` . 64% e izraelitëve të pakënaqur nga politikat e Netanyahut ndaj Gazës – TV-SHENJA

64% e izraelitëve të pakënaqur nga politikat e Netanyahut ndaj Gazës

Rreth dy të tretat e izraelitëve janë shprehur të pakënaqur me politikat e kryeministrit të tyre Benjamin Netanyahu ndaj Rripit të Gazës, kanë treguar të dhënat e një sondazhi të publikuar.

Sondazhi në fjalë, rezultatet e të cilit u publikuan të premten në të përditshmen izraelite Maariv, tregon se 64 përqind e izraelitëve janë “të pakënaqur” nga qasja e Netanyahut ndaj territorit të bllokuar.

Sipas sondazhit, i cili u realizua nga Panels Politics, një kompani konsulente me qendër në Tel Aviv, 29 përqind e të anketuarve thanë se “janë të kënaqur” me politikën që kryeministri e zbaton në Gaza, ndërsa shtatë për qind e të anketuarve refuzuan të japin një opinion të tyre.

Sondazhi ka nxjërrë në sipërfaqe edhe mendimet e ndara mes izraelitëve rreth thirrjeve të fundit për një sulm më gjithpërfshirës ushtarak mbi Rripin e udhëhequr nga Hamasi, pasi 48 për qind janë shprehur pro mendimit për një operacion të tillë, ndërkohë që 41 një për qind janë shprehur kundër.

Njëmbëdhjetë për qind kanë refuzuar të japin mendimin e tyre.

Maariv thotë se studimi përfshiu 512 izraelitë të zgjedhur në mënyrë të rastësishme, me një normë gabimi prej 4,3 përqind.

Muajt e fundit kanë dëshmuar një ngritje të tensioneve përgjatë zonës tampon mes Gazës dhe Izraelit.

Të enjten, një burim palestinez tha për AA se Izraeli dhe fraksionet me seli në Gaza kanë arritur një armëpushim të ndërmjetësuar nga Egjipti, i cili synon të sjellë qetësi në rajon.

Armëpushimi i në fjalë u bë armëpushimi i pestë në dy muajt e fundit mes Izraelit dhe grupeve palestineze të arritur në ndërmjetësimin e Egjiptit.

Ushtria izraelite kishte njoftuar se nga mbrëmja e ditës së mërkurë avionët luftarak kanë shënjestruar mbi 150 objektiva në Gaza, ndërsa pretendoi se nga Gaza në drejtim të Izraelit janë dërguar 180 raketa.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza bëri të ditur se nga sulmet izraelite drejt Gazës kanë rënë dëshmorë dy palestinezë, ndërsa 30 të tjerë ishin plagosur. /AA/