` . BE, 2 miliardë euro për themelimin e EIC që do të ndihmojë sipërmarrësit - TV-SHENJA

BE, 2 miliardë euro për themelimin e EIC që do të ndihmojë sipërmarrësit

Këshilli Evropian ka propozuar një fond prej 2 miliardë euro për themelimin e Këshillit Evropian të Inovacionit (EIC) i cili do të ndihmojë sipërmarrësit evropianë që të krijojnë kompani të cilat do të jenë lidere globale, raporton AA.

Komisioneri i BE-së për kërkimin shkencor dhe risi, Carlos Moedas, bëri të ditur se investimi synon të krijojë një istem të tërë inovacionesh i cili si i tillë do të vendosë Evropën në krye të listës së teknologjive strategjike dhe të inovacionit dhe njëherit do të formësojë të ardhmen tonë, siç janë inteligjenca artificiale, bioteknologjia dhe energjia me zero emetime.

“Komisioni është i fokusuar në nevojën e inovatorëve për të forcuar konkurrencën globale”, shtoi ai.

Këshilli në fjalë, pritet të takohet në Bruksel të enjten dhe të premten, ku do të diskutojë ekonominë, industrinë dhe inovacionin, ndërsa aktualisht është në fazën pilot.

Projekti në fjalë pritet të përfundojë më së voni në fund të vitit 2021 dhe do të realizohet në kuadër të programit të BE-së për kërkim dhe inovacion, “Horizon Europe”, që paraqet një program ambicioz hulumtimi dhe inovacioni me një total prej 100 miliardë eurosh, zëvendësues i programit “Horizon 2020”.

Me vetëm 7 për qind të popullsisë së përgjithshme botërore, Evropa mbulon 20 për qind të investimeve globale në fushën e kërkimit dhe zhvillimit ndërsa prodhon një të tretën e të gjitha botimeve shkencore dhe mban një pozitë udhëheqëse botërore në sektorin industrial.