` . Agjenda e pas zgjedhjeve e politikës së jashtme të Turqisë – TV-SHENJA

Agjenda e pas zgjedhjeve e politikës së jashtme të Turqisë

Rezultatet e zgjedhjeve krijuan më shumë hapësirë për manovër për presidentin Erdogan në politikën e brendshme, por sfidat e politikës së jashtme janë ende kritike, siç ishin në periudhën parazgjedhore.

Shkruan: Murat YEŞILTAŞ, Turqi  

Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 24 qershorit shënuan një pikë kthese historike për jetën politike turke. Edhe pse AK-Partia  e humbi shumicën në Parlament (42.56%), presidenti Erdogan i fitoi zgjedhjet presidenciale (52.56% si kandidati i Aleancës Popullore, në të cilën MHP-ja, Partia e Lëvizjes Nacionaliste, është aleati kyç). Rezultati i zgjedhjeve tregoi, para së gjithash, se procesi i konsolidimit demokratik ende është me rëndësi për popullin turk, kjo në kundërshtim me kritikën e bërë prej kundërshtarëve brenda dhe jashtë vendit kundrejt presidentit Erdogan.

Fushata zgjedhore ishte shumë konkurruese dhe rezultati ishte i paqartë deri në fund. Krahasuar me vajtjen në votime në demokracitë perëndimore, pjesëmarrja në zgjedhjet e 24 qershorit ishte mjaft e lartë, në rreth 87 për qind, që tregon fuqinë e demokracisë turke. Ç’është më e rëndësishme, tetë partitë politike pjesëmarrëse morën thuajse 99 për qind të votave, duke i shtënë në Parlament zërat e të tëra partive. Ky rezultat është veçanërisht thelbësor për të treguar drejtësinë në përfaqësim. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2002 përfaqësuan vetëm 45 për qind të votave.

Rezultatet e zgjedhjeve kanë për të sjellë dinamika të reja në demokracinë dhe në jetën politike turke, por agjenda e pas-zgjedhjeve e politikës së jashtme të Turqisë është më e komplikuar dhe më sfiduese se rezultatet zgjedhore në debatet e brendshme politike. Turqia ka qenë në ndeshje masive që nga 2015-ta me PKK-në në Siri dhe Irak për ta mbrojtur sigurinë kombëtare dhe integritetin e vet territorial. Në anën tjetër, Turqia dhe SHBA-ja kanë strategji të ndryshme për çështjet rajonale në Lindjen e Mesme dhe të dyja administratat nuk mund të sjellin një zgjidhje të gjithmbarshme dhe konkrete për t’i mëkëmbur marrëdhëniet dypalëshe.

Çështjet e sistemit raketor S-400, të avionëve luftarakë F-35 dhe të pastorit Brunson, janë të tilla që ndoshta mund të kthehen në një krizë të madhe, ndërsa ka një marrëveshje në vazhdim për Menbixhin. Marrëdhënia e Turqisë me Bashkimin Europian është një tjetër çështje e politikës së jashtme, ku të dyja palët nevojitet të gjejnë një kornizë të re mirëkuptimi, me qëllim që t’i rigjallërojnë marrëdhëniet tashmë të vëna në diskutim. Në përgjithësi, nga Rusia në Lindjen e Mesme, nga Ballkani në rajonin e Gjirit Persik, politika e jashtme turke e pas-zgjedhjeve do duhet të merret me shumë çështje kritike, teksa një model i ri qeverisjeje do të zërë vend në ditët e ardhshme.

Nga këtej, sfida e parë për politikën e jashtme turke është çështja se si modeli i ri i qeverisjes do të jetë në gjendje ta japë agjendën e politikës së jashtme të Turqisë për t’i maksimalizuar interesat e politikës së jashtme turke. Presidenti ka për të qenë vendimmarrësi kryesor i politikës së jashtme nën modelin e ri dhe presidenca do të jetë më e përfshirë në çështjet e politikës së jashtme. Modeli ka në të gjithashtu bashkimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme me atë të Bashkimit Europian. Procesi i BE-së është një prej sferave kritike të politikës së jashtme që Turqia duhet ta ndjekë me kujdes në planin afatshkurtër, ndërkohë që ka një perceptim në rritje kundër Turqisë midis institucioneve të BE-së. Presidenti Erdogan ka qenë një vendimmarrës i dorës së parë i politikës së jashtme që prej ardhjes në pushtet në vitin 2002, por sistemi i ri duhet projektuar në përputhje me modelin presidencial të politikës së jashtme, për të cilin shembulli klasik është SHBA-ja. Institucionet nën presidencën do të ngrihen dhe do të jenë përgjegjëse për bashkërendimin me MPJ-në të çështjeve me jashtë dhe të atyre që kanë të bëjnë me sigurinë.

Në agjendën e pas-zgjedhjeve të politikës së jashtme turke marrëdhëniet mes Turqisë dhe SHBA-së kanë për të qenë tema kryesore që të dyja palët duhet t’i rimendojnë, kjo mbi avantazhet dhe caqet e lidhjeve dypalëshe. Politikat ekzistuese të jashtme dhe të sigurisë nuk janë më ato që ishin në fillim të periudhës së AKP-së në vitin 2002. Për më tepër, panorama gjeopolitike e Turqisë ka ndryshuar kryekëput pas Pranverës Arabe. Menbixhi do të përbëjë një prag kritik në periudhën e pas-zgjedhjeve, për të parë se si të dyja vendet e ruajnë marrëveshjen e tyre dhe e reflektojnë atë për nga pjesa lindore e Sirisë, ndërsa Turqia kërkon t’i maksimalizojë fitoret ndaj PKK-së në Irak dhe Siri.

Kritika më e fundit, e bërë nga EUCOM-i për Pentagonin, se CENTCOM-i duhet të jetë më i kujdesshëm në sjelljen me Turqinë në rajon, është një prej shenjave të rëndësishme se perceptimi konvencial për Ankaranë po merr më shumë mbështetje në SHBA për t’i dhënë formë marrëdhënies dypalëshe. Siç është lexuar në Deklaratën e Qëndrimit të 2008-tës së EUCOM-it, Turqia është një aleat strategjik për SHBA-në dhe NATO-n. Besohet se marrëveshja e Menbixhit nuk është pasojë e nevojës së rikalibrimit të marrëdhënieve turko-amerikane, por është rezultat i “influencimit” të EUCOM-it mbi Pentagonin. Departamenti i Shtetit është, po ashtu, një tjetër institucion që kërkon t’i rigjallërojë marrëdhëniet midis Turqisë dhe SHBA-së për dallim nga institucione të tjera antiturke. Mënyra e të menduarit e Trump-it është një tjetër dimension që mund të sjellë një modalitet të ri të një marrëdhënieje mes Turqisë dhe SHBA-së.

Sido që këto dimensione më sipër të marrëdhënies dypalëshe janë të mjaftueshme për të hapur një faqe të re midis dy kryeqyteteve, çështjet e sistemit raketor S-400 dhe të pastorit Brunson do të jenë faktorët e parë përcaktues në trajtësimin e sjelljes përfundimtare të SHBA-së karshi Turqisë. Ka një presion të shtuar mbi vendimmarrësit në Ankara dhe SHBA-ja po bën gjithçka është e mundur për të mos e lënë Turqinë që t’i blejë S-400-tat. Prandaj, debati për avionët luftarakë F-35 është me rëndësi kritike. Siç u parashtrua në Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare për Vitin Financiar 2019, SHBA-ja këmbëngul për heqjen e Turqisë nga programi i F-35-s. Kësisoj, Turqia duhet t’i rirregullojë me kujdes, në periudhën e pas-zgjedhjeve, përparësitë e politikës së saj të jashtme, për të ruajtur marrëdhëniet strategjike me SHBA-në, si dhe për të mbrojtur afrimin me Rusinë. Rusia, në mbrojtjen e interesave të Turqisë, të sigurisë rajonale dhe, veçanërisht, në luftën kundër PKK-së, është pothuajse aq e rëndësishme strategjikisht sa SHBA-ja.

Veç kësaj, kriza siriane u bë një komponent integral i politikës së jashtme turke dhe ka për të qenë në vazhdim si një sfidë strategjike për të parë, me pak fjalë, se si Turqia ka për ta rikalibruar modelin e vet të stabilitetit rajonal në perimetrin e afërt. Mbrojtja e territoreve të mbajtura prej saj në Siri është një prej dimensioneve të rëndësishme për përparësitë e politikës së jashtme pas zgjedhjeve për Turqinë. Ruajtja e modelit turk në lidhje me çështjen e stërvitjes, pajisjes dhe luftimit së bashku me partnerët lokalë ushtarakë, do të bëhet më e rëndësishme për t’i mbrojtur fitoret e Turqisë në Siri. Dinamikat e përgjithshme ushtarake dhe të sigurisë janë ende të njëjtat në Siri.

Turqia do të dojë ta mbajë gjallë marrëveshjen aktuale midis saj, Rusisë dhe Iranit. Janë dy dimensione kritike që Turqia duhet t’i marrë po ashtu në konsideratë: drejtimin e marrëdhënieve turko-amerikane dhe qëndrimin rus kundrejt pranisë turke në Afrin. Afrimet e mëtejshme me SHBA-në mund të sjellin paqëndrueshmëri në marrëdhëniet mes Turqisë dhe Rusisë. Prandaj, sfida kryesore për politikën e jashtme të pas-zgjedhjeve do të jetë çështja se si Turqia e rirregullon një qasje ekuilibruese në marrëdhëniet e saj me dy superfuqitë në të njëjtën kohë.

Për të shmangur rreziqet e mundshme, posaçërisht në marrëdhëniet turko-amerikane, Turqia dhe SHBA-ja duhet të ndërtojnë një lidhje më ndërvepruese politikisht në një nivel publik për t’i penguar keqkuptimet e mundshme. Për ta ilustruar këtë, grupi i punës, i ngritur në rastin e Menbixhit, është një shembull i mirë. Turqia dhe SHBA-ja, po ashtu, nevojitet t’i diskutojnë problemet rajonale mbi një bazë rast pas rasti, por në një model përplotësues, dhe duhet të mësojnë se si t’i ndajnë çështjet. Në fund, Turqia dhe SHBA-ja duhet ta rrisin kooperimin në partneritetin e mbrojtjes, duke nxitur bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes.

Ka edhe shumë çështje të tjera në agjendën e politikës së jashtme turke, duke përfshirë marrëdhëniet mes Turqisë dhe Iranit, përparësitë strategjike të Turqisë në Detin Mesdhe, në Qipro, e kështu me radhë. Rezultatet e zgjedhjeve krijuan më shumë hapësirë për manovër për Presidentin Erdogan në politikën e brendshme, por sfidat e politikës së jashtme janë ende kritike, siç ishin në periudhën parazgjedhore.

Përktheu:

Bujar M. Hoxha