` . Alternativa e emigrimit - TV-SHENJA

Alternativa e emigrimit

Shkruan: Senat Ferati

Para disa ditësh subjekti politik Alternativa paralajmëroi një nismë, sa fisnike aq edhe kombëtare, për të sensibilizuar, para së gjithash, qytetarët shqiptarë për seriozitetin e fenomenit të migrimit, jo vetëm të të rinjve, për në vendet të ndryshme të Bashkimit Evropian, veçanërisht në Gjermani. Edhe pse edhe viteve të kaluara në vazhdimësi është folur për këtë dukuri brengosëse, por meqë efektet e reagimeve dhe masave të marra për parandalimin e kësaj dukurie ishin thuajse joekzistuese, kjo nismë ishte ideuar për veprim të drejtpërdrejtë në brendi të popullatës, nëpër të gjitha qytetet e banuara me shqiptarë, prej nga do të kuptoheshin më për së afërmi arsyet e shpërnguljes së kategorive të ndryshme të popullatës sonë.

Migrimi është një dukuri e cila e përcjell njerëzimin që nga fillesat e paraqitjes së tij, që nga kohërat parahistorike dhe kjo për arsye nga më të ndryshmet. Nga kjo përvojë e hidhur kolektive, me emigrime grupore e masive, nuk kemi qenë të privuar as ne shqiptarët. Por, jo të gjitha migrimet kanë qenë të lehta e me pasoja të përballueshme. Pasojat e shpërnguljes së 10-15 % të popullatës së përgjithshme nuk e ka koston e njëjtë me shpërnguljen e 30-40 % të popullatës nga trungu etnik. Një përqindje e madhe e shpërnguljes te secili popull shkakton ngecje historike dhe trauma kulturore. Kësisoj, ne shqiptarët, që nga fillet e ekzistencës sonë në këto hapësira të Gadishullit Ballkanik dy herë jemi ndeshur me shpërngulje të përmasave të rrezikshme: e para është shpërngulja e arbëreshëve në Itali pas vdekjes së Skënderbeut, që ishte një eksod i vërtetë i asaj kohe, me pasoja të thella traumatike si për shqiptarët e mëtanë detit, ashtu edhe për këta që mbetën në trojet stërgjyshore, dhe, e dyta është shpërngulja e shqiptarëve në Turqi pas Luftës së Parë Botërore dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Sipas analizave të përafërta, asokohe për në Itali ishin shpërngulur mbi 200.000 shqiptarë, që për atë kohë, në raport me numrin e tërësishëm të atëhershëm të popullatës, paraqiste shifër vërtet brengosëse. Por, në krahasim me emigrimin e tanishëm të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike (nga Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës, Mali i Zi etj.), shpërngulja e arbëreshëve i kishte motiv jo arsyet materiale e sociale, por arsyeja ishte ruajtja e identitetit etnik, duke ruajtur identitetin fetar si mekanizëm integrues, sepse asokohe ishte bindja se, duke e ruajtur fenë, pra duke mos konvertuar në Islam, do ta shpëtonin mbijetesën etnike. Edhe pse kjo nga distanca e tanishme historike po vërehet si hap i gabuar, meqë shqiptarët në Itali nga rreth 200.000, sa kanë qenë të shpërngulur, sot janë rreth 300.000, që flet se nuk janë  shtuar në përqindje të ngjashme me shqiptarët e trungut etnik dhe as nuk kanë vetëdije kombëtare më të zhvilluar se shqiptarët e trojeve etnike stërgjyshore, prapëseprapë motivi i tyre i emigrimit ishte patriotik dhe fisnik kundrejt motiveve të shpërnguljes së tanishme për qëllime utilitare. Por, edhe përskaj këtij motivi, sipas dëshmive të ndryshme me të cila disponojmë, kjo shpërngulje ka lënë pasoja tragjike politike, ekonomike e kulturore në rrugëtimin e mëvonshëm historik të popullit tonë. Thuajse të përgjysmuar, as njëra pjesë e as pjesa tjetër e shqiptarëve nuk ia doli të zhvillohej normalisht si popujt tjerë ballkanikë e evropian. Ishta kjo një fatkeqësi e kobshme historike…

Po kështu, sipas analizave të përafërta, që nga rënia e Perandorisë Osmane e deri në vitet e ’60-ta, në Turqi janë shpërngulur rreth 1.500.000 shqiptarë, që në raport me numrin e përgjithshëm të atëhershëm të popullatës shqiptare i ngjason shpërnguljes së mëhershme në Itali. Edhe pse sipas informatave jozyrtare, numri i shqiptarëve në Turqi sot është 5-6.000.000, që në raport me shqiptarët e Italisë është një rritje solide, kjo prapëseprapë nuk është diçka me të cilën duhet krenuar nëse merren parasysh pasojat që i ka lënë kjo shpërngulje në zhvillimin e mangët të shqiptarëve të mbetur në trojet e tyre stërgjyshore. Këtu duhet theksuar veçantinë e kësaj shpërnguljeje, në raport me shpërnguljet e tanishme, sepse ato ishin të dhunshme, ngase shqiptarët iknin nga terrori i orkestruar serbo-grek. Ata nuk iknin për punë më të mirë, as për prona më të mëdha, as për statuse sociale më të ngritura. Ata, nën presionin institucional, iknin për të mbetur gjallë, për ta shpëtuar ekzistencën.

Andaj, është shumë e nevojshme të vetëdijesohemi si një komb i tërë se emigrimi i tanishëm nga të gjitha trojet etnike, i përmasave sikur emigrimi në Itali dhe ai në Turqi, mund të ketë pasoja shumë negative në rrugëtimin tonë të mëtutjeshëm historik, pasoja të pariparueshme çfarë nuk i kemi përjetuar nga dy emigrimet e mëparshme. Aspak nuk duhet të na e lehtësojë ndërgjegjen justifikimi se kjo dukuri po i godet njësoj edhe kombet e tjera rreth nesh (bullgarët, serbët, kroatët etj.). As justifikimi i Nolit: “mbahu nën’o, mos ke frik, se ke djemt, në Amerik”. As justifikimi se kurbetçinjtë nga vendet pritëse po sjellin të holla (remitanca), që i investojnë këtu, se vijnë më të arsimuar, me eksperienca profesionale bashkëkohore dhe me vetëdije më të lartë ekologjike etj. Këto justifikime kanë arsye vetëm kur bëhet fjalë për emigrim individual ose në grupe të vogla, por jo edhe për emigrimet masive, në valë të mëdha, si këto të sotmet. Kjo valë e tretë e emigrimit është aq më e rrezikshme edhe për shkak të proceseve të ndryshme që i ka iniciuar globalizmi: individualizimin e skajshëm, imperializmin kulturor (“mekdonalizimin”), sekularizmin, neoliberalizmin e përgjithshëm etj. Kuptohet, siç është kontraproduktiv pozicionimi antiglobalist, po ashtu edhe reagimi joadekuat, institucional e jashtinstitucional, në ballafaqimi me këto procese, është kontraproduktiv dhe i dëmshëm për vlerat dhe interesat kombëtare.

Si mund të ballafaqohemi në mënyrë efektive me këto sfida nëse vazhdojmë të emigrojmë në këtë masë kur të jemi më shumë jashtë trojeve etnike sesa brenda tyre?! Të shkapërderdhur, qoftë edhe në Evropë, ne nuk do të jemi të integruar, por të asimiluar! Ndaj, të qëndruarit me këmbëngulje në trojet etnike, duke i sfiduar, me mundësitë që i disponojmë, problemet legjitime me të cilat ndeshemi, shtrohet si imperativ i ekzistencës dinjitoze kombëtare në shekullin e globalizmit. Kjo nuk mund të arrihet pa e rikthyer krenarinë dhe dinjitetin kombëtar në qendër të ndërgjegjes sonë, siç bënë rilindësit tanë në kohën e tyre, pavarësisht se rrethanat e përgjithshme i kishin edhe më dekurajuese sesa gjenerata e jonë.

Emigrimi ka alternativë: më mirë një jetë modeste të dinjitetshme këtu ku kemi lindur e jemi formuar si komb sesa të tëhuajësuar në vend të huaj. Sepse qëllimi i ekzistencës njerëzore nuk është të jemi vetëm homo sapiens! Fushata sensibilizuese e Alternativës e përçon pikërisht këtë porosi.