Plava dhe Gucia, ndërsa asaj malazeze: Berana, Bijelo Pola dhe Plevla.

Menjëherë pas pushtimi të rretheve të Sanxhakut, u bë lustracioni i plotë i personelit serb në sistemin administrativ dhe, kështu, në vend të tyre erdhën myslimanët. Ky hap shkonte në favor të popullaritetit të regjimit të ustashëve në radhët e popullatës myslimane. Me gjithë kundërshtimet dhe kërkesat e myslimanëve, serbët u angazhuan, aq sa ishte e mundur, që Sanxhaku t’u takojë autoriteteve pushtuese italiane. Për disponimin e myslimanëve ndaj idesë së bashkimit të Sanxhakut me Shtetin e Pavarur Kroat flet edhe ngjarja interesante që ka ndodhur në Senicë më 15 qershor 1941. Atëherë rryma pro-ustashe e shfrytëzoi mungesën e gjermanëve dhe kështu bëri puç, duke e shkarkuar nga pushteti kryeshefin e rrethit që ishte me orientim pro-shqiptar. Menjëherë pasoi një letër nga një pjesë e myslimanëve të Pazarit të Ri, të cilët kërkuan që rrethi i Dezhevës t’i bashkohet shtetit kroat.

Në anën tjetër, gjermanët qysh më 20 prill, në takimin me liderët shqiptarë të Kosovës dhe Dukagjinit, por edhe nga Dezheva, Shtavica dhe Senica, premtuan se do ta krijojnë të ashtuquajturën “Shqipëri e Vogël”, kjo si një kundërpeshë ndaj Shqipërisë së Madhe, e cila do të ishte në union me Italinë. Kjo krijesë pritej t’i përfshijë tre rrethet e përmendura në territorin e Sanxhakut dhe disa pjesë të Kosovës dhe Dukagjinit. Por, shqiptarët, deri në fund të prillit, në të tria rrethet e morën pushtetin. Megjithatë, së shpejti ai akt shfuqizohet dhe Qarku i Mitrovicës, së bashku bashkë me atë të Dezhevës dhe Senicës, mbeten në Serbi, edhe pse shqiptarët vazhduan ta mbanin pushtetin, ndërsa qarku i Shtavicës (Tutinit) iu aneksua Shqipërisë Etnike. Pas kësaj, aspiratat territoriale të shqiptarëve u mbështetën kryesisht nga Italia, duke premtuar zgjerimin e pushtetit shqiptar jashtë qarkut të Shtavicës, Dezhevës (Pazarit të Ri) dhe Senicës në atë të Milleshevës dhe, madje, edhe në pjesët e rrethit Kralevës. Megjithatë, qeverisja shqiptare nuk është zgjeruar përtej qarkut të Shtavicës dhe Dezhevës. Tashmë, siç është thënë më herët, në Senicë pushteti është hequr në mes të qershorit.

Autori Zhivkoviq, për ta diskretituar pushtetin dhe kreun politik shqiptar, i akuzon ata që i sollën shqiptarët nga Kosova dhe Dukagjini, duke u përpjekur që “me forcë të arrijnë t’i realizojnë pretendimet e tyre territoriale, sidomos ato përgjatë luginës së Ibrit. Edhe pse qeveria kuislinge shqiptare në territorin e qarkut të Dezhevës dhe Shtavicës kishte bërë ndryshim të plotë të personelit dhe ishin kthyer marrëdhënieve feudale të kohës së para vitit 1912, megjithatë ajo nuk e fitoi përkrahjen e plotë të popullsisë myslimane. Mandej, si arsye kryesore për këtë, siç thotë ai, ishte zbatimi i një politike agresive të shqiptarizimit të myslimanëve, të cilët u konsideruan si shqiptarë të serbizuar”. Sipas autorit Zhivkoviq: “Shqiptarizimi me dhunë i popullsisë myslimane u pasqyrua me faktin se myslimanët u detyruan të veshin qeleshe (plisa) në vend të fesit, t’i shkruajnë firmat e punëtorive dhe dyqaneve në gjuhën shqipe, ta mësojnë gjuhën shqipe dhe të vijojnë mësimin në shkolla në këtë gjuhë. Gjuha zyrtare ishte shqipja, një numër i madh i rrugëve u emërtua me emra të figurave historike shqiptare, nëpër qytet valonin flamujt shqiptarë dhe harta e Shqipërisë së Madhe etj.

Zgjerimi i Shqipërisë së etnike dhe i Shtetit të Pavarur Kroat, sidomos në territorin e Sanxhakut, i ka shkaktuar dyshimet e Italisë, e cila e konsideronte këtë hapësirë si një korridor të përshtatshëm për ta përhapur ndikimin e saj në Serbi. Prania e forcave të armatosura të Shtetit të Pavarur Kroat në rrethet veriore të Sanxhakut u pa nga Roma si një akt i armiqësisë së hapur. Prandaj, autoritetet okupuese italiane kanë kërkuar bisedime të reja me përfaqësuesit e Rajhut në Serbi, të cilat u mbajtën në Beograd në fillim të korrikut 1941. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, qeveria italiane mori kontrollin e Nova Varoshit, Prijepoles, Pribojit, dhe Senicës, ndërsa gjermanët e mbajtën rrethin e Dezhevës me Pazarin e Ri. Trupat kroate, me këtë rast, janë detyruar të evakuohen nga Sanxhaku deri më 5 shtator të vitit 1941, kur ushtria italiane, më në fund, i pushtoi këto zona.

Deri në kapitullimin e Italisë në shtator të vitit 1943 nuk do të ketë ndryshime të rëndësishme në territorin e Sanxhakut. Por, kryengritja kundër forcave pushtuese në Sanxhak filloi më 14 korrik 1941, me sulmin në Mojkovc. Sulmi u zhvillua nën ndikimin e kryengritjes së fortë (partizane) në territorin e Malit të Zi, me ç’rast masivizimi dhe energjia i ka befasuar jo vetëm italianët, por edhe Partinë Komuniste të Jugosllavisë.

Për disa ditë, përkatësisht deri më 22 korrik të vitit 1941, kryengritësit partizanë morën Kolashinin, Andrijevicën, Beranën, Bijelo Polen dhe Mojkovcin, ndërsa Plevla dhe Prijepole ishin bllokuar. Qendër e këtij territorit ishte Bijelo Pole. Shumë shpejt u bë edhe organizimi i qeverisjes, më saktë vendosja e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar. Në këtë kohë lindën mosmarrëveshjet ndërmjet kryengritësve. Shumë oficerë dhe përfaqësues të pushtetit të para-Luftës nuk mundën ta njohin fazën e parë të revolucionit komunist. Superioriteti ushtarak dhe organizimi më i mirë se ushtria e kryengritëse (partizanët) ishte shkak që trupat italiane lehtë ta shtypin rezistencën dhe, kështu, më 10 gusht gjithë këtë territor e ripushtuan, duke lënë pas “gjurmë të përgjakshme”. Më në fund, më 5 shtator italianët hynë në Nova Varosh, të cilin në atë mëngjes e kishin marrë forcat kroate, por ato shumë shpejt u larguan. Pastaj deri në mesin e tetorit do të ketë aksione kryengritëse në këtë rajon, ndërsa vatra e konfliktit do të transferohet në rrethet lindore të Sanxhakut.

Siç mund të shihet, kryengritja partizane në Sanxhak është zhvilluar plotësisht në mënyrë të pabarabartë. Përderisa në Bijello Pole ekzistonte brigada me 5,000 kryengritës, të cilët e morën qytetin lehtë, pa dijen dhe drejtimin e KQ të PKJ, në rrethin e Shtavicës dhe Dezhevës, si dhe në trevën e Rozhajës, nuk ka pasur asnjë kryengritës. Partia Komuniste nuk ka ekzistuar në këtë trevë dhe gjendja do të mbetej e pandryshuar deri në vitin 1944. Treva e rrethit të Senicës, Prijepoles, Pribojit e Novo Varoshit, për shkak të mosorganizimit dhe inkoherencës së kryengritësve, mbetën të përjashtuara nga kryengritja deri në ditën e fundit të gushtit të vitit 1941, atëherë kur trupat kroate filluan të largohen nga Sanxhaku. Për ta parandaluar përhapjen e kryengritjes, italianët kanë përdorur lloj-lloj njësi të parregullta myslimane (fjala është për milicinë myslimane) nga Sanxhaku, Kosova dhe Dukagjini, për t’i frikësuar dhe dëbuar serbët që të identifikohen si bartës të kryengritjes. Këto grupe i dogjën fshatrat pranë Rozhajës, Brodarevës, Plavës, Gucisë, Peshterit dhe Tutinit. Në të vërtetë, qarku i Shtavicës (Tutinit) në korrik u bë vendtakimi për të gjitha llojet e grupeve plaçkitëse, ndërsa veprimtaria e tyre rezultoi me anarki të plotë në këtë trevë të varfër. Ato grupe kanë lëvizur në drejtim të Bjello Poles, por janë ndaluar në malet e Koritës. Deri në fund të vitit të gjithë serbët e këtij qarku ishin shpërngulur. I njëjti rast ndodhi edhe me Brodarevën. Patjetër duhet të thuhet se ka pasur disa raste, të cilat duhet vlerësuar lart, të ndihmës së myslimanëve në strehimin dhe mbrojtjen e serbëve nga dhuna dhe dëbimi. Pas mossuksesit të kryengritësve (partizanëve) të depërtojnë në Peshter dhe të bashkohen me Serbinë, në malet e Maqkovicës është vendosur fronti, i cili më nuk lëvizi. Për ta mbrojtur më lehtë rrethin e Senicës, pushteti kroat e armatosi popullsinë myslimane, duke i rreshtuar në formacionet e milicisë myslimane. Situata më e ndjeshme ishte në qarkun e Pazarit të Ri, ku serbët, në fund të korrikut dhe fillim të gushtit, filluan të rezistojnë spontanisht ndaj taksave feudale të agallarëve dhe bejlerëve myslimanë. Pastaj ndodhin vrasjet e para, të cilat me vete tërheqin hakmarrjet e xhandarmërinë shqiptare nga Pazari i Ri dhe dëbimin e parë të serbëve nga rrethi i Pazarit të Ri. Refugjatët janë vendosur në malin Goli dhe në luginën e lumit Ibër. Por, njësitë çetnike pastaj u hakmorën kundër popullatës myslimane dhe kështu u krijua uvertura e konflikteve shkatërruese të armatosura, që do të ndodhin gjatë tetorit dhe nëntorit të vitit 1941 në të gjithë qarkun.