` . Afaristët shqiptarë të pakënaqur nga puna e deritanishme e Qeverisë - TV-SHENJA

Afaristët shqiptarë të pakënaqur nga puna e deritanishme e Qeverisë

100 ditët e para të Qeverisë së re nuk kanë qenë të kënaqshme për sektorin e biznesit. Kështu kanë vlerësuar sot nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, në analizën e tyre  mbi 100 ditët e para të Qeverisë. Kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha, tha se kemi rritje negative të Prodhimit Bruto Vendor -1.8 për qind në kuartalin e dytë dhe 0 për qind në kuartalin e parë, që në një mënyrë sipas tij, kjo do të thotë se recesionin e kemi në pragun e derës.

NEBI HOXHA, KRYETAR I OEMVP-SË

“Sigurisht që duhet të bëhet edhe rivlerësim për tragetet e PBV, pasi që rritja prej 2.2 për qind është e pamundur, rrjedhimisht ne do jemi të kënaqur që këtë vit të arrijmë rritjen prej 0.7 për qind deri në 1 për qind të PBV. Gjithë kjo pason atë që në vitet e kaluara e kemi cekur se 2017 do të jetë shumë i vështirë për ekonominë tonë”

OEMVP ka vërejtje edhe për disa projekte të qeverisë, në mesin e tyre për projektin “Garanci për të rinjtë”, për të cilin projekt, qeveria ndau 9 milionë euro për bruto paga. Sipas Hoxhës kjo masë është e përgjithshme dhe nuk i paraprinë cost-benefit analizës dhe efekti do të jetë minor në aspektin makro-ekonomik.

NEBI HOXHA, KRYETAR I OEMVP-SË

“Oda është konzistente në kërkesat e saj sidomos për problemin infrastrukturor të zonës së Vizbegut dhe për bizneset e vërshuara në Hasanbeg për të cilat ka premtime nga ana e qeverisë, por akoma nuk ka hapa konkretet, edhe pse kanë dërguar propozim masa se si të realizohet ndihma ndaj tyre”

Nga Oda Ekonomike thonë se reformat në gjyqësor kanë ende ngecje dhe për këtë shkak duhet vepruar sa më shpejtë që të kthehet shteti i së drejtës.

Sipas tyre për një ekonomi të shëndoshë është e patjetërsueshme depolitizomi i institucioneve shtetërore, duke ulur në minimum jo-efikasitetin e administratës apo institucioneve shtetërore, si dhe përgatitjen e një strategjie të mirëfilltë për zhvillimin ekonomik të vendit. Enis Murtezi /SHENJA/

Postime të Ngjajshme