` . Afganistan, 18 persona të vrarë në sulmin mbi hotelin në Kabul – TV-SHENJA

Afganistan, 18 persona të vrarë në sulmin mbi hotelin në Kabul

Të paktën 18 persona janë vrarë, nga të cilët 14 të huaj, në sulmin mbi hotelin “Intercontinental” në Kabul të Afganistanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Najib Danish, deklaroi se 11 nga 14 civilët e vrarë kanë qenë punonjës të kompanisë ajrore private afgane KamAir. Ai tha se 10 persona janë plagosur, nga të cilët gjashtë pjesëtarë të forcave afgane të sigurisë dhe katër civilë.

Kompania KamAir njoftoi se nga shkaku i sulmit mbi hotelin në Kabul ka anuluar shumë fluturime. Më herët gjatë ditës.

Qeveria e Ukrainës bëri të ditur se në mesin e të vrarëve është edhe një shtetas i tyre.

Rrethimi i hotelit zgjati për 13 orë, ndërsa përfundoi pas aksionit të forcave speciale të cilat vranë katër sulmuesit.

Autorësinë mbi sulmin e morën talebanët, zëdhënësi i të cilëve, Zabihullah Mujahid, tha se sulmi fillimisht ishte planifikuar për të enjten, por se e kishin anuluar nga shkaku i një dasme që po mbahej në hotel.