` . 2020 - TV-SHENJA

2020

Shkruan: Latif Mustafa 

Në prag të çdo fundviti, shumë natyrshëm, përpiqemi të bëjmë hesapet në lidhje me vitin që po e lëmë pas dhe fillojmë të qëndisim ëndrra e të thurim dëshira për të ardhmen. Kjo është më e lehtë se përpilimi, projektimi dhe parashikimi i trajektores së evoluimit të planeve tona. Përskaj kësaj, në çdo fundvit të krijohet një boshllëk brenda dhe një mërzi që të rëndon mbi supe. Kjo, ngaqë, si qenie me afat që jemi, ndërvetëdijshëm na e përkujton fundin e qenies sonë, shkundjen nga dehja që e kemi për vijimësinë e pashkëputshme të saj. Për më tepër se kaq, tek një thellësi e pashpjegueshme dhe misterioze fle rrëmbyeshëm bindja e vendnumërimit dhe iluzionit të lëvizjes. Thjesht, vitet kalojnë dhe çdo fund është i njëjtë, sikur asgjë nuk ka ndryshuar.

Viti 2020 i gjen shqiptarët me vullnete të zbrujtura e të shkërmoqura nga barra dhe mirazhet e krizave të viteve të kaluara, ngjyrime këto që bojatisin ëndrrat për vitin në vijim. Kjo, ngaqë, ne drejt ardhmërisë lëvizim së praptazi – me fytyrë të kthyer në drejtim së kaluarës dhe me shpinë drejt të së ardhmes. E ardhmja për ne është obskure, e panjohur dhe misterioze. Gjithçka që shohim janë imazhet gri të së kaluarës, që vështirë i shqisim nga mendja. Konkretisht, imazhet përvëluese dhe dëshpëruese të tërmetit në Shqipëri, përpos lemerisë dhe tmerrit, vazhdojnë akoma të krijojnë ankthin për tragjedinë më të madhe njerëzore, vdekjen. Përbri lemerisë dhe ankthit nuk ka mundësi të mos gufojnë mijëra pyetje rreth natyrës si ekuilibër përkujtimor për dobësinë dhe përgjegjësinë njerëzore. Përgjigje të shurdhra, prore, nga pyetjet shurdhuese për ndikimin e mafias urbane në gjithë këto humbje në Shqipëri. Nëse shkojmë tutje, duhet të pyetemi se  kush lejoi këtë mafia urbane në ndërtimin e këtyre ndërtesave të dobëta? Klasa e tanishme politike. Po atë kush e solli? E sollëm, ne. Konkluzioni i fundit: Ne vramë e po e vrasim vetveten, duke ia lënë fajin natyrës dhe duke na qarë politikanët!

Është e dhimbshme të kuptosh se gjërat nuk po lëvizin dhe shpesh pyetemi në rast se lëvizja vërtet ekziston apo është thjeshtë një iluzion?! Është dëshpëruese kur të eklipson honepsja se gjërat nuk kanë për të lëvizur asnjëherë. Ecejakeja ciklike dhe të kthyerit në pikën zero, në pikën e vdekjes, është momenti më i mirë i reflektimit se e vërteta është me individin dhe jo me turmën. Deri në një shkallë. Turma është imagjinarja më e sofistikuar e të penguarit se ç’farë në të vërtetë është realiteti. Përditshmëria është po ashtu një pengesë tjetër për ta kapur realitetin. Mbase, ne shpesh ngatërrojmë se ç’është e përditshme dhe ç’është reale. Në kuptimin shoqëror dhe politik, në Kosovë gati dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare gjithçka rrezikon të kthehet në pikën zero. Vendi, ka shumë mundësi, të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare. LDK-ja dhe VV-ja nuk po arrijnë të merren vesh për postet qeveritare. Iluzion pas iluzioni. Frikohesh të shpresosh, të ëndërrosh. Déjà Vu!

Déjà Vu-ja është shprehja më simbolike që e përdorim për të shprehur përsëritjen e skenave që tashmë i kemi parë. Në fakt, në kuptimin psikologjik, një “Déjà Vu” ndodh veç një herë, veç në një plan, në një imazh që është unik me perceptimin real, faktit dhe të prekshëm. Déjà Vu-ja, për më tepër, është një koncept psikologjik, rrënjët e së cilës ndërlidhen me të padukshmen, me nënvetëdijen e thellë dhe pamjet e një jete alternative tashmë të jetuar më parë. Por, Déjà Vu-ja nuk mund të jetë repetitive. Ajo, thjesht, ndodh një herë në një moment soditjeje dhe hamendjeje. Shkencëtarët akoma janë në përpjekje kërkimore rreth asaj që quhet “Déjà Vu kronike”. Individët e prekur nga ky fenomen janë subjekte të mbërthyer e të burgosur brenda një ankthi konstant, që vazhdimisht u manifestohet me skena të përjetuara qëparë. Një akth dhe Déjà Vu e tillë janë edhe zgjedhjet e përfolura në muajin prill të 2020-tës në Maqedoninë e Veriut. Si ta mundim këtë ankth kronik e t’i zhbëjmë pamjet e përjetuara që parë? A jemi ne të çekuilibruar shpirtërisht me ankth kronik, që me dorën tonë insistojmë në Déjà Vu-të repetitive? Nëse ecim praptazi me shpinë drejt ardhmërisë, mbase duhet të zgjohemi dhe ta kthejmë kokën prapa gjersa lëvizim praptazi në drejtim të ardhmërisë. Në të kundërtën, nëse kjo nuk ndodh, absurditeti i universitetit buron nga shurdhësia jonë, që rëndon si mallkim në vullnetet tona të ndrydhura, për ta ripërjetuar për të satën herë tashmë se gjërat nuk lëvizin dhe lëvizja, si e tillë, është një iluzion.