` . ​​Haradinaj thotë se taksa ndaj Serbisë mund të jetë e përjetshme - TV-SHENJA

​​Haradinaj thotë se taksa ndaj Serbisë mund të jetë e përjetshme

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se marrëdhëniet me Serbinë nuk janë për me zgjidh çështjen e kufirit, por për të zgjedhur çfarë marrëdhëniesh duan të kenë dy shtetet. Sipas tij, nëse Serbia vazhdon të refuzojë shtetin e Kosovës, atëherë shteti i Kosovës do të vazhdojë taksën 100% ndaj produkteve serbe dhe sipas tij, kjo taksë mund të jetë përjetshme.

Kryeministri i vendit ka thënë se duhet të zgjidhet marrëdhënia bilaterale Kosovë-Serbi, që sipas tij kjo nuk ka të bëjë me statusin e Kosovës, me kufijtë, por me marrëdhënie diplomatike.

“Çfarë ka mbet të zgjidhet me Serbinë, ka mbet të zgjidhet çfarë marrëdhëniesh do të kemi, a duam të njihemi reciprokisht apo jo, nëse duam të njihemi, nënkupton të vendosim marrëdhënie diplomatike, të vendosim marrëdhënie tregtare, t’i sqarojmë çështjet e të kaluarës, të pagjeturit, dëmet e luftës, ose nëse nuk duam të njihemi reciprokisht, duam të refuzohemi, refuzohemi, por atëherë nuk mund të shesësh në tregun e Kosovës, atij që ia refuzon ekzistencën nuk mundesh të ja marrësh tregun dhe kjo mundet me qenë e përjetshme. Pra nëse Serbia refuzon ekzistencën tonë, të cilën e kanë pranuar jo vetëm populli i Kosovës, por edhe vendet më të respektuara, si Amerika, vendet e BE-së, pse ne t’ia japim tregun, na refuzon ekzistencën. Ne po kërkojmë të ecim përpara me një marrëveshje kornizë, të dihet për çfarë do flasim, jo të na befasojë dikush”, tha Haradinaj.

Ai tha se është e rëndësishme të sqarohen marrëdhëniet me Serbinë, meqë duan që kohën më të madhe të ja kushtojnë hapjeve të punës dhe qeverisjes së mirë.