` . 124 milionë njerëz të prekur nga pasiguria ushqimore më 2017 – TV-SHENJA

124 milionë njerëz të prekur nga pasiguria ushqimore më 2017

Pasiguria ushqimore vitin e kaluar ka prekur 124 milionë njerëz në 51 vende të botës, tregoi Raporti i Krizës Globale Ushqimore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas raportit të prezantuar në Romë nga ana e Bashkimit Evropian (BE), Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi të OKB-së (FAO) dhe Programit Botëror të Ushqimit (WFP), numri i personave të ndikuar nga pasiguria ushqimore është rritur për 11 milionë krahasuar me një vit më parë.

Në raport thuhet se rritja e numrit të personave të prekur nga ky fenomen lidhet me konfliktet dhe problemet e sigurisë në Mianmar, verilindje të Nigerisë, Republikën Demokratike të Kongos, Sudanin Jugor dhe Jemen, si dhe me thatësirën në lindje dhe jug të Afrikës.

Raporti potencon se konfliktet janë faktori themelor i pasigurisë ushqimore në 18 shtete, përfshirë 15 në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, kurse thatësira ka shkaktuar pasigurinë ushqimore në 23 vende, shumica në Afrikë.

Për shkak të konflikteve dhe thatësirës, thuhet në raport, kriza do të vazhdojë edhe në vitin 2018 në Jemen, Afganistan, Republikën e Afrikës Qendrore, R.D. të Kongos, në veri dhe lindje të Nigerisë, rajonin e Liqenit të Çadit, Sudanin Jugor, Siri dhe Libi.

Christos Stylianides, eurokomisari për Ndihma Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave, në deklaratën e tij gjatë prezentimit të raportit tha se, “Uria dhe pasiguria ushqimore ndikon në miliona njerëz në botë. Është e nevojshme të marrim masa më të shëndosha dhe më strategjike kundër krizave ushqimore”.

Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, përmes një mesazhi dërguar në Romë, ka theksuar se raportet e këtilla janë të dobishme për të kuptuar vështirësitë me të cilat përballen njerëzit dhe bëri thirrje për aktivizim të menjëhershmë për përmbushjen e nevojave të personave të prekur nga uria dhe pasiguria ushqimore.

Po ashtu, drejtori ekzekutiv i WFP-së, David Beasley, u shpreh se është e mundur të garantohet një botë më paqësore, më stabile dhe pa uri me bashkimin e vullnetit politik dhe teknologjisë.