` . Bota ka nevojë për ridizajnim të sistemit shëndetësor - TV-SHENJA

Bota ka nevojë për ridizajnim të sistemit shëndetësor

“SHBA-të, me administratën e re amerikane, u tërhoqën nga një rol global që kishin në përgjithësi. Kjo administratë nuk beson shumë jo vetëm në aspektet e shëndetit global, por edhe në aspekte të shkencës në përgjithësi, andaj shkurtoheshin buxhetet për shkencë dhe hulumtim. Kjo tërheqje nga pozita e një lideri global krijoi vakum që as Kina e as ndonjë shtet tjetër nuk mund ta mbulojë”, thotë Husein Reka.

Intervistoi: Latif MUSTAFA

Pandemia e virusit Covid 19 ka nxjerrë në pah shumë studiues, hulumtues, mjekë dhe ekspertë shqiptarë, të cilët kanë ofruar shpjegime, analiza dhe strategji të ndryshme për t’u ballafaquar me virusin Covid 19, duke ndjekur kështu trendet dhe parashikimet e mundshme rreth ecurisë së virusit në raport me efektet shoqërore. Për të diskutuar rreth gjeopolitikës së shëndetësisë dhe situatës pas pandemike, në kuadër të emisionin “n’Pikë”, që u emetua në TV Shenja më 17 Prill, 2020, mysafir në program ishte Husein Reka. Ai jeton në Doha të Katarit dhe është ekspert i politikave globale shëndetësore. Duke qenë strategjist për zhvillimin e politikave publike shëndetësore, ai ka ndjekur dhe mbikëqyrur projektet e themelimit dhe avancimit të infrastrukturës dhe politikave shëndetësore të shumë shteteve në Lindjen e Mesme, si: Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Katari. Ai është farmacist dhe studimet master i ka kryer në fushën e menaxhimit në “Imerial College” në Mbretërinë e Bashkuar. Ka diplomë edhe në fushën e ekonomisë shëndetësore nga “York University”, si dhe në fushën e politikave ndërkombëtare shëndetësore nga “London School of Economics”. Ai është këshilltar për çështje shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë. Husein Reka është nga Maqedonia e Veriut dhe jeton në Doha të Katarit.

 

SHENJA: Ju jeni ekspert i fushës së menaxhimit të shëndetit publik dhe keni qenë vëzhgues i direkt i ndërtimit të sistemeve shëndetësore atje. Po qarkullojnë lajme rreth mostransparencës të numrit të të prekurve me Covid-19. Na tregoni, ju lutem, se si po përballen këto shtete me pandeminë?

  1. REKA: Shtete e Gjirit po e përballojnë shumë mirë pandeminë, duke i njohur edhe masat që i kanë ndërmarr dhe investimet e shumta që i kanë bërë në këto 15 vitet e fundit. Një gjë që u jep përparësi shteteve të Gjirit është se ato kanë pasur një eksperiencë të mëparshme me korona-virusin që shkaktonte MERS-in – Middle East Respiratory Sindrome – i cili ishte në 2013 dhe ato eksperiencat janë të rëndësishme. E njëjta është me Hong-Kongun, ngaqë atje e kaluan Sarsin. Eksperienca, kuptohet edhe investimet, ndihmojnë shumë në tejkalimin e situatës. Sa u përket investimeve, mund të them se është investuar shumë dhe jo vetëm në rritjen e kapaciteteve, por edhe në rritjen e menaxhimit, rritjes së resurseve njerëzore dhe mbajtjen e një sistemi stabil. Edhe masat që janë ndërmarrë, ato të izolimit dhe testimit masiv, në këtë rast vlen të përmenden Emiratete Bashkuara Arabe, ndër shtetet e pakta në botë që bëjnë testim masiv, gjithashtu edhe Katari bën shumë testime: 2000 testime në ditë. Po ashtu edhe Kuvajti është duke treguar rezultate të mira. Numri i të vdekurve është shumë i vogël tani. Por, edhe numri i testimve ndikon në atë, ngaqë ulet përqindja dhe në përgjithësi mendoj se janë të përgatitur. Sa i përket transparencës, mendoj që çdo shtet anëtar i Organizatës Botërore Shëndetësore (OBSH) i ka obligimet e veta në suaza të rregullativës ndërkombëtare shëndetësore dhe një ndër detyrimet e tyre është paraqitja e numrit të saktë dhe në kohë sa më të shpejtë dhe nuk besoj se shtetet do të rrezikojnë të bëjnë manipulime, sepse mund të penalizohen.

 

SHENJA: Meqë keni jetuar në Hong Kong, çfarë mund të themi për Kinën, rajonin në përgjithësi dhe Wuhanin në veçanti? Mediat raportojnë se kemi shfaqje të reja të virusit. Sa qëndrojnë këto?

  1. REKA: Po, është një debat i madh, në kontekst të lëshimeve, se çfarë ndodhi, pse nuk u bënë përgatitje apo reagime më të shpejta që epidemia që shpërtheu në Wuhan të mos shpërndahet në rruzullin tokësor? Ka mjaft kritika për autoritetet kineze, por mendimi im është se nëse i përjashtojmë lëshimet që u bënë në muajin e parë, flasim për 8 dhjetor 2019, kur u manifestua rasti i parë, e deri më 23 janar, kur Wuhani dhe tërë provinca Hubei, u fut në karantinë në përgjithësi, Kina e menaxhoi me sukses situatën. Pati lëshime në muajin e parë, pasi autoritetet lokale të provincës së Hubeit nuk e morën seriozisht situatën dhe nuk reaguan menjëherë me masat e izolimit. Tani mendohet se pushteti qendror në Pekin nuk ka pasur njohuri deri në javën e parë ose të dytë të janarit dhe këtu mendoj se ka një element që mund të besohet, sepse ata që e njohin sistemin politik në Kinë, e dinë mirë se si është modeli i udhëheqjes atje, ngase 31 provincat dhe territoret vlerësohen në bazë të indikatorëve themelorë të performancës, siç është rritja ekonomike, zvogëlimi i varfërisë, teknologjia dhe infrastruktura dhe ato konkurrojnë me njëra-tjetrën. Provinca Hubei ka qenë nga provincat më të suksesshme, në të shumtën e kohës, dhe tani është normale që autoritetet lokale ose Sekretari i Përgjithshëm në provincën e Hubeit ka menduar se mund ta menaxhojë situatën dhe nuk e ka njoftuar pushtetin qendror derisa situata nuk doli nga kontrolli. Pastaj e dimë çfarë ndodhi. U bë ndërrimi i strukturës udhëheqëse në Hubei, u soll kryetari i Shangait që ta udhëheqë provincën, u bë një mobilizim i madh dhe prej aty filloi një menaxhim më i mirë i situatës, që solli deri tek ajo që vatra e Wuhanit të izolohet, që mos të dalë përtej provincës Hubei dhe kështu të ulet numri i rasteve dhe i reproduktimit të virusit. Në fakt, ishin të izoluar totalisht 60 milionë njerëz nën masa drakonike dhe gjysma e popullsisë, flasim 700 milionë e më tepër, ishin brenda një vetizolimi të imponuar nga autoritetet brenda masave ku kontrolloheshin në çdo dy ose tre ditë. Provinca që ishin larg vatrës, si Ningxia dhe ajo në veri të vendit, Xinjiang, ishin po ashtu nën këto masa. Tani testimi masiv dhe kuarantimi masiv ndihmuan në mundjen e virusit. Rekomandimi që të bëhet izolimi i gjithë pacientëve, përfshi edhe ata me simptoma të lehta në spitalet e improvizuara, ndihmoi shumë. Duhet shtuar këtu edhe masat që mos të ketë grumbullime të mëdha, masat e shëndetit publik, siç janë mbajtja e maskave, mbyllja e shkollave etj. Të gjitha këto ndikuan që të shkëputet zinxhiri i virusit dhe të qetësohet situata e që më datë 8 prill, gjegjësisht pas 70 ditëve, vendi doli nga karantini, masat tashmë janë më të relaksuara dhe njerëzit lëvizin lirisht. Kemi raste të reja, ashtu siç përmendët, por janë raste të importuara. Tanimë në Kinë kishte rreth 100 raste që u importuan nga Rusia, nga Vladivostoku në Harbin të Heilongjiangut. Singapori, në anën tjetër, po kalon në një situatë mjaft të rëndë. Ai që ishte modeli artë i menaxhimit të virusit, dje pati 700 raste të infektimit lokal, kjo shkaku i importimit të rasteve që u kthyen në Singapor, Hong-Kong dhe Kinë. Momente pakujdesie shkaktojnë me qindra raste infektimi të lokalizuara brenda punëtorëve migrantë në amvisëritë e tyre ku ata jetojnë. Kështu rreziku përsëri ekziston. Një gjë që duhet ta kemi parasysh se ne në kontinuitet jemi pas virusit në 10 deri në 14 ditë. Atë që shohim sot është ajo që është rezultat i masave të ndërruara ose i lëshimeve që janë bërë. Numrat që i përmendin ose edhe kur autoritetet flasin për rritje të lakores ose numrave 2.000 ose 3.000, ato janë simulime në bazë të modeleve dinamike, që i përdorin, por nuk mund të përkojnë me realitetin. Masat e parandalimit të kontaktit në mes njerëzve nuk mund të parashikojmë. Një incident i vogël mund t’ju shndërrojë në vatër të epidemisë. Shembulli i mirë është ai në Korenë e Jugut, ku çdo gjë ishte në rregull derisa nuk ndodhi mbledhja e një sekti religjioz në mënyrë sekrete në Daung, që shkaktoi vatrën dhe e izoloi gjithë qytetin. Pra, kontaktet e thjeshta e rrisin probabilitetin e transmetimit të virusit prej personave të infektuar në ata të painfektuar.

 

SHENJA: Në kuptimin më filozofik të fjalës, për herë të parë njerëzimi po parapëlqen shëndetin fizik para një lirie metafizike. Më parë e jepnim jetën për lirinë që nuk arrinin ta gëzonin, kurse sot izolohemi për një lloj lirie më të gjerë në të ardhmen, duke përfshirë këtu masat restriktive dhe penalizuese që institucionet i kanë paraparë. Po flasim për izolimin dhe metodat. Në disa shtete europiane po praktikohet metoda e infektimit të kontrolluar publik dhe në anën tjetër kemi metodën e izolimit total ose karantinizimin. Çka mendoni, cila është më adekuatja?

  1. REKA: Jemi në një situatë unike që nuk e kemi kaluar më parë. Ndodhë një herë në 100 vjet. Sa ka aspekte të shëndetit publik, ka edhe aspekte filozofike e metafizike. E thatë shumë mirë “e sakrifikojmë lirinë tonë, gjënë më të çmuar, jo vetëm për të mirën tonë dhe mirëqenien tonë fizike e psikike, por edhe për të afërmit tanë dhe përtej”. Jemi në një situatë që në ekonomi është e njohur si eksternalitet. Kjo është rezultat i aktiviteteve që shkaktojnë përfitime dytësore ose dëme. Veprimet e mia nuk më tangojnë vetëm mua, por do t’i afektojnë edhe njerëzit rreth meje. Nëse unë nuk jam i vetëdijshëm që e kam virusin, jam asimptoatik, dal dhe kontaktoj njerëz brenda ditës. Kështu unë e përçoj virusin dhe përçoj rrezik, duke e rrezikuar shëndetin publik. Faktikisht, vetëdijesimi ka të bëjë me sakrifikimin e lirisë sonë jo për të mirën e vetes, por të mirën e të tjerëve. Tani paraqiten dy strategjitë të cilat për momentin përdoren mjaft. Njëri është modeli i Lindjes së Largët, të cilin e aplikuan shtete si Kina, Hong-Kongu, Singapori, Koreja e Jugut deri diku edhe Italia në Europë, që parasheh testim, izolim, kuarantin ku kemi vatra, distancim social sa më të mundur, mbajtje të pacientëve me simptoma të buta në spitalet vetëm për Covid, si dhe mbajtja e maskave. Kjo qasje, duhet ta kemi të qartë, është afatshkurte. Ju nuk mund t’i mbani njerëzit të mbyllur 3 muaj dhe është si një lloj plumbi i argjendtë që duhet ta shkrepni në kohën e duhur, pasi që këto maska nuk mund t’i mbani në kontinuitet. Duke e marrë parasysh këtë, na del në pah modeli i dytë, që është modeli i imunizimit kolektiv, model që deri diku e aplikon Suedia por nuk është model i pastër. Ka edhe aty disa kufizime të caktuara. Njerëzit nuk mund të grumbullohen, sugjerohet distancim social, por jo me masa restriktive drakonike. Britania e Madhe u mundua ta aplikojë këtë model, por dështoi. Ky model parashikon segregim dhe izolim vetëm të grupeve të prekura dhe në rrezik nga virusi. Pasi të dhënat erdhën nga Kina, ato dëshmuan se mosha luan rol. Në qoftë se jeni mbi moshën 80-vjeçare, vdekshmëria është 80%, andaj ju i izoloni grupet më të prekshme, ndërsa i lejoni grupet e tjera të shoqërisë të kenë një infektim gradual dhe të përfitojnë një imunitet natyror. E tani këtu problemi qëndron si të bëni segregim? A kemi mjaft disiplinë në shoqëri që të arrijmë t’i segregojmë grupet shoqërore?

 

SHENJA: A do arrihet imuniteti?

  1. REKA: Po, në shumicën e rasteve imuniteti arrihet. Të infektuarit nuk përfunojnë në spital, janë raste të lehta dhe fitojnë imunitet. Problemi është se si do ta kontrolloni shkallën e infektimit, ashtu që ju mos ta mbingarkoni sistemin tuaj shëndetësor. Ju nuk keni një kyçje-çkyçje, andaj shkallën e infektimit do ta mbajmë të balancuar që sistemi shëndetësor të mund të absorbojë raste. Teknikisht, është shumë e rëndë për t’u arritur. Është kjo strategji me rreziqe dhe jo çdo shtet mund ta realizojë. Shtetet që nuk kanë sistem adekuat shëndetësor nuk mund ta aplikojnë këtë masë, pasi sistemi i tyre shëndetësor do të përmbyset. Shtrohet pyetja: Gjermania a ka mundur ta bëjë këtë? Po, madje shumë lehtë. Sepse Gjermania ka gjysmë milioni shtretër, më së shumti në Europë dhe ka 40 mijë shtretër për shërim intensiv. Mirëpo, shkaku i rrezikut të madh të kësaj strategjie bëri që as gjermanët mos ta aplikojnë këtë strategji. Unë e preferoj strategjinë e izolimit, pasi që rreziku është më i vogël. Kjo ka funksionuar në Lindjen e Largët. Tani e shohim deri diku në Itali, në Spanjë jep rezultate, në Ballkan jep rezultate, por nuk është një masë që aplikohet pa fund. Duhet të gjenden zgjidhje të tjera dhe këtu konteksti luan shumë rol. Si arriti Suedia të shkojë në atë drejtim? Në Suedi është konteksti ndryshe, sepse shumica e banesave, shtëpive dhe amvisërive e kanë një person. Do të thotë se 50% e banesave janë me nga një person, ka vetëdije më të lartë shoqërore dhe njerëzit i ndjekin ato udhëzimet e autoriteteve shëndetësore. Megjithatë, përsëri edhe në Suedi e kemi një rritje të hatashme të rasteve. Tani edhe vdekshmëria është rritur deri në 100 raste në ditë dhe me mijëra raste të infektimit.

 

SHENJA: Është pritur që SHBA-të ta kapin bajrakun në luftën globale kundër koronës, sepse ato njihen si një superfuqi ushtarake, teknologjike e shkencore. Mirëpo, SHBA-të po përballen sot me numrin më të madh të të prekurve. Në fakt, çfarë shkoi keq? Kemi një situatë edhe më të rëndë kur presidenti Trump po kërkon ndërprerjen e fondeve ndaj OBSH-së. Çfarë po ndodhë?

  1. REKA: SHBA-të, me administratën e re amerikane, u tërhoqën nga një rol global që kishin në përgjithësi. Kjo administratë nuk beson shumë jo vetëm në aspektet e shëndetit global, por edhe në aspekte të shkencës në përgjithësi, andaj shkurtoheshin buxhetet për shkencë dhe hulumtim. Kjo tërheqje nga pozita e një lideri global krijoi vakum që as Kina e as ndonjë shtet tjetër nuk mund ta mbulojë. Për fat të keq, situata do të ishte më ndryshe sikur ta kishim një SHBA që do ta merrte në dorë një pozitë të liderit global për ta mundur pandeminë e jo të izolohet e të distancohet nga ajo çfarë ndodh në vendet e tjera. Tash, nga aspekti i sistemit shëndetësor, ata nuk janë shembulli më i mirë. Të gjithë ata që punojnë në shëndetësi e dinë që SHBA nuk është referencë. Përkundrazi janë referencë për sistem shëndetësor të fragmentuar, që nuk jep mbulim universal me pagesë minimale. Është sistem që favorizon. Shembull, nëse je i punësuar, je i mbuluar. Ose, nëse ke mjete financiare. Por, në të njëjtën kohë është sistemi më i shtrenjtë në botë. SHBA-të harxhojnë 1 trilion dollarë në shëndetësi ose rreth 20% të GDP-së, që do të thotë se çdo i pesti dollarë shkon në shëndetësi dhe përsëri nuk është ndër dhjetë sistemet e botës. Në një rangim që e bëri OBSH-ja në vitin 2000, i rangoi SHBA-të – për nga aspekti i performancës, kualitetit etj. etj. – si vendi 37-të, vetëm para Sllovenisë dhe Kubës. Mirëpo, këto janë probleme që janë më të thella. Jo se sistemi shëndetësor nuk do është më i mirë, po problemi i SHBA-ve është politik. E dimë se çfarë ndodhi me Obama Care-in, se si u aplikua, që të zvogëlohet numri i të pasiguruarve. Por, administrata e re mori masa për ta shpartalluar dhe shkatërruar e minimizuar këtë sistem, u rrit numri i të pasiguruarve e tani është një situatë ku ke një sistem të fragmentuar dhe kjo nuk më befason. Unë e parashihja që SHBA-të do të goditen më ashpër mu për shkak të këtij sistemi dhe në disa postime spekuloja se rreziku më i madh për fushatën e Trump-it për t’u rizgjedhur nuk është as Biden e as Sander, por është Covid-19 ose jo menaxhimi i mirë i tij. SHBA-të u vonuan në marrjen e masave të izolimit me përgatitjet me mjete personale mbrojtëse, si dhe me pajisjet më kritike, siç janë ventilatorët. Nëse i vëreni paraqitjet ditore të guvernatorit të NewYork-ut, ai në kontinutitet bënte thirrje se “kemi mungesë të materialeve, të ventilatorëve”. Nuk flasim për një e dy e njëqind, por për mungesë të mijëra ventilatorëve, të maskave e kështu me radhë. Është befasuese duke marrë parasysh faktin se rasti i parë me Covid-19, që u regjistrua në SHBA, ishte me 19 janar, i importuar nga Kina, andaj duke e marrë parasysh se çfarë ndodhi në Kinë e çfarë në Itali e Spanjë, duket se SHBA-të dukshëm u vonuan. Përsëris, atë qe e kemi sot është rezultat i masave të para dy javëve. Çdo vonesë në masa, jo vetëm brenda ditës, por edhe brenda orëve, mund të kushtojë shumë. SHBA-të tani janë në fazë të mitigimit të situatës, në vend që të ishin në një situatë që ta kontrollonin shpërndarjen e virusit. Çdo shtet i ka karakteristikat e veta dhe konteksti luan rol. Konteksti i SHBA-ve është rezultati ekonomik i dy-tri viteve të fundit, të cilat administrata aktuale i paraqitet si të arritura, por ato u tretën brenda nate. Prej një papunësie minimale tashmë kanë kaluar në një papunësi prej 20 milionësh brenda një muaji. Ky është një vit zgjedhjeje dhe ata janë në një situatë ku duhet të zgjedhin mes izolimit të mëtutjeshëm ose relaksimit për shkak të efekteve ekonomike.

 

SHENJA: Sa i përket ndërprerjes së fondeve ndaj OBSH-së, kur tani ajo ka shumë nevojë, e që kjo do i kushtojë Trump-it, sa do i kushtojë kjo globit?

  1. REKA: Definitivisht momenti nuk ishte adekuat për të shkurtuar ose suspenduar mjete financiare për OBSH-në. Kur jemi në mes të luftës ndaj një pandemie të paparë në këto 100 vjetët e fundit, përsëri këtu luan rol politizimi i Covid-19, që nuk është karakteristik vetëm për SHBA-në. Në shumë vende të tjera është ashtu. Se pse u morën këto masa, kjo ka të bëjë me shkakun e perceptimit se ku dështoi OBSH-ja dhe Kina dhe vallë ky dështim i tyre e shtyri SHBA-në të marrë një vendim të tillë. Sigurisht, është pjesë e komunikimit dhe strategjisë e Shtëpisë së Bardhë që deri diku të arrijnë t’i shmangin akuzat ose drejtimin e gishtit në aspektin e jomenaxhimit të mirë në fillim në SHBA. Disa kritika, që i janë adresuar OBSH-së dhe Kinës janë të arsyeshme. Ka pasur kritika për mungesën e transparencës në fillim dhe pse OBSH nuk i alarmoi më herët për rrezikun që paraqiste. E sidomos se pse nuk u alarmua më herët për faktin që virusi përhapet nga njeriu në njeri. Të përkujtojmë se deri kah mesi i janarit OBSH kishte qëndrimin se nuk ka fakte që virusi të shpërndahet nga njeriu në njeri, kjo në bazë të hulumtimeve preliminare të autoriteteve kineze, andaj duhej të kalonin javë të tëra që ky pohim të vërtetohej. Duke marrë parasysh se mungesa e provave nuk do të thotë se nuk ka transmetim nga njeriu në njeri, këtu OBSH-ja duhet të kishte një qasje më pak riskmarrëse dhe më inkurajueshme dhe të kërkonte rritjen e nivelit të shëndetit publik më të lartë që e kishte në diskonim. Vonimi i shpalljes së pandemisë po ashtu ishte dobësi dhe ajo çfarë dëgjojmë këto ditë është aktualizuar një luftë mediave. Dëgjojmë raporte se diku me 31 dhjetor Tajvani ka paralajmëruar OBSH-në për faktin se ka transmetim nga njeriu në njeri, të cilën OBSH-ja e ka injoruar, qoftë për shkaqe teknike ose politike, ngaqë Tajvani nuk është pjesë e OBSH-së dhe gjithashtu ka një fakt se nga fillimi i janarit një profesor i Hong-Kongut, profesor Kuo, gjithashtu ngriti alarmin se virusi bartet nga njeriu në njeri. Por, tani nuk është situata të merremi me akuzime kush çfarë bëri. Tani është momenti që të ketë një mobilizim dhe solidarizim të të gjithë faktorëve kryesorë globalë që të luftohet pandemia dhe të minimizohen dëmet në njerëz. Ky është konteksti. A do të ketë ndikim mbi OBSH-në ndalimin e fondeve? Dyshoj, pasi që veç kemi shtete dhe institucione që ta mbulojnë deficitin. Mbase do mbetet vetëm si efekt mediatik dhe perceptim për publikun amerikan se gjoja “ne nuk jemi të kënaqur me punën e OBSH-së dhe faktin që disa informata nuk u shpërndanë në kohë”. Tani duhet ta kemi parasysh dhe ta kuptojmë edhe OBSH-në. Kjo organizatë disadekadëshe i ka mangësitë e saj në rregullimin ndërkombëtar dhe shëndetësor dhe nuk ka ndonjë mekanizëm detyrues që do t’i detyrojë shtetet anëtare. Prandaj punohet vetëm mbi parimin e vullnetit të mirë. E tani kur ju përballeni me një shtet si Kina, do të jeni më diplomatik sesa agresiv. Këto janë çështje nuancash. Dhe, sa kanë qenë më diplomatikë të OBSH-së, këto janë çështje që do të sqarohen.

 

SHENJA: Le të kthehemi pak në Europë. Bazuar në PR-in e shtetit gjerman dhe informatat që sillen në media, duket se Gjermania po e kalon më së miri këtë situatë. Krahasuar me Spanjën dhe Italinë, si shtete të rrethit të dytë të BE-së, nëse do kishim bërë një krahasim me Mbretërinë e Bashkuar, si qëndron raporti?

  1. REKA: Unë nuk do të isha dakorduar me krahasimin e Italisë. Vatra në Itali ishte në rajonin më të zhvilluar të Italisë, në Emiglia Romana dhe Veneto, regjionet më të pasura që kanë sistemet më të forta shëndetësore. Por, as sistemet më të forta shëndetësore s’mund ta durojnë shpejtësinë e shpërndarjes së virusit, pasojat dhe mbingarkimin. Çdo shtet që ka pasur sistem të fortë shëndetësor, ka mundur ta përballoje valën e parë të pandemisë. Me Gjermaninë është pak më ndryshe, kjo për faktin se politikat shëndetësore në Gjermani zhvillohen në një relacion mjaft të lidhur me profesionin shëndetësor. Gjermania ka numër të madh të spitaleve dhe shtretërve. Madje, përtej nevojave të veta. Mirëpo, për shkak të lobimit të fortë të profesionistëve gjermanë dhe federatës së mjekëve gjermanë, shteti nuk ka arritur asnjëherë ta zvogëlojë numrin e spitaleve ose të shtretërve. Ajo federatë është aq e fortë, saqë askush nuk mund t’ia impononte zvogëlimin e shtretërve. Madje, kur diskutojmë ne, ekspertët e shëndetësisë dhe menaxhimit shëndetësor, themi se në Gjermani më lehtë pranohesh në spital sesa në hotel. Mirëpo tani ndodhi që ky fenomen të jetë një përparësi për Gjermaninë – të kenë kapacitet ekstra që e ndihmon në valën e rritjes. Gjermania shumë më lehtë e përballon këtë. Ajo kishte 28 mijë shtretër për kujdes intensiv dhe ato gati se i dyfishuan. Tani i kanë 40 mijë, kanë gjysmë milioni shtretër dhe kanë ngritur numrin e ventilatorëve prej 10 mijë në 20 mijë, ndërsa po punohet që të ngrihet në 30 mijë ventilatorë. Por, duhet ta shohin edhe aspektin e kulturës. Ndjekja e udhëzimeve nga popullata shpijnë drejt asaj që Gjermania të dalë me më pak fatalitete. Ata po ashtu bëjnë edhe shumë testime. Ata bëjnë mbi 100 mijë testime në ditë. Kjo u ndihmon atyre t’i izolojnë rastet dhe t’i gjurmojnë rastet përmes kontaktit, si dhe duke e zgjeruar perimetrin e gjurmimit, ta parandalojnë përhapjen e sëmundjes. Kjo është masa më efikase dhe ka dhënë rezultat. Pa harruar ta potencoj se në SHBA kishim edhe mungesë të testimeve. Njëjtë është edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Në Mbretëri hezitimi për të kaluar nga një strategji në tjetrën, e shkaktoi atë që ndodh sot dhe Mbretëria ta kalojë edhe Italinë, edhe Spanjën bashkë me SHBA-në. Gjithë kjo mospërgatitje shkaktoi situatë të tillë. Por, këto janë shtetet që shumë shpejtë organizohen dhe që kanë kaluar në situata shumë më të rënda. Është çështje kohe.

 

SHENJA: Uroj që në Ballkan nuk kemi mbetur në mëshirë të fatit kur i krahasojmë të dhënat me shtetet e fuqishme. Siç e dini, në Ballkan e praktikojmë metodën e izolimit e herë-herë edhe të karantinizimit. A ka diçka që do të duhej të ndryshohej, qoftë në përballje me pandeminë, por edhe në sistemet shëndetësore?

  1. REKA: Dëgjojmë mjaft nëpër mediume se si veprojnë vendimmarrësit në shtetet e Ballkanit. Është problem të evaluohet vendimmarrja e tyre, sepse është komplekse dhe bazohet në shumë të dhëna, të cilat mblidhen nga aspekti i të infektuarve, aspekti i shkallës së riprodhimit të virusit, shtrirjes gjeografike, kapaciteteve të disponueshme, si dhe kontekstit ekonomik dhe financiar. Ne nuk e kemi fizibilitetin e duhur për të konstatuar se ministri i Shëndetësisë së x shtetit nuk ka vepruar mirë. Nga ana tjetër, marrja e shembujve që i përmendëm, sikurse izolimi drakonik në Kinë, nuk mund të aplikohet gjithkund dhe është gabim nëse thuhet se duhet të aplikohen ato masa. Duhet të kemi konsideratë ndaj vendimmarrësit dhe mos të hidhemi në akuza vetëm nga elemente minimale dhe të themi se janë gabim dhe nuk i kryejnë punët mirë. Mendoj se është bërë punë e mirë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Një punë e mirë, që do të duhej ta bënin, ndoshta e kanë bërë – edhe rastet më të buta të izolohen në spitale speciale e jo të lirohen në komunitet. Këtë e ka bërë Kina, shteti i New-Yorkut dhe Mbretëria e Bashkuar, duke krijuar spitale enkas. Më habiti fakti se një parti shqiptare doli dy herë ose tre me këtë rekomandim, që më pëlqeu, mirëpo më befasoi që ajo parti është pjesëmarrëse në pushtet dhe nuk ndikon brenda qeverisë po del me pres-konferenca. Përndryshe, ky rekomandim aplikohet në Serbi, kjo si pjesë e ndihmave që Kina i dërgoi. Ajo dërgoi atje edhe 5 ekspertë që, mes tjerash, rekomanduan karantin masiv në zonat e valës, të cilët Serbia i refuzoi, sepse e dinte se zor mund të bënte një gjë të tillë, siç e bënë në Kinë. Por, në anën tjetër, e pranuan rekomandimin që t’i krijojnë këto spitale për pacientë me simptoma më të buta. Sistemet shëndetësore janë më komplekse se kaq. Ju nuk mund të krijoni resurse brenda natës. Nuk mund të krijoni punonjës shëndetësorë brenda natës e as të rrisni kapacitetin brenda natës. Me kapacitetet të cilat punojnë Filipçeja, Arben Vitia ose Manastirliu në Shqipëri, janë rrethana dhe kapacitete të cilat janë ndërtuar ose jo në 10 ose 20 vjetët e kaluara. Unë i simpatizoj ata. Sidomos ministrin e Shëndetësisë së Kosovës. Në javën e parë të marrjes së detyrës i bie që të përballet me krizën më të madhe shëndetësore. Ka mundur të bëhen reforma në aspektin shëndetësor, por, fatkeqësisht, në Ballkan këto vitet e fundit më shumë ka pasur politikëbërje me shëndetësi sesa politika shëndetësore. Politika ka qenë shumë imponuese dhe ka ndikuar shumë në degradimin e nivelit shëndetësor. Prioritetet u ndryshuan. Projekti “Shkupi 2014” harxhoi me qindra miliona dollarë në vend që ato resurse të ishin shfrytëzuar që sot Maqedonia mos të ketë më shumë se 3 mijë raste, pasi 5 mijë raste do të thotë 250 raste kritike, ndërsa në Maqedoni ka 150-200 shtretër për kujdes shëndetësor kritik. Çka do të bëni me 50 të tjerët? Kjo kërkon një debat më të gjerë.

 

SHENJA: Nëse sistemi ekonomik do të rikuporet shpejt, ngaqë armiku është i jashtëm, ashtu siç po thoshit edhe ju më herët. Mirëpo, çfarë mund të mësojmë në aspekt të sistemit shëndetësor? A kemi nevojë për një ridizajnim të sistemit shëndetësor në nivel lokal e global?

  1. REKA: Po, definitivisht. Kemi shumë mësime për të mësuar. Për fat të keq, nuk i mësuam leksionet nga epidemia e Sarsit më 2002-2003 dhe faktet flasin se ato vende që mësuan nga Sarsi, si Hong Kongu dhe Singapori, menaxhojnë më mirë këtë epidemi. Ato janë përgatitur 17 vjet për atë që ndodh sot. Vetë kryeministri i Singaporit e tha kur e pyetën se si ia arritët ta menaxhoni përballjen kaq mirë. Përgjigja e parë ishte: “Ne jemi përgatitur për këtë plot 17 vjet, që kur doli sarsi”. Mungesa e memories se çfarë na ndodhi para 17 vjetësh ose para 7 vjetësh me gripin e derrit është për keqardhje se sa pak mësuam nga ato përvoja, por edhe definitivisht pas krejt kësaj që ndodh shëndeti global do të ndryshojë. Organizatat globale duhet të mendojnë më tepër për shëndetin publik, për epidemitë dhe në të njëjtin nivel që mendojnë për sigurinë nacionale ose për sigurinë nukleare. Ju jeni në situatë që e tërë bota është mbyllur përshkak të një virusi. Organizatat shëndetësore duhet të jenë më bashkëpunuese, të këmbehen të dhënat, të punojnë së bashku në parandalimin e shpërthimit të pandemive dhe jo në mitigimin e tyre. Rasti i këtij virusi është paralajmëruar gjatë analizimit të rezervuarit të viruseve beta-korona në shtazët e ndryshme, sidomos te lakuriqët, ku ka hulumtime të publikuara dhe për ku thuhet se ekziston transmetimi i virusit nga njeriu në njeri dhe autoritetet duhet të përgatiten në parandalimin e tij. Mosdëgjimi i këtyre shkencëtarëve na bëri që të mitigojmë në vend që të parandalojmë. OBSH-ja që është sot nuk do jetë më e tillë, do të jetë një OBSH tjetër. Shtetet do të ulen dhe do të vendosin për rolin e ri të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Asaj duhet t’i japin më shumë hapësirë, më shumë investime në hulumtimin e sëmundjeve ngjitëse, sepse sot pak investohet në virologji, epidemiologji dhe mikrobiologji. Nevojitet përgjegjësi më e madhe nga shtetet e mëdha, më shumë shkencë dhe më pak politikë ditore, që të jemi të përgatitur për epidemitë e së ardhmes.