` . 2050! – TV-SHENJA

2050!

EDITORIAL

Latif Mustafa

Zgjohem në orën e zakonshme të mëngjesit! I rraskapitur, me një ndjesi vjeshte në shpirt përpiqem të ngrihem nga krevati i drunjtë. Me të hyrë në sallon, projeksioni televiziv shfaqet mbi komodinën e madhe, mbi të cilën në projektohen imazhet televizive në formë vëllimore ose në 3D. Ka kohë që kemi hequr nga përdorimi televizorët me projeksion në mur. Lajmet shfaqin imazhe luftërash në Afrikën Qendrore, ku forcat rebele të Ugandës, Tanzanisë dhe Kenias kanë sulmuar ushtrinë mercenare e cila përkujdeset për liqenin e Viktorias. Liqeni është pronë e një kompanie ndërkombëtare dhe është privatizuar para shumë vitesh, përmes një procesi të dyshimtë privatizimi, dhe si resurs shfrytëzohet vetëm nga kompania. Kriza e ujit në botë e, kryesisht, në Afrikë ka shkaktuar fluksin më të madh të migracionit në drejtim të veriut. Kaos i paparë.

Në korridorin e pallatit takoj Tarikun flokë-kaçurrel, ezmer e i buzëqeshur si gjithmonë. Tariku ishte veç 5 vjeç kur u vendosën me babën e tij në pallatin tonë. Arefi, pas shumë peripecive ia kishte arritur të shpërngulej nga Libia dhe të fitonte azilin në qytetin tonë. Nëna e Tarikut kishte ndërruar jetë gjatë rrugëtimit, kurse për rritjen e tij u përkujdes njerka e tij maqedonase Katarina, një grua e ndershme. E shkreta asnjëherë nuk diti t’i thotë jo Arefit. Në heshtje dhe me përkushtim të plotë, si një nënë e vërtetë, arriti ta edukojë Tarikun në mënyrën më të mirë. Tariku, më përshëndeti me dorën e majtë, sepse në krahun e djathtë e mbante biçikletën e palosur elektrike. Kushtet për kërkesë azili në qytetin tonë janë vështiruar shumë që nga koha e Arefit. Përkundër faktit që qyteti është shndërruar në metropol, megjithatë është mbingarkuar dhe periferitë e tij janë zgjeruar. Kur na kap nostalgjia për qytetin dhe kujtimet e thinjura, shkojmë dhe e vizitojmë Urën e Gurit, simbolin e vetëm që na lidhë me të kaluarën. Që nga atëherë shumëçka ka ndryshuar.

Shtetet, të cilat ishin të themeluar në fund të shek. XVIII dhe në fillim të shekullit të shek. XIX tashmë kanë reshtur së ekzistuari. Instanca më e lartë politiko-territoriale tanimë është qyteti bazuar në filozofinë politike të polisit. Qyteza dhe fshatra tanimë janë “shkrirë” ose janë integruar në planin gjeohapësinor dhe politik në qytetet më të mëdha dhe janë krijuar metropole më vete. Identitetet etnike dhe fetare janë pothuajse krejt irelevante në kuptimin e identifikimit. Përkatësia qytetare është shënjuesi i vetëm identitar. Unë dikur isha shqiptar, por biri im gëzon identitet të ri, i cili bazohet në kulturën dhe identitetin urban të qytetit. Komunikimi dhe lidhja ndërmjet qyteteve është shumë më e mirë se dikur. Një qytetar i Shkupit lehtësisht mund të pijë kafen e mëngjesit në Dubrovnik ose në Selanik, edhe pse mund të jetë e kushtueshme. Fjala e dikurshme ministër, kryeministër dhe të ngjashme janë hequr moti nga përdorimi, edhe pse në botë ka akoma shtete që i përdorin praktikat shtetërore. Në korridoret e komunës, dyert e drejtuesve janë të shënjuara me shenja dhe vizatime, pa asnjë gjuhë zyrtare. Meqë planifikimi buxhetor është më i reduktuar se ai i dikurshëm shtetëror, mundësitë për keqpërdorime janë shumë më të vogla dhe kursimet janë evidente.

Rënia e natalitetit, migrimi drejt i popullatës vendase Perëndimit, klima e mirë dhe kushtet e volitshme natyrore e kanë bërë hapësirën e dikurshme, të quajtur Ballkan, atraktive për popujt e Afrikës dhe Lindjes së Mesme. Asnjë qytet nuk ka ushtri, por ruhet nga policia lokale, kurse forcat e përbashkëta ushtarake në kuadër të aleancës janë të dislokuara në brigjet e detit Egje për të penguar migrimin e paautorizuar dhe klandestin të imigrantëve. Rrymat e ftohta dhe ngrohja globale ka filluar ta rrezikojë Europën Veri-Perëndimore. Në vendet skandinave, përkundër investimeve të mëdha, klima e ftoftë e ka përkeqësuar jetën dhe standardin në përgjithësi. Në vitin e kaluar në qytetin e Hamburgut, që shtrihet në veri të Gjermanisë, temperatura mesatare gjatë muajit korrik ka lëvizur nga 6-12 gradë celsius, gjë që e ka bërë edhe më të vështirë jetën. Shtetet e preferuara për imigrim janë hapësirat ku dikur shtrihej Spanja, Italia, Ballkani dhe Turqia veriperëndimore. Poliset e Ballkanit jetojnë në sigurinë më të lartë në glob dhe falë kushteve klimatike dhe fuqisë së re punëtore, që vjen nga jugu e veriu, kanë arritur të sigurojnë një mirëqenie të qëndrueshme.

Teksti më lartë nuk është asgjë më tepër se sa një përpjekje e zbehtë për ta imagjinuar ardhmërinë, duke shmangur maksimalisht të nesërmen e vazhduar si koncept dominues. Kolonizimi i ardhmërisë është aktiviteti më ri imagjinar, që buron nga strukturat ish-kolonialiste. Ajo konsiston që konceptin tonë të ardhmërisë, që imagjinatën për projektimin e saj ta zëvendësojë me konceptin e së nesërmes së vazhduar, gjë që është njëfarë pushtimi i së ardhmes sonë individuale. E nesërmja e vazhduar është aftësia e të menduarit vetëm për dy javët, për një muaj dhe maksimum për katër vitet e ardhshme. Ne, ballkanasit, e posaçërisht shqiptarët, duhet të dekolonizohemi nga e nesërmja e vazhduar, që na imponohet përmes politikave ditore dhe, bazuar në një koncept antropolitik, guximshëm ta projektojmë të ardhmen në një pikë të largët dhe nga kjo pikë të bëjmë një prapa-parashikim për të arritur në pikën ku jemi.