` . 19 të vdekur nga fundosja e anijes me migrantë – TV-SHENJA

19 të vdekur nga fundosja e anijes me migrantë

Të paktën 19 persona kanë humbur jetën si pasojë e fundosjes së anijes me migrantë që ndodhi herët në mëngjesin e sotëm në Detin e Zi në provincën turke Kocaeli, raporton Anadolu Agency (AA).

Komanda e Sigurisë Bregdetare njoftoi se në mëngjes një anije peshkimi me migrantë ilegalë është fundosur në ujërat e Detit të Zi në rajonin Kefken, të provincës Kocaeli. Komanda konfirmoi vdekjen e 19 personave, ndërsa 40 migrantë janë shpëtuar në operacionet e kërkim-shpëtimit, të cilat janë ende në vazhdim.

Rojet bregdetare turke morën një njoftim pas mesnatës për të ndihmuar një anije peshkimi që mbante emigrantë të paligjshëm.

Pas marrjes së informacionit, Komanda e Sigurisë Bregdetare dërgoi një avion dhe dy anije të sigurisë bregdetare. “Në bazë të deklaratave të migrantëve të mbijetuar, vazhdojnë operacionet e kërkimit të 9-11 migrantëve”, njoftohet nga Komanda e Sigurisë Bregdetare.

Migrantët e mbijetuar, përfshirë fëmijë, u transferuan në portin e Kefkenit. Disa prej tyre u transferuan në spitalet në afërsi, kurse dy në gjendje më të rëndë u dërguan me helikopter në Kocaeli.

Në spitalin në Kocaeli është dërguar edhe një grua shtatzënë, e cila ka humbur foshnjën e saj.

Nga 13 gushti deri më 9 shtator, ekipet e Komandës Bregdetare kanë kapur 834 migrantë në Detin e Zi. Dhjetë persona janë arrestuar lidhur me kontrabandën ilegale të migrantëve.