` . 11 dhjetori: Rënia e mitit dhe fryma e re e politikës shqiptare - TV SHENJA

11 dhjetori: Rënia e mitit dhe fryma e re e politikës shqiptare

Zgjedhjet e fundvitit 2016 sollën një frymë të veçantë në taborin shqiptar. Përpos dinozaurëve politikë, në skenë dolën aktorë të rinj, parti të reja, Lëvizja Besa, LR-PDSH dhe Uniteti. Në fakt, vetëm njëri ishte i ri, me frymë të re. E dyta në vargun e përmendur doli nga partia private e Thaçit, e treta fraksion i BDI-së, krahu i të pakënaqurve. Koalicione parazgjedhore ndër shqiptarë ishin dy: partia e Selës, “Aleanca për shqiptarët” (njëri krah i RDK-së dhe Uniteti), nga njëra anë, dhe “Rilindje me Besë” (krahu tjetër i RDK-së me Lëvizjen Besa).

Shkruan: Ali PAJAZITI, Shkup

Maqedonia e dy muajve të fundit ka qenë e përshkuar nga dallgë të rëndësishme të politikëbërjes, fazë kjo e një cikli zgjedhor shumë të rëndësishëm, në veçanti për bllokun shqiptar, i cili qe dhjetë vjet është i margjinalizuar, edhe në mikro plan, si qytetar, edhe si kolektivitet, i përfaqësuar nga dy entitete ose parti politike të prura në gjendje të komës politike, njëra para zhdukjes, ndërsa tjetra në dekadencë të thellë. PDSH-ja dhe BDI-ja, njëra me një performim pushtetar më pak se dyvjeçar (207-2008) dhe tjetra në skenë vitet e tjera, nga 2002 deri në 2016, ishin futur në shishe nga partia ultra-konservatore partitokratiste VMRO-DPMNE: dështimet e politikës shqiptare si në shirit dhe “sukseset” e partisë maqedonase në çdo sferë. Politikani shqiptar, me përjashtime të vogla ishte i “zënë” ose i korruptuar, vetë peng, por edhe gjithë popullin shqiptar e kishte lënë peng. Pasivizmi, indolenca dhe heshtja, edhe kur s’duhej të heshtet, kanë qenë veçoritë kyçe të politikës së BDI-së ose “integrizmit” politik shqiptar në Maqedoni. Nderi dhe dinjiteti i nëpërkëmbur, burgjet plot shqiptarë të pafajshëm, ekzekutime të ish-ushtarëve të UÇK-së, rrahje të të rinjve shqiptarë në çdo skaj, procese të montuara, urbanizim me ngjyrime etnike, dy qytete në një qytet (karakatina jonë në Çair, baroku i tyre në sheshin “Maqedonia”), skandale erotike, financiare, mafiozitet politik (punësime me para, kërcënime), avancim të kuadrove në bazë të lojalitetit jo në bazë të meritave, përqendrim i gjithë shqiptarëve të rinj në administratë, ikje e një pjese të mirë të popullatës, klasa të zbrazura nëpër shkolla, dy universitete të partizuara, terrorizim me metoda të buta, buxhet i padrejtë, hakmarrje maqedonase për vitin 2001, kjo ishte tabloja e deritanishme e skenës në Maqedoni. Gruevski & company arritën që shqiponjën luftarake, Ahmetin dhe të tjerët pranë, t’i shndërrojnë në heshtake dhe statujë të politikës. Të shtrirë për tokë, të denigruar në mënyrë ekstreme, ky është përshkrimi më i qartë për gjendjen e shqiptarëve gjatë qeverisjes VMRO-BDI. Partia shqiptare e Ahmetit solli defetizmin kolektiv, pashpresinë për të ardhmen. Dhe, pas krizës dyvjeçare për shkak të bombave të Zaevit dhe krimeve të publikuara, pas Marrëveshjes së Përzhinos, u hap një faqe e re e historisë politike në Maqedoni: zgjedhje parlamentare.

Komikja dhe 11 dhjetori si ditë e ndryshimit

Zgjedhjet e fundvitit 2016 sollën një frymë të veçantë në taborin shqiptar. Përpos dinozaurëve politikë, në skenë dolën aktorë të rinj, parti të reja, Lëvizja Besa, LR-PDSH dhe Uniteti. Në fakt, vetëm njëri ishte i ri, me frymë të re. E dyta në vargun e përmendur doli nga partia private e Thaçit, e treta fraksion i BDI-së, krahu i të pakënaqurve. Koalicione parazgjedhore ndër shqiptarë ishin dy: partia e Selës, “Aleanca për shqiptarët” (njëri krah i RDK-së dhe Uniteti), nga njëra anë, dhe “Rilindje me Besë” (krahu tjetër i RDK-së me Lëvizjen Besa). “Të mëdhenjtë” e vetëperceptuar vendosën të shkojnë vetë, me plot bindje në potencialin e vet politik. Porosia e liderit të BDI-së drejtuar opozitës ishte me nuanca të komikes: “Bashkohuni, bëhuni një, të humb unë, të fitojnë shqiptarët!”. Kujtojmë se kësaj porosie s’i ka besuar as më naivi ndër ne. Ajo bie ndesh me logjikën e politikës. Festivali parazgjedhor shumëngjyrësh dhe interesant. Moto, himne, këngë, bilborde, videoklipe. Parullat ose motot parazgjedhore silleshin nga “bashkëvendosim” (BDI), “Drejt” (PDSH), “O sot, o kurrë!” (Rilindje me Besë), “Ndryshe”. Videoefektet e BDI-së ishin si reklamat e Cosmodiskut, me impakt shumë të zbehtë, me skenar dhe vizualitet katastrofik (500 delet e rashçeliut, administratorja që i flet shqip zotëri-axhës, mjekesha shqiptare, që dialogun me pacientin e bën shqip, kurse formularët i plotëson maqedonisht, studenti që falë BDI-së flet shqip në mjedisin universitar, polici shqiptar tanimë me shumë shokë përreth) dhe, “kryesori”, Ali Ahmeti, që tregon kahjen të cilën duhet ta marrin shqiptarët dhe rrezikun që vjen nga euro-aziatikët dhe euro-aziatizmi. Një prurje e re në shkencat politike. Ligjëratë orientalizuese me adresë Lëvizjen Besa, e cila nga makineria e BDI-së akuzohet për proturqizëm, lindorizëm, erdoganizëm, “katarizëm” (!) e të ngjashme. Pra, BDI-ja me Perëndimin, kurse Besa me Lindjen, me Islamin dhe të tjera. Brzezinski në veprën “Tabela e Madhe të Shahut” pohon se Euroazia është një gjeografi nga Lisbona e gjer në Vladivostok. “As njohësit e sociologjisë së partive politike, si Sartori, Goati Kirschaemeri e LaPalombara në veprat e tyre nuk e kanë tipizuar e as përmendur “parti të profilit euroaziatik”. Nëse me parti të tilla nënkuptohen partitë me sfond religjioz, atëherë edhe CDU-ja e Gjermanisë, Konservatorët e Italisë e të Francës duhet quajtur parti “euroaziatike”. Kjo ngase Krishterimi, që është vlerë në partitë e këtyre vendeve, u lind pikërisht në truallin e Lindjes së Mesme, në Betlehem, pra afër vendlindjes së Islamit.” (Jashari)

Interesant është fakti se në këtë fushatë target kryesor (madje i vetëm) i BDI-së ka qenë Besa, të cilën një herë e cilësonte si një nga partitë e vogla, e herë e glorifikonte si subjekt i rrezikshëm për kauzën tonë. Pra, goja fliste diçka, ndërsa subkoshienca diçka krejtësisht tjetër. Të gjithë spin-doktorët e BDI-së inskenuan dhe prodhuan skandale të paqena, fotografi e montazhe për ta diskredituar këtë lëvizje, të cilën megjithatë e shihnin si aktorin më të gatshëm për garë dhe më kërcënuesin për fronin politik. New kids on the block apo “Neki novi klinci” (Ca çuna të rinj) iu bënë ferrë në sy leninizmit gjatë gjithë periudhës paraelektorale. Këta çuna i shanë e i ofenduan, i defaktorizuan përmes mediave tokësore (MRT2 thuajse s’jepte asgjë për Besën, kurse AlsatM e shfaqte si të katërtën për nga radha në marketingun e saj politik), i quajtën axhaminj, të papjekur, gjithnjë duke harruar ministrat e rinj të BDI-së, një pjesë e tyre direkt në kolltukun ministror. Kritikë edhe për vetë pagëzimin “Besa”: pronë kolektive, vlerë gjithëkombëtare, manipulim me një virtyt nacional, gjë të cilën Lëvizja me mjeshtri e materializonte duke besatuar një strukturë të re votuesish, popullatën juvenilie, e cila është më e prekura nga kriza dhe që ka pritjet më të mëdha nga ardhmëria. Gjendja parazgjedhore ishte kjo: popullata e hutuar dhe BDI-ja e trazuar e në panik sa s’bën. Të gjithë indikatorët flisnin se do ketë lëvizje të mëdha tektonike. Një akademik shqiptar (Bexheti) në 360′ (Alsat-M), mes tjerash, pati pohuar se: “BDI-ja ka luajtur lojën e djallit me VMRO-në dhe do të penalizohet më tepër se VMRO-ja nga zgjedhësit më 11 dhjetor!”

Konsumimi i legjendës dhe manipulimi me fenë

Dhe, penalizimi ndodhi. Tabela reale e zgjedhjeve përgënjeshtroi truket kërkimore të instituteve të shumta dhe të personaliteteve, që nga shkallaret flisnin për “partinë e zjarrit, të djegies, kalitjes, vullkanit, tërmetit, uraganit, furtunës, stuhisë, majave, rropamave, shkrepave, rrënjëve”, për lisin, kalanë, bastionin, çelikun, betonin, sikur flisnin për PKJ-në ose PPSH-në. Maskat ranë, miti i komandantit të pamposhtur u lëkund thellësisht, partisë që thoshte se është e pamposhtur iu shkaktua një disfatë e madhe – humbje në Çair, në Studeniçan, dështim në Tetovë, humbje dhe rënie e madhe në Kumanovë e disfatë totale në Dibër. Sondazhet propushtetare dolën të pasakta. VMRO-ja u shkri shumë, BDI-së iu përgjysmuan votat. Ahmetit s’i ndihmoi as sllogani i refrenizuar “UÇK” (nga person pa lidhje organike me të), as universiteti zgjedhor i “Nënë Terezës”, as 20.000 administratorët e shumëzuar me 4-5, për të cilët kuluareve flitej se do i sillnin 100.000 vota të garantuara, as sulmi ndaj “parave të Stambollit dhe naftës së Katarit” (B. Murati), as kanosjet ndaj mendimit të lirë, as ndaj berberëve dhe dyqanxhinjve, as top 50 afaristët nga rreshti i parë. U tregua se populli është sovrani. Nuk i ndihmoi kësaj partie anakronike as Instituti për Mbrojtjen e Gjuhës Shqipe, as pltaforma pesëpikëshe për përmbyllje e çështjes shqiptare, as floskula për kalim nga liria në barazi, për dygjuhësi, për barazi ekonomike, vendimmarrje konsensuale, integrim në BE… E diela, 11 dhjetori, dhe fikja e dritave herët në mbrëmje janë parashenjat e fundit të një miti civil, të një ikone të luftës së vitit 2001 dhe të një formacioni politik, që u stërmbush me kriminalitet, hajni, zullum, abuzime. Pas 11 dhjetorit Ahmeti dhe shokët e tij nisën ecjen në teposhtëzën e tyre, në rrugën për t’u gjendur në faqet e historisë si faktor i vetëdefaktorizuar, si një entitet të cilin e prishi fuqia, pushteti, paraja dhe libidoja.

Një gjë interesante në këtë “luftë politike” ishte edhe loja me fenë dhe vlerat shpirtërore. Besa doli me një diskurs të virtyteve shoqërore, ku mes tjerash zë vend edhe feja (“Nëse beson në Zot!”) dhe kjo u lakua keqas nga “të katërtit”: “Besa është parti fetare, manipulim me fenë, për herë të parë feja në politikë, shteti laik, shqiptarët janë multikulturorë, ‘kundër Nënë Terezës, Skënderbeut’” dhe në këtë fushatë u angazhuan edhe islamofobë, si Kastriot Myftaraj, Berat Buzhala, Jon Leka e shumë të tjerë, madje u incizuan edhe dokumentarë (“Udhëkryqi shqiptar në Maqedoni”) lidhur me rrezikun që u kanoset shqiptarëve nga “besatarët”, emisione dhe debate (në Shqipëri) u ushqyen me temën e relacioni Besa-fe e Besa-erdoganizmi. BDI-ja dhe Ahmeti jepnin një mesazh të qartë, por me spec: mos flisni për fe, kurse nga ana tjetër feja ishte në kampanjën e BDI-së gjithandej. Shprehjet “Vëllezër dhe motra”, fletëftesat me “Qofshi i bekuar”, kandidimi i shqiptaro-orthodoksit Manojllovski, myfti-prefekti në Dibër, të gjitha janë fakte me frymë fetare. Derset që u mbajtën në Dibër për parajsë-xhenetin dhe ferr-xhehenemin dhe për atë se të gjithë do jenë në xhenet (Ahmeti) dhe në disa vende të tjera, flasin për një teologji shekullare, për një fetarizim të politikës edhe atë para myftiut. Takimi para zgjedhjeve i gjithë parisë së BDI-së me reisu’l-ulemanë në konakun e tij është një pasqyrë e pamohueshme për një afri të ndjeshme (në mos koalicion) mes institucionit më të lartë fetar në RM ose mes dy kryetarëve, të politikës dhe të fesë për mbështetje. Sikur të ishin të ftuar të gjithë krerët e partive politike gjithçka do të kuptohej më ndryshe, mesazh për qetësi, për zgjedhje pa goditje, me frymë vëllazërore etj., por prezenca e njerëzve pa kredenciale shoqërore, të ngatërruar në seks-skandale, në konakun e kryehoxhës, flet për një udhë të paudhë që ky institucion e ka marrë. Dhe, porosia ose kumti për shmangie të hoxhallarëve nga politika. Kjo bie ndesh me kur’anoren “Pse e thoni atë që nuk e bëni?” Fesi në takim partiak në Gostivar, të punësuar të bashkësisë fetare nëpër mitingje (Kondovë), në ndeja partiake me çifteli (Negotinë)… Është e çuditshme kjo lidhja e majtizmit me fenë, se për djathtizmin dhe konservatorizmin kjo është një gjë e mirënjohur në katër anët e botës. Kush e deklasoi BDI-në? Të devijuarit e politikës, populli i zhgënjyer, rinia me elanin për të ndryshuar, shpirti i dëlirë dhe damari i gjallë i vlerave që ende frymojnë ndër shqiptarë. Kur të fshin populli, s’të ndihmojnë as dekoratat e presidentit (Thaçi).

Kështjella e Lekës si lokacion i post festum katharsisit

Këto zgjedhje (ri)treguan disa fakte – nuk ka kredibilitet të përjetshëm. Partia e parë ka arritur apogjeun e vet dhe dalëngadalë po ecën drejt humnerës, ndërsa PDSH-ja drejt zhbërjes definitive. Për momentin faktori numër dy i politikës shqiptare është “Lëvizja Besa”, sado që artificialisht promovohej LR-PDSH, e cila nuk realizoi bashkëpunimin me këtë lëvizje për shkaqe ideologjike (fetarizma dhe spiritualiteti). Mikrofonat që kërcenin natën e zgjedhjeve dhe fytyrat e ngrira të politikanëve të selisë rurale ishin shenja të qarta se kush ka fituar e kush ka humbur në këto zgjedhje. Numrat tregojnë dhjetëshen e mandateve, por minusi i madh (-66.000), shifrat e votave të kaluara te partitë opozitare shqiptare (rreth 118.000 vota) dhe kalimi i rreth 70.000 votave në taborin maqedonas, janë treguesit më të qartë të kursit të politikbërjes shqiptare në Maqedoni.

Dhe, nja dhjetë ditë pas zgjedhjeve partia fituese e numrit më të madh të mandateve ndër shqiptarë doli me një ftesë për takim të të gjitha partive shqiptare në hotelin “Aleksandar Palace” më 23 dhjetor. Iu përgjigj vetëm treshi nga “Aleanca për shqiptarët”. Përkundër bonsensit se bashkimi për kauzë është domosdoshmëri e kohës, pyetja logjike që shtrohet lidhur me këtë ftesë është kjo: Me çfarë kredibiliteti kjo parti synon bashkimin, kur kanë një indeks të kriminalitetit, kur më parë s’i bënte hesap këto parti? Takimi i së shtunës lidhur me “situatën e krijuar pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit” ishte një takim informativ dhe pa ndonjë agjendë konkrete. Kur e kemi parasysh se sa serioze është gjendja politike në vend dhe çfarë tendosjeje ekziston në këtë periudhë të mjegullt me rezultate shumë të përafërta në bllokun maqedonas, me mundësi ndryshimi, dhe me një tablo interesante te shqiptarët, ku partia dominuese një dekadë e gjysmë është më kredibilitet të thyer, organizimi i një takimi të tillë dukej pozitiv, por mungesa e një mini-dokumenti me disa pika është një huqje e madhe, një pasqyrë e qartë se si bëhet politika tek ne. Mjeshtrit e politikëbërjes së partisë “së madhe” do të duhej që të mos ia linin rrafshit informativ dhe sipërfaqësor këtë takim të parë, do të duhej të kishte gjëra konkrete mbi tavolinë: duhej të kishte besatim për amputim të kriminogjenitetit dhe për jetësim të vlerave konkrete. Kjo është kërkesa ose pritja konkrete nga një subjekt serioz që pretendon të jetë amzë e politikës shqiptare. Organizimi në fjalë krijon dilema te partitë e tjera, aritmetika të shumta dhe fizkulturë mendore, teoretizime konspirative etj. Shqiptarëve të Maqedonisë u duhen nisma për fillimin e një epoke të re të politikës ndër ne, të figurave të reja, të politikës me rezon, me duar të pastra dhe me nivel kulturor. Ancien regime ka marrë fund, kthim prapa s’ka. Kush ka lënë fytyrë dhe nuk ka bagazh negativ, duhet të vazhdojë! Kush e ka harxhuar kredinë e mirëbesimit, duhet të tërhiqet vetë dhe të bëjë ndonjë punë që di ta bëjë më mirë. Në vitin 2002 në revistën Lobi (nr. 85 fq. 32) pas zgjedhjeve kemi botuar një artikull më titull “‘Fitorja e simbolit të atdhetarisë’ kundër kombëtarizmit populist”. Për 15 vite ky simbol u tjetërsua, populli e lexoi drejt situatën dhe zhvillimet dhe vendosi për frymë tjetër. Shkrimi në fjalë përfundonte me këto fjalë: “Populli dhe Zoti nuk harrojnë, ndërsa vepërmirin veprat e tij e mbrojnë!” Mësim për ata që kanë qenë në pushet dhe për këta që janë në ngritje dhe që synojnë majat e politikës.

Postime të Ngjajshme