` . Rama flet për foton me Obamën pas padisë së PD-së - TV-SHENJA

Rama flet për foton me Obamën pas padisë së PD-së

Edi Rama ka folur sërish për foton e tij me Barack Obamën, por këtë herë duke iu referuar padisë që ka bërë PD-ja mesditën e sotme ndaj tij. Edhe këtë herë Rama është shmangur nga dhënia e llogarisë për paratë e paguara dhe faktin e zbuluar nga FBI-ja se ai nuk është bërë dot pjesë e darkës së Obamës, por ka mundur të bëjë vetëm një foto me të.

Ja çfarë thotë Rama sot:      

Kryeministri Edi Rama shpreh edhe njëherë keqardhjen për përpjekjen e dëshpëruar të Partisë Demokratike për të mos u përballur me nevojën reale të vendit sot, që është Reforma në Drejtësi.

Kallëzimi i Partisë Demokratike për fotografinë e vitit 2012 me Presidentin Obama, kur Kryeministri i sotëm ishte në opozitë dhe akuza për financim të paligjshëm nga ana e tij të fushatës së Presidentit Obama, përben një tjetër rast për qytetarët për të parë se në çfarë niveli dëshpërimi gjendet opozita e sotme.

Kryeministri Rama s’ka lidhje me asnjë lloj financimi të paligjshëm dhe i vetmi “krim” që ka bërë në vitin 2012 është se ka dalë në fotografi me Presidentin e SHBA në një kohë kur qeverisë shqiptare dhe shefit të saj i ishin mbyllur të gjitha dyert dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë vuanin rrënimin e imazhit të vendit tonë për shkak te keqqeverisjes.

Ishte koha kur qeveria e Shqipërisë shpërdoronte miliona dollarë nga taksat e shqiptarëve, për të lobuar në SHBA jo për Shqipërinë, po për përbaltjen e Partisë Socialiste dhe Edi Ramës me artikuj dizinformues të porositur e të paguar nga Tirana.

Edhe sot Partia Demokratike vazhdon të paguajë për të nxjerrë artikuj në gazeta të dorës së dytë e të tretë matanë oqeanit, që përpiqet t’i shesë në Shqipëri si “bomba” kundër qeverisë së sotme, e cila u prit zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë pas vitesh të tëra dyersh të mbyllura.

Kryeministri Edi Rama përfiton edhe njëherë nga rasti për t’i bërë publikisht thirrje Partisë Demokratike që përveç propagandës së baltës dhe kallëzimeve që janë pjesë e kësaj propagande, të merret seriozisht me nevojën historike të vendit për Reformën në Drejtësi. Një drejtësi e çliruar nga kthetrat e korrupsionit politik e financiar, do të çlirojë më në fund edhe të vërtetën e gjithë akuzave të Partisë Demokratike si edhe të vërtetën e krimeve të pandëshkuara në gjithë këto vite!

Pse i trembet Partia Demokratike këtij çlirimi të domosdoshëm për të gjithë?

Pse nuk pranon Partia Demokratike që partitë së bashku të heqin duart nga kontrolli i sistemit e drejtësisë?

Çfarë e frikëson Partinë Demokratike në përfshirjen e aleateve tanë strategjikë në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit të Reformës në Drejtësi?

Këto janë pikëpyetjet e mëdha të Shqipërisë së sotme dhe jo fotografia e vitit 2012 me Presidentin e Shteteve të Bashkuara.

Postime të Ngjajshme