` . 10 vjet në kërkim të Republikës! – TV-SHENJA

10 vjet në kërkim të Republikës!

EDITORIAL

Shkruan: Latif Mustafa 

Mbretëronte acar i fortë, mbase ditët më të ftohta që i kisha parë ndonjëherë. Një acar i pashoq e kishte kapluar Prishtinën dy vjet më parë, në janarin e vitit 2006 kur ndërroi jetë presidenti Ibrahim Rugova. Vdekja e tij ishte e shoqëruar me dhimbje, ndrojtje, huti dhe me një gëzim të zbehur. Dhimbja për të manifestohej te shtresat që e kishin dashur atë si baba, si bashkëshort e familjar, por edhe dashamirët dhe kolegët e ngushtë të akademisë dhe politikës. Ndrojtja dhe hutia mbretëronte te shtresat e gjëra popullore, si rezultat i vdekjes së kultit që e barti Kosovën deri në këtë pikë dhe pa të disi ishte e pamundur të ecej tutje. Një gëzim, sado i zbehur, por premtues, ishte varrimi i tij dhe prezenca e një faktori të gjerë ndërkombëtar, që kishin marrë rrugën për ta nderuar të ndjerin dhe, njëkohësisht, të shprehnin mbështetjen e tyre për Kosovën.

Vetëm dy vjet më vonë, në koordinim me faktorin ndërkombëtar, me sponzorizuesin më të madh të Kosovës, përfaqësuesit më të lartë të shtetit, e shpallën Kosovën “shtet të pavarur dhe demokratik”, pa u përmendur nocioni i “sovranitetit”, një realitet i munguar dhe shumë i dëshiruar i Kosovës edhe pas një dekade pavarësi. I njëjti acar, akull dhe dëborë në rrugët e Prishtinës, ku qytetarët kishin dalë të festojnë të harlisur e të shastisur nga gëzimi jo vetëm për përmbushjen e një ambicieje shekullore, por edhe për mënjanimin e një pengese të madhe psikologjike dhe burokratike për përparimin, avancimin dhe integrimin e Kosovës së varfër në Evropën e kamur.

Është e tepërt të përmenden problemet që i ka Kosova, sepse ato tashmë jo vetëm që janë të njohura, por janë pjesë e një mishërimi popullor, diçka që ndjehet si një prerje tërthore në ashtin e shtalbët dhe të skamur tek të gjithë shqiptarët. U desh të kalojë më tepër se një dekadë për ta kuptuar se, më vështirë se shteti, është të bëhet shoqëria, qytetarët e një republike të shumëkërkuar, por të munguar dhe vështirë të realizuar.

Mbi të gjitha, Republika e Kosovës është një shtet në ndërtim e sipër. Përbri këtij fakti ‘ska të reshtur as ndërtimi i një shoqërie të re, që vjen si rrjedhojë e një shteti në potencë, por ajo që i mungon më së shumti Kosovës është republika ose hapësira sovrane, në të cilën respektohet vullneti në përfaqësimin e lirë dhe demokratik të përfaqësuesve të vet të zgjedhur përmes votës së lirë. Përpëlitja për Republikën është shndërruar në një trokitje ndërgjegjeje në thellësinë e arsyes së zemrës së qytetarit kosovar, për mos të legjitimuar, përmes votës përfaqësuesin, oligark, sistemi i të cilit po e bren dhe gërryen përbrenda republikën dhe po e rrezikon ekzistimin e vet shtetit. Heroi i kësaj republike është qytetari i Kosovës, i cili ka vendosur të qëndrojë në Kosovë dhe tek ai kurrë nuk rresht së ekzistuari bindja se Republika e Kosovës është një mundësi që pret të bëhet realitet – hapësirë sovrane e qytetarëve të lirë.