` . Aktori që e njeh gjuhën e artit – TV-SHENJA

Aktori që e njeh gjuhën e artit

Shkruan: Teuta BUÇI, Shkup

I lindur në Shkup në marsin e vitit 1942, ai takohet për herë të parë me talentin e tij artistik gjatë viteve të shkollës fillore. Fillimisht talentin e tij e sfidon në shfaqjet teatrore shkollore, por më pas të dashurohet në aktrim dhe zhvillon një karrierë shumë të pasur dhe të suksesshme.

Salaetin Bilal numëron mbi 50 vite karrierë në skenën teatrale dhe filmike dhe bart në valixhen e tij profesionale mbi 170 role, të cilat i kanë sjellë shumë çmime. Pesë çmime të para në festivalin e Prilepit, çmimi i parë shtetëror “11 tetori”, çmimi i Shkupit “13 Nëntori”, çmimi në festivalin e filmit në Strumicë, janë vetëm disa prej tyre.

Në fillimet e tija si aktor ka qenë pjesë e trupës teatrale të Teatrit të Kombësive në Maqedoni, që në atë kohë përfshinte Teatrin Shqiptar dhe atë Turk. Por, me ndarjen e tyre, ai është bërë pjesë e trupit të Teatrit Turk dhe që atëherë ka luajtur paralelisht në gjuhën turke dhe shqipe. Ka luajtur në Shqipëri, Kosovë, Belgikë, por edhe në film amerikan të xhiruar në Sllovaki. Duke qenë i tillë, atij i pëlqen ta quajë veten aktor internacional, pasi artin e sheh si diçka që nuk ka barriera dhe se në art nuk mund të përkufizohesh vetëm brenda një grupacioni të caktuar.

“Roli im i parë ka qenë në gjuhën shqipe në Teatrin Shqiptar,në Nitën e Josip Relës, ku e luajta Zefin me regjisor Muhamer Qena nga Prishtina, regjisor dhe aktor i njohur. Që prej asaj kohe e deri më tani vazhdimisht kam luajtur në role kryesore. Kam luajtur përafërsisht mbi 170 role, prej të cilave 95 për qind role kryesore”, tregon Bilali, duke shpalosur kujtimet e rrugës së tij profesionale.

Bilali flet gjuhën shqipe dhe gjuhën turke. Thotë se e njeh mirë gjuhën angleze, frenge, italiane.  Por, më mirë se çdo gjuhë tjetër, Bilali e kupton dhe e njeh gjuhën e artit.

Një pjesë të konsiderueshme të karrierës së tij e ka zhvilluar edhe në Turqi, ku ka pasur rreth 35 role. Por, ai nuk ndalet vetëm te teatri dhe filmi. Ai ec më tej, duke depërtuar edhe në eksperiencëne serialit. Ka marrë pjesë në disa seriale në vend dhe jashtë, ndërsa serialet më të suksesshme kanë qenë serialet turke të xhiruara në Maqedoni “Lamtumirë Rumeli” dhe “Dasma ballkanike”.

Çdonjërin prej roleve që ka luajtur ai fillimisht e ka përjetuar thellë në vete. E ka përvetësuar me një punë të palodhshme, edhe atëherë kur provat kanë zgjatur deri në orën 3 të mëngjesit. Por, një ndër rolet që atij i ka lënë më së shumti përshtypje dhe të cilin ai akoma e kujton me emocion të thellë është roli i Ahmet Dervishit, që ai e ka luajtur te “Dervishi dhe Vdekja”.

“Është një profesion i cili aspak nuk është i lehtë. Të gjithë ata që dëshirojnë të bëhen aktorë mendojnë se kjo është shumë lehtë, natën na shikojnë në skenë dhe çdo gjë duket në rregull. Por, është një punë  jashtëzakonisht e madhe, që të arrihet ajo që ne e shohim si të gatshme, edhe pse na duket lehtë. Por, aktorët e luajnë lehtë dhe ne kemi përshtypje se është origjinal. Por, si kanë arritur aty, ajo është punë e posaçme e përbërë prej më shumë elementeve”, thotë Bilali, duke folur për profesionin e tij.

Megjithatë, përveç aktrimit, Bilali kultivon një dashuri të thellë dhe specifike edhe për qytetin e tij të lindjes, Shkupin. Përderisa flet me shumë admirim për të, ai thotë se Shkupi ngërthen në vete pjesën antike dhe bashkëkohore. Është i lashtë dhe modern. I gjallë dhe frymëzues. Çdo kalldrëm e Çarshisë së Shkupit është tregim në vete. Ai thotë: “Ka art në Shkup, por konsumuesit e artit janë të paktët. Shkupi është një qytet që është i përshtatshëm për të gjithë, por vetëm se kam bindjen se njeriu duhet të dijë ta përjetojë. Çdo pjesë e Shkupit është interesante. Çarshia është diçka e mrekullueshme… i lidh ditët e sotme me ditët e kaluara të qytetit të Shkupit. Viteve të fundit qytetit i ndodhi diçka e keqe. “Shkupi 2014” në mënyrë të dhunshme e ka zbehur bukurinë natyrore dhe traditën e qytetit dhe është shumë e vështirë që kjo gjë të riparohet”.

Shkupi ka shumë artistë të talentuar, të cilëve u nevojitet vetëm dëshira dhe vullneti i madh për punë që ashtu ta zhvillojnë profesionin e tyre deri në përsosmërinë e tij.

“Aktori dhe puna e aktorit nuk varet aq prej teatrit por më së shumti prej vet atij, sa është ai i angazhuar dhe sa dëshiron të arrijë, sa jep kontribut. Nëse nuk punon aktori, është kot: nuk e arrin qëllimin. Qëllimi arrihet vetëm me punë serioze dhe me talentin që e ka aktori, duke e zhvilluar atë edhe më tepër”, i porositë ai artistët e rinj.

Bilali tani është në pension, por ai thotë se profesioni i aktrimit nuk e njeh këtë fjalë, kështu që me një vullnet këmbëngulës vazhdon t’i qëndrojë besnik skenës dhe të merret me projekte të reja. Kështu sapo ka përfunduar një film të zhanrit komedi, ndërsa para katër muajve ka luajtur në filmin “Gjyshi dhe nipi” në Maqedoni, ku ka luajtur në rolin e gjyshit. Projekti i fundit është roli në filmin “Pranvera e paharruar në fshatin e harruar”, i cili akoma është në përpunim e sipër. Ndërkohë njihet më së shumti me filmat “Behind Enemy Lines”, “Takva: A Man’s Fear of God”, “Shadows” dhe “Dust”.