` . “Afera e armëve”, “Ladorishti” dhe “Bit Pazari” - TV-SHENJA

“Afera e armëve”, “Ladorishti” dhe “Bit Pazari”

Qeveria e RS të Maqedonisë solli vendim, me të cilin në komunën e Tetovës e të Gostivarit u supsenduanun organet e dala nga zgjedhjet dhe në vend të tyre themeloi të ashtuquajtura “këshilla ekzekutivë”, të cilët do t’i kryenin detyrat që ishin nën kompetencë të organeve komunale

Shkruan: Qerim LITA, Shkup

Zgjedhjet e para “të lira” dhe shumëpartiake, të cilat në Republikës Socialiste të Maqedonisë u organizuan dhe u mbajtën gjatë muajve nëntor-dhjetor 1990, nxorën në pah shovinizmin shtetëror maqedonas. Se në cilat përmasa kishte shkuar ky shovinizëm asaj kohe, mjafton t’i referohemi dokumentit me titull: “Libri i peticionit të nënshkrimeve të grumbulluara nga bashkësitë lokale të fshatrave: Gallatë, Zuboc, Pozharan, Tumçevisht dhe Vrapçisht, në lidhje me kosovarizimin e këtyre hapësirave të RS të Maqedonisë si dhe pezullimin e partive politike Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD) dhe Partisë Demokratike Popullore (PDP)”, të cilin banorët maqedonas të vendbanimeve të mësipërme, më 26 shkurt të vitit 1991, e dërgojnë deri te kryetari i Republikës, Kiro Gligorov, kryetari i Kuvendit, Stojan Andov dhe kryeministri, Nikolla Klusev. Në të, gjithçka konsiderohet si maqedonase, duke filluar nga toka, uji, ajri, qielli, dielli, hëna, yjet etj., të cilat u “rrezikuakan” nga “përvetësimi i popullit jomaqedonas”, përkatësisht nga “pakica shqiptare”, që sipas tyre përbën rastin e vetëm në botë “të kenë dy vende të tyre amë”.

Një metodologji e tillë të nacionalistëve shqiptarë në hapësirat maqedonase – theksohej në dokument – realizohet dhe ka një dinamikë shumë të shpejtë. Ata dominojnë në pjesën perëndimore të RSM-së (Tetovë, Gostivar, Dibër, Strugë e Kërçovë). Në pluralizimin politik të tanishëm në vendin tonë, pushteti ligjvënës në RSM u dha liri më të madhe në veprimin dhe diferencimin politik të tyre. Me një procedim të këtillë të politikës pluraliste në RSM është bërë gabimi historik për ndarjen e hapësirës maqedonase, pushtetit dhe sovranitetit me popullin e jashtëm jomaqedonas. Pikërisht pakicës iu lejua të formojë parti politike, me qëllime të pastra nacionaliste për rrënimin e një perspektive të integritetit të RSM-së. Historia e afërt dëshmoi se shqiptarët ishin armiqtë e mëdhenj të kombit maqedonas me tendenca asimiluese ndaj territorit maqedonas…. Pakica shqiptare në RSFJ, e me këtë edhe në RSM, është e vetmja në botë me aso të drejta e liri të pakufizuara në vendin që nuk është ityre… Taktikat e saj, formimi i dy partive politike, PPD dhe PDP, me pakicë të pastër shqiptare (njënacionale), por që të dyja kanë qëllime plotësisht të njëjta, u futën në parlamentin maqedonas dhe filluan të veprojnë e do të veprojnë në mënyrë destruktive. Marrja e pushtetit në komunat nga Maqedonia Perëndimore, me status shumëpartiak, ka krijuar perspektivë shumë e keqe për sovranitetin dhe integritetin territorial të hapësirës maqedonase, me pasoja të paparashikuara nga rreziku për shqiptarizimin dhe çfarë jo tjetër…”.

Shovinistët maqedonas të fshatrave në fjalë, në pjesën e dytë të të ashtuquajturit “Libri i peticionit”, e paraqesin “arsyeshmërinë”, përkatësisht “qëllimin” e hartimit të atij dokumenti, ku – veç tjerash – kërkojnë marrjen e masave të rrepta si nga ana e maqedonasve, ashtu edhe nga vet shteti, për – siç thuhej – ndërprerjen e politikës “agresive” të shqiptarëve, që në kohë të fundit “po manifestohet gjithnjë e më shpesh në republikë”. Si masa urgjente, ata parashikonin moskonstituimin e kuvendeve komunale “në pjesën perëndimore të Maqedonisë”, për shkak të dominimit të deputetëve shqiptarë, përkatësisht të dy partive të atëhershme shqiptare, PPD dhe PDP “deri në shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare”, dhe e dyta “shqiptarëve të mos u jepet kurrfarë funksioni”, përkatësisht “resori” në pushtetin ekzekutiv republikan. Ndërkohë, të vazhdohej me masa tjera, sistematike, afatgjata, përmes të cilave shqiptarët me kushtetutë të shpalleshin “pakicë nacionale”, të pezullohej veprimtaria politike e Partisë për Prosperitet Demokratik dhe e Partisë Demokratike Popullore, të mos lejohej përdorimi i flamurit shqiptar, të dëboheshin nga vatrat e tyre të gjithë ata shqiptarë, të cilët na paskan “zbritur nga qielli” me qëllim të “uzurpimit” të “hapësirës nacionale e territoriale maqedonase”, si dhe të gjithë ata, veprimtaria e të cilëve na qenka “nacionaliste-problematike”. Përveç kësaj, ata kërkojnë që Qeveria e RSM-së të parashohë arritjen e një marrëveshjeje me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë për shpërnguljen e shqiptarëve nga këto troje për në shtetin shqiptar “ngjashëm si ajo e viteve të pesëdhjeta”, që Tito e arriti me diplomatin e atëhershëm turk Fuat Kypryli, me ç’rast brenda gjashtë viteve qenë dëbuar me dhunë rreth 150.000 shqiptarë.

Për rrjedhojë, Qeveria e RS të Maqedonisë solli vendim, me të cilin në komunën e Tetovës e të Gostivarit u supsenduanun organet e dala nga zgjedhjet dhe në vend të tyre themeloi të ashtuquajtura “këshilla ekzekutivë”, të cilët do t’i kryenin detyrat që ishin nën kompetencë të organeve komunale. Një vendim i tillë i nxiti këshilltarët shqiptarë të këtyre dy komunave të ndërmarrin një inciativë deri te Gjykata Kushtetuese e RSM-së për vlerësimin e kushtetueshmërisë e ligjshmërisë së tij. Kjo e fundit, përmes një shkrese, kërkonte informata plotësuese nga Qeveria e RSM-së, për arsye se, siç thuhej, “në ankesën e grupit të këshilltarëve shqiptarë thuhet se vendimi është miratuar prej organit i cili nuk ka qenë kompetent të miratojë akte me përmbajtje të tillë, që parashikon suspendimin e kuvendeve të komunave” dhe se “kjo ka mund të kryhet vetëm në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme në territor të caktuar…”. Ndërkohë, Qeveria e RSM-së, në mbledhjen e mbajtur më 22 tetor 1991, konstatonte se vendimi për themelimin e këshillave drejtuese “mbështetej në nenin 14-a të Ligjit Kushtetues për zbatimin e Amendamenteve Kushtetuese të RSM-së”, sipas së cilit, në ato komuna ku nuk mund të konstituoheshin kuvendet e porsazgjedhura “autorizohej Qeveria e Maqedonisë të themelojë këshilla drejtuese, të cilat do të udhëheqin me ato komuna deri në konstituimin e atyre kuvendeve”. Çuditërisht, një nen i tillë erdhi në shprehje vetëm në dy komunat e përmendura shqiptare, ku konstituimi i kuvendeve nuk vihej në pikëpyetje, për arsye se shumicën e këshilltarëve e përbënin dy partitë politike shqiptare, të cilat madje ishin edhe në koalicion para dhe paszgjedhor. Ndërkohë, kjo nuk u zbatua në një numër të madh të komunave me shumicë maqedonase, përfshi edhe Qytetin e Shkupit, ku asnjë parti nuk e kishte shumicën e nevojshme për konstituimin e kuvendeve.

Ndërkohë, gjatë muajve qershor-korrik 1991 në federatën e atëhershme jugosllave filloi konflikti i armatosur, fillimisht në Slloveni, e më pas edhe në Kroaci. Për ndërprerjen e këtij konflikti në sipërfaqe doli i ashtuquajturi “Programi politik për zgjidhjen paqësore të krizës jugosllave”, pas të cilit qëndronte kryetari i atëhershëm i Maqedonisë, Kiro Gligorov, dhe ai i Bosnjës dhe Hercegovinës, Alija Izetbegoviq. Me një program të vetin asaj kohe doli edhe Qeveria Federative në krye me Ante Markoviqin, i cili përfshinte tri pika kryesore:

Së pari, si të vendosej paqja, që nënkuptonte ndërprerjen e konfliktit, e njëkohësisht edhe pamundësimin e konflikteve të reja, të cilat mund të ndodheshin në Jugosllavi dhe të kërkohej demobilizimi i të gjithë atyre njerëzve që ishin mobilizuar, të çarmatoseshin formacionet paraushtarake dhe njëkohësisht të shkohej në negociata për bashkëjetesën e mëtutjeshme në Jugosllavi.

Së dyti, në tre muajt e ardhshëm, si domosdoshmëri parashikohej vendosja e disa funksioneve të sistemit, të cilat do të mundësonin kushte minimale për jetesë, duke filluar nga tregu, valuta, sistemi monetar, sistemi pagesor etj., deri te institucionet të cilët do ta përmbyllnin atë rreth të funksionimit të federatës jugosllave.

Së treti, gjatë asaj periudhe kohore të arrihej marrëveshje për marrëdhëniet e ardhshme të shtetit, duke filluar nga e drejta e çdo kombi, çdo republike, për vetëvendosje dhe pavarësi dhe brenda mundësive të negociohej për disa funksione të përbashkëta të mundshme, të cilat do të ishin në interesin e secilës republikë. Nëse nuk do të ekzistonin kurrfarë kushtesh për këtë, atëherë ndarja të kryhet në mënyrë paqësore dhe secila republikë ta konstituojë shtetin e vet.

Nga kjo shihet qartë se në programin politik të Qeverisë Federative për zgjidhjen e krizës jugosllave, sikurse edhe në atë të duetit Gligorov-Izetbegoviq, nuk u përfshin as shqiptarët si populli i tretë asaj kohe për nga numri i banorëve, menjëherë pas serbëve e kroatëve, e as Kosova e cila me Kushtetutën e vitit 1974 e kishte fituar statusin më të lartë të autonomisë. Ky anashkalim i shqiptarëve nxiti Këshillin Koordinues të Partive Politike Shqiptare të hartojë një program të veçantë politik, i cili gjithashtu i përfshinte tri pika:

Së pari, në rast se federata jugosllave ngelet si tërësi, atëherë Kosova të shpallet republikë e shtatë e asaj federate, ndërsa shqiptarët në Maqedoni, në Luginë të Preshevës dhe në Mal të Zi ta shpallin autonominë e tyre territoriale dhe kulturore;

Së dyti, në rast se nga federata shkëputet ndonjë republikë, atëherë në kuadër të asaj Jugosllavie të cunguar shqiptarët ta shpallin republikën e tyre, në kuadër të së cilës do të përfshiheshin të gjitha viset shqiptare nën Jugosllavi;

Së treti, në rast të shpërbërjes së federatës jugosllave, Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare do të angazhohet për një bashkim kombëtar, përkatësisht për krijimin e shtetit shqiptar me kufijtë e tij etnik.

Në kushtet kur udhëheqja politike maqedonase refuzonte çdo kërkesë shqiptare dhe në mbështetje të pikës së parë të Platformës së Këshillit Koordinues, udhëheqjet e dy partive politike shqiptare në Maqedoni, PPD dhe PDP, më 27 dhjetor të vitit 1991 e themeluan Kuvendin për shpalljen e Autonomisë Politiko-Territoriale të Maqedonisë, ndërsa më datë 11-12 janar të vitit 1992 u mbajt Referendumi për krijimin e autonomisë shqiptare.

Në kuadër të Autonomisë u themeluan një numër i madh i komisioneve, si “Komisioni për çështje strategjike”, i cili ndryshe njihej edhe si “Komisioni për organizimin e njësive ushtarake”, me të cilin udhëhiqte sekretari i përgjithshëm i PPD-së, Mitat Emini. Ky komision së shpejti rekrutoi një numër të konsiderueshëm të ushtarëve, të cilët u dërguan në Shqipëri për stërvitje. Në mesin e tyre duhet përmendur: Nuri Bexhetin, Halil Palloshin, Sami Golën, Halil Latifin, Sedat Osmanin, Fatmir Fejzullahun, Orhan Ibrahimin, Naser Jakupin, Adem Maksutin, Samet Ibrahimin e shumë të tjerë. Stërvitja e tyre kryhej nën komandën e Adem Jasharit, i cili në Shqipëri kishte shkuar gjatë muajit nëntor të vitit 1991.

Aktiviteti i dendur i këtij komisioni përcillej hap pas hapi nga shërbimi i atëhershëm sekret (UDB). Ministria e Punëve të Brendshme, më 24 shkurt 1992, e njoftonte Qeverinë për disa aktivitete të cilat kohët të fundit ishin vërejtur në mesin e popullsisë shqiptare, për të cilat kjo ministri dyshonte se bëhet fjalë për krijimin e njësive ushtarake:

“Sipas disa të dhënave të pakonfirmuara në mesin e popullsisë shqiptare, këtyre ditëve po kryhen evidenca për persona me qëllim të formimit të njësive ushtarake, të cilët si qëllim primar do ta kenë mbrojtjen e popullsisë shqiptare dhe të organizojnë rezistencë mbarëkombëtare të popullsisë në territorin e autonomisë pas pranimit ndërkombëtar të saj dhe fillimin e funksionimit në rast se organet e pushtetit të R. së Maqedonisë do të përpiqen të ndërmarrin çfarëdolloj masash represive ndaj popullsisë shqiptare në territorin e saj”.

Po i njëjti burim, në mars të vitit 1992, përmes një informate konfidenciale, e njoftonte Qeverinë e Maqedonisë për një organizim ushtarak të shqiptarëve në Maqedoni, i cili veçmas kishte ardhur në shprehje “pas realizimit të referendumit për autonomi politike e kulturore të shqiptarëve në R. Maqedonisë”. Në të fillimisht thuhej: “Sipas njohurive të verifikuara, nga ana e udhëheqjes së PPD-së dhe anëtarëve ekstremë të kësaj partie, është krijuar ushtria kombëtare shqiptare, me shtabin e përgjithshëm (komisioni strategjik i PPD-së për mbrojtje) dhe “shtabet ushtarake’ nëpër qytete ku jetojnë qytetarët e nacionalitetit shqiptar. Në kuadër të shtabeve janë krijuar edhe ‘komisione’ të veçanta, të cilët punojnë në përgatitjen e planeve konkrete për aktivitetin e të njëjtëve. Udhëhiqet evidenca ndaj obliguesve ushtarak – persona të cilët pranojnë të radhiten në ushtrinë kombëtare të shqiptarëve, me qëllim që të mund të mobilizohen me kohë”.

Gjithnjë sipas këtij burimi, Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, e udhëhiqte Mithat Emini, ndërsa Naxhi Ahmeti ishte zgjedhur koordinator i përgjithshëm për organizimin dhe për formën e vendosjes së ushtrisë dhe drejtuesit e shtabeve ushtarake të qyteteve të pjesës Perëndimore të R. Maqedonisë, edhe atë: për Shkup – Ismet Shabani, HysenHaskaj, Ismet Berisha, Muhamet Demiri dhe Fatmir Stavileci; për Tetovë – Shinasi Rexhepi, Abdylvehap Ismaili dhe Ilir Luma, për Gostivar – Resmi Ejupi, Selam Elmazi, Samet Huseini, Sejdali Saliu dhe Zudi Bilalli, për Kërçovë – Sejdi Abazi, për Dibër – Eugen Cami dhe Petrit Fetahu, për Kumanovë – Arif Seferi dhe Naim Ibrahimi, ndërsa për aktivitetet në botën e jashtme koordinatorë të përgjithshëm ishin zgjedhur: për Gjermani – Vehap Memishi dhe për Zvicër – Shaip Bilalli dhe Xhemail Rexhepi.

“Shtabi Kryesor – thuhej më tej në informatë – ka sjell vendim që për nevojat e ushtrisë të blihet armatim (rreth 2.400 copë), uniformë, radio stacione dhe pajisje të tjera ushtarake, për çka shtabi mban mbledhje të shpeshta në Tetovë e Gostivar, në të cilat përcaktohen detyrat konkrete për realizimin e këtyre aktiviteteve. Për këtë qëllim në janar të këtij viti Resmi Ejupi nga Gostivari ka qëndruar në Vjenë, Austri, nga ku është dashur ta bëjë porosinë e radio stacioneve për nevojat e një batalioni ushtarak. Pas qëndrimit në Vjenë, Resmi Ejupi për të njëjtin qëllim ka udhëtuar për Sofje – Bullgari. Gjithashtu, në Vjenë ka qëndruar edhe Ismet Shabani nga Shkupi dhe Shinasi Rexhepi nga Tetova, ku kanë realizuar kontakt me Habil X. nga Struga, me punë të përkohshme në Zvicër, me qëllim të arritjes së marrëveshjes për porosi të uniformës ushtarake, të cilat kushtojnë nga 140 dollarë amerikan. Për furnizim me armatim janë siguruar 2 milionë marka gjermane nga degët e PPD-së në Zvicër dhe Gjermani. Shaip Bilalli, Xhemail Rexhepi dhe Vehap Memishi janë ngarkuar që mjetet t’i dorëzojnë te Arif Seferi dhe Naim Ibrahimi nga Kumanova.

Për këtë qëllim në muajin shkurt nga Zvicra në Gostivar ka udhëtuar Shaip Bilalli, me ç’rast ka realizuar kontakt me Mithat Eminin, ndërsa më 7 dhe 8 mars në Gostivar kanë qëndruar Vehap Memishi nga Gjermania, Nuriet Kica nga Zvicra, si dhe Ferit Selimi dhe Alajdin Demiri. Gjatë kësaj, së bashku me Shinasi Rexhepin, Resmi Ejupin, Selam Elmazin dhe Zudi Bilallin kanë mbajtur mbledhje në të cilën janë dakorduar që mjetet të dërgohen në Sofje – Bullgari, dhe t’ia dorëzojnë Arif Seferit…..Krahas aktivitetit të këtillë, udhëheqja e Shtabit Kryesor për nevojat e ushtrisë shqiptare në mënyrë të organizuar dërgon njerëz të kombësisë shqiptare nga qytetet e Maqedonisë Perëndimore për këshillime, kurse dhe stërvitje ushtarake në Stamboll – Turqi. Personat në Stamboll i pranon Ismet Berisha dhe Ismail X., të cilët i vendosin në hotelin ‘Olimpik’. Mjetet për shpenzime dhe qëndrimit në Stamboll janë siguruar nga ana e PPD-së…..”.

Menjëherë pas kësaj informate, strukturat e atëhershme policore maqedonase e filluan një fushatë të egër kundër popullsisë shqiptare në përgjithësi. Në kuadër të masave që asaj kohe u ndërmorën kundër shqiptarëve, duhet veçuar ekspeditat policore maqedonase në vendbanimet me popullsi shqiptare, siç ishte rasti i Dibrës, Ladorishtit dhe rasti më tragjik, ai i Bit Pazarit, ku policia maqedonase vrau 4 njerëz të pafajshëm: Safet Sejfullaun, Memish Sulejmanin, Shemsedin Ibrahimin dhe Viktoria Geshovskën, rrahu dhe keqtrajtoi 170 qytetarë të tjerë shqiptarë të pafajshëm, ndërsa 84 të tjerë u dënuan për kundërvajtje. Lidhur me këto dy ngjarjet e fundit, me kërkesë të grupit parlamentar shqiptar, më 27 dhe 28 prill të vitit 1993, Kuvendi i Maqedonisë mbajti seancë të veçantë, me ç’rast deputetët shqiptarë, me fjalimet e tyre, nxorën në pah tërë brutalitetin policor maqedonas të ushtruar kundër popullsisë civile shqiptare. Deputeti i PPD-së nga Struga, Mersim Pollozhani, duke folur për ekspeditën policore në fshatin Ladorisht, ndër të tjera, shprehet:“…Rrënjët e mosbesimit ndaj uniformës, ushtrisë, përkatësisht policisë, dhe jo vetëm në këtë fshat të Strugës, janë shumë të hershme. Dhjetëra njerëz të rinj të këtij fshati nga i ashtuquajturi çlirim nga viti 1945 e këndej kanë qëndruar nëpër burgje të ndryshme, si kundërrevolucionar, informbyroistë, nacionalistë, irredentistë dhe për shumë akuza tjera të ngjashme të natyrës ideologjike dhe kritike… Thuajse të gjithë ata janë dënuar penalisht dhe janë dënuar vetëm për shkak të ndjenjave të tyre demokratike dhe për shkak kërkesave për jetë më demokratike dhe më të barabartë me të tjerët. Për këtë mund të shkruhet edhe romane e drama të tëra, por këtë le ta bëjnë kronistët dhe shkrimtarët…”.

Më pas Pollozhani ndalet në ditën kritike, përkatësishtnë datën e 15 qershorit të vitit 1992, kur mbi 1.000 forca policore u futën në fshatin Ladorisht: “….Në agimin e 15 dhjetorit të vitit 1992, në një fshehtësi më të madhe, fshatit i ndërpritet rryma elektrike dhe telefoni, bllokohen të gjitha qasjet kah fshati dhe me mbi 1000 forca policore, të përcjella me dhjetëra vetura të blinduara dhe armatim tjetër të rëndë hyhet në fshat, ndërsa në dy kodrat e fshatit qenë vendosur dy bateri minahedhës për bombardim. Rrethohet thuajse çdo e dyta shtëpi. Në mesin e shtëpive të para që u sulmuan ishte shtëpia e Kadri Labënishtit, ndërsa më pas edhe e të tjerëve. Theksoj ‘u sulmuan’, sepse shenjat e armatimit të kalibrit të lartë dhe të armatimit tjetër mund të shihen edhe sot. Policia gjuante nga të gjitha anët edhe atë nëpër dritare, dyer dhe mure të shtëpive të caktuara, por jo edhe në ajër…. Ministri Fërçkovski, edhe pse komandonte me tërë këtë nga Ohri, fshihej dhe nuk dëshironte të paraqitet… etj.”.

Deputeti i Shkupit, NaserZyberi, duke e komentuar Informatën e MPB-së, lidhur me ngjarjet e Bit Pazarit, shprehet: “…Theksohet se është gjuajtur me armë nga ana e demonstruesve, ndërsa njerëzit madje janë vrarë në afërsi të shtëpive, në pragun e shtëpive të tyre, para dyerve të tyre, e disa madje edhe në dritare. Theksohet se është gjuajtur nga demonstruesit, ndërsa nuk ka asnjë polic jo vetëm të vrarë, por as të plagosur nga arma e zjarrit, ndërsa në anën tjetër kemi katër viktima. Më brengos fakti se përkundër të gjitha këtyre momenteve indikative dhe, për mua, tepër orientuese, Ministria nuk ngre procedurë kundër asnjë polici, nuk është zbardhë asnjë rast i vrasjes, ndërsa nuk janë zbardhë as edhe çështjet rreth asaj se cili ka qenë roli i Dushko Dimitrovit, Branko Bojçevskit e të ngjashmëve si ata….”.

Ngjashëm si Zyberi shprehet edhe deputeti tjetër shqiptar, XhelilTahiri: “…Në Informatë, qartazi manipulohet se nga ana e demonstruesve është gjuajtur me plumba në drejtim të policisë. Kjo nuk është e vërtetë. Si është e mundur kjo kur nuk kemi asnjë polic të plagosur?! Gjatë tërë kohës nga ana e disa pjesëtarë të MPB-së, përmes radiolidhjeve, është thënë se nga kjo dhe ajo shtëpi gjuhet, që nuk ka qenë e vërtetë, që më pas ministri nga zyra e tij të urdhërojë të gjuhet dhe pa i verifikuar thëniet e tilla urdhëron për veprime të tilla dhe kam përshtypjen se i njëjti ka qenë i manipuluar nga ana e bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, të cilët i kemi amanet nga regjimi i vjetër…”.

Ndërkohë, deputeti IsmetRamadani, duke folur në emër të grupit parlamentar të PPD-së –PDP-së, kërkon që Kuvendi t’i miratojë këto konkluzione: “Kuvendi vlerëson se me rastin e intervenimit të policisë në Bit Pazar më 6 nëntor 1992 pjesëtarë të caktuar të policisë i kanë tejkaluar kompetencat. Kuvendi vë në dukje nevojën që Ministria e Drejtësisë dhe e Administratës të përgatitë dhe t’i dorëzojë Kuvendit informatë për rrjedhën e procedurës së tërësishme për shqiptimin e masave me burg ndaj qytetarëve.”.

Kjo kërkesë e fundit, sipas Ramadanit, vjen për arsye se grupi parlamentar shqiptar posedonte dëshmi se “ata që kanë marrë nga 30 ditë paraburgim janë dënuar, pa asnjë dëshmitar. Dëshmitarë kanë qenë policët, të cilët menjëherë i paskan identifikuar 50-60 vetë për ngjarjen e cila kishte ndodhë pas orës 15-16 kur tashmë ishte terr…”, shprehet ndër të tjera Ramadani.

Duhet të vëmë në dukje faktin, se krahas deputetëve shqiptarë, për ngjarjet e Bit Pazarit, me projekt-konkluzione doli edhe Komisioni për Politikë të Brendshme, përmbajtja e të cilave ishte si më poshtë:

“1. Kuvendi e miratoi informatën për cenimin e rendit dhe qetësisë publike në Bit Pazar – Shkup dhe masat e ndërmarra nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe konsideron se ato janë në suazat e autorizimeve ligjore të Ministrisë.

  1. Kuvendi vlerëson se aktivitetet e organeve të administratës, organeve të inspektimit dhe të subjekteve tjera kompetente në shtet duhet të vazhdojnë në drejtim të pengimit të dukurive kriminale dhe të dukurive tjera të dëmshme shtetërore, veçmas në zbulimin e tyre preventiv, me çka do të zvogëlohej nevoja për angazhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
  2. Kuvendi vë në dukje nevojën që Qeveria e Republikës së Maqedonisë t’i intensifikojë aktivitetet për përgatitjen e ligjeve nga fusha e veprimtarisë financiare, devizore e doganore dhe sistemit tatimor dhe për një afat sa më të shkurtër t’i dorëzojë deri te Kuvendi, me çka marrëdhëniet në këto fusha do të rregulloheshin me ligj dhe do të krijoheshin kushte për tejkalimin e dukurive kriminale dhe të dukurive tjera të dëmshme shoqërore në Republikë”.

 

Në fund të seancës, me propozim të kryetarit të Kuvendit, Stojan Andov, nuk u votuan as projekt-konkluzionet e propozuara nga grupi parlamentar i PPD-së dhe PDP-së e as ato të propozuara nga ana e Komisionit për Politikë të Brendshme, me arsyetimin se “për këtë do të nevojitet konsultime plotësuese midis grupeve parlamentare”.

Rrjedhimisht, me propozim të grupit parlamentar të PPD-së dhe PDP-së, Kuvendi formoi një komision të veçantë, me detyrë që për një afat të caktuar të bëjë hulumtimin e tërësishëm të ngjarjes së Bit Pazarit dhe për punën e kryer t’i raportojë Kuvendit. Komisioni, të cilin e udhëhiqte deputeti Ismet Ramadani, e ku merrte pjesë edhe deputeti Naif Mustafa, siç dihet nuk e kreu punën e vet ashtu siç duhet.

Ndërkohë, në vjeshtë të vitit 1993 policia maqedonase, në aksionin e vet të koduar “Baruti”, i arrestoi dhjetëra shqiptarë, pjesa dërmuese e të cilëve ishin funksionarë të lartë të PPD-së, të cilët u akuzuan si udhëheqës të “njësive paraushtarake shqiptare”. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i PPD-së, Mithat Emini, pastaj ndihmës-ministri i Mbrojtjes, Hysen Haskaj, e shumë personalitete të tjera të shquara shqiptare. Pasi u kryen të gjitha proceset hetimore, në pranverë të vitit 1994 në Shkup, me propozim të Prokurorisë së Përgjithshme, u zhvillua procesi gjyqësor kundër dhjetë të akuzuarve, të cilët morën dënime të rënda nga dy deri më dhjetë vjet heqje lirie. Kjo ngjarje e tronditi thellë faktorin e atëhershëm më të madh politik shqiptar në Maqedoni, PPD-në, që – siç dihet – në kongresin e dytë të mbajtur gjatë po aty viti u nda në dy grupacione të veçanta politike.